Lëkundje të forta tërmeti janë ndjerë në Shqipërinë qendrore mëngjesin e sotëm. Lëkundjet më të forta janë ndjerë në orën 3 të mëngjesit dhe sipas Institutit të Gjeofizikës, epiqendra e tërmetit është në zonën pranë Belshit dhe fuqia ka qenë 5.1 e shkallës Rihter.
Pas goditjes së parë ka patur edhe disa lëkundje të tjera, më e fundit para disa orësh me një fuqi prej 3 të shkallës Rihter me të njëjtën epiqendër. Thellësia e goditjeve është nga 2 kilometër deri në 14 kilometër në këtë zonë dhe lëkundjet e forta janë ndjerë në shumë zona, përfshi edhe kryeqytetin.
Kjo që shikoni në ekran është harta e lëkundjeve të cilat kanë qenë të shpeshta në këtë zonë pas goditjes së parë.
Lëkundjet janë ndjerë shumë të forta në Kuçovë, Cërrik, Belsh, Lushnje, Rrogozhinë, Berat, Elbasan dhe Tiranë. Në disa qytete ka patur banorë të pallateve të larta që kanë kaluar edhe disa orë në rrugë për shkak të panikut të shkaktuar nga lëkundjet e forta.
Tërmeti, në Belsh pezullohet mësimi
Tërmeti i rënë gjatë natës ka shkaktuar dëme në shkollën 9-vjeçare të Belshit. Si pasojë e dëmtimeve që ka pësuar kati i tretë i godinës, drejtoria ka pezulluar mësimin.
Gjithashtu, frika e ndonjë lëkundjeje tjetër ka bërë që drejtoria të mos lejojë futjen e nxënësve edhe pse Bashkia e Belshit ka inspektuar shkollën dhe ka konstatuar se godina nuk përbën rrezik për ta.