Terror ne Australi merren peng 30 persona

Terror ne Australi, merren peng 30 persona

 Kafja e mëngjesit disa qytetarëve në Australi, iu është kthyer në një makth. Një person i armatosur ka marrë peng mbi 30 persona në një kafene në Sidnei. Ngjarja është regjistruar rreth orës 09:45 të mëngjesit të së hënës, ku një person i mbuluar me një veshje me shkronja arabe, ka hyrë brenda në kafenenë e mbushur me klientë dhe nga një qese blu ka nxjerrë një armë gjahu.

CNN dhe "The Independent" raportojnë se, të paktën pesë persona, tre burra dhe dy gra, u larguan nga ambientet e kafenesë, por ende mbetet i pazbuluar numri i njerëzve që ndodhet brenda për gati 9 orë.

Kërkesat e personit të armatosur janë bërë përmes pengjeve, të cilët kontaktojnë disa prej medieve që ndodhen në vendngjarje. Personi i armatosur, i cili po mban peng njerëzit brenda kafenesë në Sidnei kërkoi një takim me kryeministrin australian, Tony Abbott. Gjithashtu autori i ngjarjes pretendon se ka vendosur 4 bomba, 2 brenda në kafene dhe 2 brenda zonës ku ndodhet ajo.

I armatosur sipas medieve vendase thuhet se ka rënë dakord për lirimin e një prej pengjeve, në qoftë se një flamur i ISIS i dorëzohet atij në kafene. Media lokale “10 News” pohon se është kontaktuar nga pengjet me urdhër të personit të armatosur, i cili ka bërë kërkesat dhe ka njoftuar për ekzistencën e katër bombave.

Mësohet se personi i armatosur, i cili ende nuk është identifikuar, ka marrë peng klientët dhe stafin e kafenesë, duke shkaktuar kështu panik në radhët e qytetarëve dhe autoriteteve australiane.

Sipas medieve ndërkombëtare mendohet se, në lokal po mbahen peng mbi 30 persona. Policia australiane ka rrethuar lokalin dhe ka nisur negociatat me autorin, falë të cilave është bërë i mundur edhe lirimi i 5 prej pengjeve.
Ajo çka është edhe më shqetësuese për autoritetet australiane është se, dyshohet për një sulm të mundshëm terrorist. Ky mendim ka ardhur pasi, në një nga dritaret e lokalit është shfaqur një flamur i zi islamik me disa mbishkrime në të.

Në flamur shkruhet “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut” dhe “Muhamedi është profet i Perëndisë”, e sipas të dhënave i përket grupit ekstremist Jabhat al-Nusra, që lufton kundër qeverisë së Assad në Siri. Por sipas të dhënave flamuri është i ndryshëm nga ai që përdor grupi terrorist ISIS.

Ndërsa kryeministri i Australisë, Tony Abbott, ka hedhur dyshimet mbi një fakt të tillë duke u shprehur se, sulmi mund të jetë i motivuar politikisht.

Ndërkohë policia australiane vijon operacionin me qëllim shpëtimin e pengjeve dhe lënien e tyre të lirë.
Qindra efektivë kanë izoluar zonën, ndërkohë që pengjet e mbyllur brenda lokalit “Cafe Lindt” shfaqen në dritare me duart lartë.

Autoritetet thonë se shumë nga të dhënat në lidhje me situatën mbeten të paqarta, duke përfshirë edhe numrin e njerëzve brenda kafenesë dhe motivet e personit të armatosur.

 

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama