Termetet vijojne ndertime pa leje sizmike

Termetet, vijojne ndertime pa leje sizmike
Tërmetet, shkatërrues dhe të paparashikueshëm. Edhe pse dukuri të mirëfillta natyrore, paniku që shkaktojnë mes nesh ngjall të njëjtin ankth që të pushton teksa vihesh përballë një dukurie paranormale. Për këtë nuk mendohet përditë, askush nuk është aq skeptik, por ama, sa herë që një tërmet prek vendin tonë apo dëgjojmë për ndonjë të tillë, të gjithë kthejnë gishtin nga vetja duke pyetur jo pa frikë: “Po ne? !”, “Po shtëpitë tona? !”.

Tërmetet, shkatërrues dhe të paparashikueshëm. Edhe pse dukuri të mirëfillta natyrore, paniku që shkaktojnë mes nesh ngjall të njëjtin ankth që të pushton teksa vihesh përballë një dukurie paranormale. Për këtë nuk mendohet përditë, askush nuk është aq skeptik, por ama, sa herë që një tërmet prek vendin tonë apo dëgjojmë për ndonjë të tillë, të gjithë kthejnë gishtin nga vetja duke pyetur jo pa frikë: “Po ne?!”, “Po shtëpitë tona?!”.

Jo më larg se para dy javësh tsunami i fuqishëm që goditi brigjet e Japonisë, sigurisht që nuk u ndie nën këmbët e shqiptarëve, por ama të gjithë ia bëmë vetes këto pyetje. Shyqyr Zotit, nuk qëndrojmë mbi “Unazën e Zjarrtë të Paqësorit”, pjesa me aktivitetin sizmik më të lartë në të gjithë rruzullin tokësor. Një fatkeqësi e atillë natyrore, sigurisht që nuk do të kursente asgjë që do të gjente përpara, por për aq sa mund të jetë e parashikueshme, për një tërmet midis të shumtëve që kanë filluar të lëvizin, sa të sigurta janë shtëpitë tona, apartamentet e bukura që i kemi blerë qindra euro për metër katrorë, vendosur panoramik në katet më të larta të ndërtesave metropolitane? A janë më të sigurta pallatet e vjetra, ato të “komunizmit”, sesa pallatet e reja të bëra pas demokracisë? A ndërtohet me cilësi sot? A duhet të kemi frikë nga ndërtimet e larta? A kalohet nga një studim sizmik i truallit përpara se të miratohet një leje ndërtimi? A ka një hallkë institucionale që kontrollon pastaj zbatueshmërinë e këtij studimi në projekt?

Kemi shkuar për të marrë disa prej përgjigjeve në zyrën e Prof. Asoc. Dr. Jani Skrami, specialist i sizmikës pranë Institutit të Gjeoshkencave. Është pikërisht nga ky institut që duhet të kalojë çdo firmë ndërtimi, përpara se të paraqesin ë KRT-të e bashkive dhe të komunave dosjen për marrjen e një lejeje ndërtimi. Fillimisht i duhet një studim gjeologjik i përbërjes së tokës ku do të ndërtojë, e pastaj mbi këtë studim, një tjetër inxhiniero-sizmiologjik i cili jep parametrat që duhen të merren parasysh gjet projektimit dhe zbatimit për sa i takon lëkundjeve nga tërmetet.

- Profesor, si kategorizohet vendi ynë për sa i takon sizmicitetit të truallit ku është vendosur?

Shqipëria futet në brezin sizmoaktiv që fillon nga Alpet e Italisë, në bregdetin Dalmat, në bregdetin shqiptar, atë grek, në ishujt e Egjeut, Turqi, Iran, Himalaja e zbret deri në Indonezi. Për vetë këtë pozicionim të pllakave tektonike, në vendin tonë nuk ekziston mundësia e përfshirjes nga tërmete të madhësive të krahasueshme me atë të tsunameve, si ai i Japonisë apo të tjerë. Tërmeti më i madh i regjistruar që ka prekur vendin tonë është ai i 15 prillit të vitit 1979, epiqendra e të cilit ka qenë në territorin malazez. Asnjë nga tërmetet që kanë goditur apo prekur vendin tonë nuk e ka kaluar shkallën e 7 Rihter, të gjithë kanë qenë poshtë kësaj vlere.

Mbi bazën e studimeve sizmologjike dhe sizmotektonike është ndërtuar harta e rajonizimit sizmik të vendit, në shkallën 1:500.000, ku Shqipëria ndahet në 3-4 zona sipas intensitetit të tërmetit, duke filluar nga 6.5 ballë deri në 9 ballë. Është pikërisht kjo hartë që është përfshirë pastaj dhe në kodin shqiptar të ndërtimit.

- Cilat janë zonat me sizmicitet më të lartë në vendin tonë dhe ku duhet pasur më shumë kujdes me ndërtimet?

Tërmetet, të gjithë e dimë, nuk parashikohen. Por, “parashikimi” më i mirë është që ne të mbrojmë objektet që ndërtohen, t’i parapregatisim të qëndrueshme sipas llogaritjeve të bazuara në studimet sizmike të zonave ku ata vendosen.

Zona më e prekur, ose zona që duhet të ketë më shumë kujdes për sa i takon ndërtimeve është zona bregdetare, nga Shkodra, në Durrës, Vlorë e më tej, sepse i tillë është ndërtimi gjeologjik i terrenit. Janë pastaj dhe qytetet si Korça dhe Elbasani që përshkohen nga thyerje sizmioaktive dhe rrisin kështu mundësinë e rrezikut sizmik. Megjithatë kjo s’ka të bëjë aspak me përhapjen e panikut tek popullata, por thjesht me ndërgjegjësimin për të ndërtuar me përgjegjësi dhe korrektësi.

- Çfarë parashikojnë detyrimet ligjore për sa u takon ndërtimeve dhe kushteve që ato duhet të plotësojnë për të qenë të qëndrueshme ndaj tërmeteve që godasin vendin tonë?

E gjithë puna jonë vjen në funksion të punës së ndërtuesve në mënyrë që këta të marrin prej studimeve tona të dhënat për të ndërtuar brenda parametrave të nevojshëm sizmik godina të rezistueshme ndaj tërmeteve.

Me ndryshimet që ndodhën në vendin tonë, me zgjerimin e qyteteve, me liberalizimin e ndërtimeve ku u ngritën godina të larta dhe të stileve të ndryshme, doli për detyrë që këto ndërtime të parapriheshin nga studime më të detajuara. Në funksion të kësaj u hartua edhe Ligji për Urbanistikën dhe këtu sizmika kishte rolin e saj. Interpretimi i këtij ligji në këtë drejtim, thotë që, të gjitha firmat ndërtuese, apo individët ndërtues, duhet të pajiseshim me studim të detajuar inxhiniero-sizmiologjik ku të jepeshin parametra që kanë të bëjnë me frekuencën e truallit, spektrat e ndërtimit, intensiteti i pritshëm, akseleracioni i truallit e të tjera të dhëna si këto. Në qoftë se firma nuk e ka këtë studim, sipas këtij ligji, subjektit ndërtues nuk i duhet dhënë leja ndërtuese nga komuna, bashkia, KRRTRSH-ja e objekteve të rëndësishme etj. Ky ligj duhet për të gjitha godinat mbi 8 kate, për të gjitha objektet e rëndësisë së veçantë si shkolla, spitale, ura, aeroporte, autostrada, objekte kulti etj.

- Si ka evoluar kjo procedurë studimore dhe legjislacioni për të pas viteve ’90?

Para viteve ’90 ë gjitha ndërtimet ishin shtetërore, dhe procedurat nuk e njihnin marrjen e lejes sizmike, megjithëse për ndërtesa të një rëndësie të veçantë apo madhësie të veçantë, ky studim bëhej nga specialistët tanë. Por të tilla ndërtime ishin të pakta në numër. Studimet e para sizmologjike kanë filluar të bëhen diku nga viti 1996. Ndërtimet që janë bërë në vitet e para të demokracisë, ato pak apo shumë që u bënë deri në ’96, nuk iu nënshtruan studimit inxhiniero-sizmologjik gjatë projektimit të tyre. Gjithçka ndryshoi pas një vendimi të Këshillit të Ministrave të vitit 1995, në qeverinë Meksi të asaj kohe. Pastaj, në vitin 1998, ky vendim kaloi në hartimin e ligjit dhe miratimin e tij.

- Ju jeni i vetmi institut në vend që lëshoni këto studime. A kalojnë nga zyrat tuaja të gjitha firmat që presin të ndërtojnë objekte që kërkojnë studimin sizmik?

Sot, të gjitha bashkitë dhe komunat që japin leje ndërtimi, duhet t’i obligojnë firmat e ndërtimit të pajisen me studimet inxhiniero-sizmiologjike. Problemi nuk qëndron ama vetëm tek pajisja me këto studime, por inxhinierët konstruktorë duhet edhe t’i përdorin parametrat e këtyre studimeve, t’i implementojnë gjatë projektimit të ndërtesës.

Në vendin tonë gjatë këtyre viteve, duke filluar nga ’96 e këtej, janë bërë shumë studime nga ana jonë.

Por ka edhe firma që nuk kalojnë fare nga ne. E gjejnë vetë zgjidhjen, me mënyrat e tyre... Po ne nuk jemi në pozicionin që të bëjmë policin... ai ndërtues që na vjen, duke zbatuar ligjin, ne i bëjmë studimin sizmik.

- Kush e kontrollon punën e këtyre firmave në terren, lidhur me zbatueshmërinë projektit që duhet të ishte bazuar mbi këtë studim sizmik?

Problemi tjetër është si kontrollohet subjekti, në e ka marrë apo s’e ka marrë parasysh studimin sizmik. Kjo nuk është në tagrin tonë. Ne kemi për detyrë të pajisim me studim sizmik të zonës ku do të ndërtohet, çdo firmë që i drejtohet dyerve të institutit. Ata që kontrollojnë këtë janë KRT-të që japin lejet, të cilat duhet të sigurohen që studimi sizmik është pjesë e dosjes që shqyrtohet dhe të bëjnë oponencën e duhur, aty ku shohin shmangie, si dhe specialistët e kolaudimit që qeveritë lokale caktojnë për verifikimet që bëhen gjatë kësaj procedure, etj.

- Së fundmi, edhe subjekte private janë licencuar për të dhënë studime sizmike për ndërtuesit. Si e konsideroni ju këtë liberalizim, duke qenë se deri para pak muajsh ju ishit i vetmi institut i këtij lloji?

Mesa di unë është kërkuar dhe kohë më parë të liberalizohet procesi i bërjes dhe dhënies së studimeve sizmike. Sepse në gjeologjinë inxhinierike, inxhinieri gjeolog është i lirë në profesionin e tij. Dhe ky liberalizim është bërë, ka disa muaj, jo më shumë. Por nuk është një fenomen i përhapur. Nëse deri dje i vetmi që jepte studime inxhiniero-sizmike ishte instituti ynë, tani është edhe një tjetër institucion privat.

Kjo varet nga fazat dhe momentet që kulmojnë me bum-e ndërtimesh ose jo. Gjithsesi, pa dashur të flas apriori, mund të them se mesatarisht në institutin tonë ka pasur 50 - 60 kërkesa për studime inxhiniero-sizmike në vit. Shumica e tyre vijnë nga Tirana dhe Vlora, edhe pse ndoshta duhet pranuar që në këto dy qytete vazhdon të ndërtohet intensivisht.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama