Martesat
Ka qenë kryetarja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit Vjollca Meçaj, si një nga organizatë joqeveritare që ka kontribuar direkt në hartimin e dispozitave të këtij drafti, ajo që ka sqaruar dje se drafti që I është paraqitur Kuvendit nuk ka si qëllim të tillë të vendos institucionin e martesës edhe për persona të së njëjtës gjini. Duke folur për mediat ajo ka sqaruar se që të bëhet një gjë e tillë kërkohet të ndërhyhet në një ligj të rëndësishëm siç është Kodi i Familjes, i cili kërkon një shumicë të cilësuar votash. "Ky ligj nuk legalizon asgjë, shpjegon atë parim kushtetues të mosdiskriminimit. Qëllimi ka qenë që shtrirja e mosdiskriminimi është në të gjitha fushat. Por deri këtu shtrihet ligji, për sa i përket
instituteve të veçanta që ju i keni lakuar dhe mbase ka interes publik, ato nuk gjejnë përgjigje në këtë ligj. Për sa i përket instituti i martesës është një institut që rregullohet nga Kodi i Familjes. Kodet janë ligje të një rëndësie të veçantë që miratohen në Kuvend por me një mazhorancë të cilësuar.
Pra të prekësh kodin e familjet, kodet e procedurës nuk është detyrë e këtij ligji. Është ligj i thjeshtë që ka detyrë të shpjegojë kuptimin e diskriminimit dhe ti mbrojë qytetarët nga mosdiskriminimi", - tha Meçaj. Madje në rolin e propozuesit të këtij drafti, ajo ka sqaruar se ligjërimi i martesave të tilla nuk ka qenë asnjëherë qëllim i tyre, duke bërë të qartë kështu se deklarata e kryeministrit për këtë çështje nuk ka pasur si shtysë qëndrimin e shoqërisë civile. Ajo ka theksuar se kjo nismë është keqinterpretuar, duke u shmangur nga qëllimi i vërtetë i saj, që është mbrojtja nga diskriminimi. "Unë nuk e di programin e qeverisë. Nëse flisni për projektligjin, ky është. Edhe unë e kam ndjekur kryeministrin, në kohën kur ai është shprehur projektligji nuk kishte marrë formën përfundimtare dhe nuk mund të flas këtu për programet e mëtejshme të qeverisë. Në këtë projekt asnjëherë nuk është folur për martesën ose për gjëra të tjera sepse ato janë institute që parashikohen nga ligje të tjera", - tha më tej Meçaj.
Komisioni
Komisioni parlamentar i Shëndetësisë ka nisur dje shqyrtimin e draft ligjit "Për mbrojtjen nga diskriminimi, i cili synon që të që të parandalojë dhe ndëshkojë të gjitha format e diskriminimit për shkaqet që kanë të bëjnë me gjininë, racën, ngjyrën, etninë, gjuhën, orientimin seksual, besimet, etj. Seanca e djeshme ka qenë krejt formale pasi deputetët janë njohur vetëm me realizimin që i ka bërë kësaj nisme një nga deputetet firmëtare të tij, aktores Rajmonda Bulku, e cila ka bërë një prezantim të shkurtër të asaj që vjen si risi me këtë projektligj, por ku natyrisht nuk flitet për atë që kishte marrë përsipër kryeministrit të ligjëronte, pra martesën e homoseksualëve. Nderkohë që kreu i komisionit Tritan Shehu nuk ka nxituar për të kaluar në diskutimin e projektligjit në brendësi të vetë, pasi siç bëri të ditur ai, një kopje e tij i është nisur të gjitha ministrive të linjës që kanë të bëjnë me problematikat që trajtohen në të.
Por pavarësisht kësaj shumica e deputetëve anëtarë të këtij komisioni janë shprehur parimisht dakord me këtë nismë. Ndërkohë memoja e hartuar nga zyra juridike e Kuvendit e konsideron projektligjin si të panevojshëm në shumicën e vet, pasi siç edhe konstatohet në të shumica e neneve të propozuara ose janë të pa aplikueshëm, ose pjesa tjetër është trajtuar edhe në ligjin "Për Barazinë Gjinore" të miratuar gati dy vjet më parë. "në përgjithësi vërej se ky projektligj ndjek të njëjtën formë dhe përmbajtje si projektligji "Për barazinë gjinore në Shqipëri', - thuhet në këtë Memo. Por një problem i madh sipas këtij vlerësimi lind edhe për institucionin e komisionarit që propozohet të ngrihet për rruajtjen e shtresave objekt i projektligjit nga diskrimimi, i cili rrezikon të dublojë institucionin e Avokatit të Popullit. "Në kreun V projektligji përcakton krijimin e një komisionari për mbrojtjen e barazisë. Ky komisioner është shumë i ngjashëm me kompetencat që ka Avokati i Popullit dhe mendoj se me krijimin e tij në fakt ka një dualizëm në institucionet që do të trajtojnë mbrojtjen e individit nga diskriminimi. Kjo do të ngjallë debate në praktikë, pasi do të kemi përplasje kompetencash", - thotë ekspertja që ka hartuar Memon.
Nga : Gazeta Shekulli