Merr përmasa të tjera skandali i kërcënimit të skuadrës së Sopotit përpara ndeshjes që luajtën të shtunën në Krujë ndaj Pogradecit. Drejtuesit e klubit librazhdas bëjnë të ditur se, sipas burimeve të tyre, personat që u kanë dalë përpara dhe kanë kërcënuar librazhdasit, kanë bërë të njëjtën gjë edhe me treshen e arbitrave të ndeshjes.
Dy janë edhe pikat mbi të cilat mbështetet kërkesa e Sopotit që ka depozituar në FSHF për të riluajtur ndeshjen ndaj Pogradecit. Pretendimet Në një prononcim për gazetën "Panorama Sport", administratori i Sopotit, Iridion Bahiti, u shpreh:
"Sipas informacioneve të konfirmuara që kemi ne, të njëjtët persona që kanë kërcënuar skuadrën tonë, kanë bërë të njëjtën gjë edhe ndaj treshes së gjyqtarëve të atij takimi. Kemi mësuar se arbitrat janë kërcënuar rreth 30 minuta përpara skuadrës së Sopotit. Ne si klub kërkojmë nga FSHF dhe kemi depozituar shkresën për ta riluajtur takimin.
Mendoj se dy pikat ku bazohemi, kërcënimi i skuadrës sonë dhe gjyqtarëve, janë më se të mjaftueshme për federatën që të riluajë ndeshjen. Nuk e dimë nëse arbitrat kanë bërë denoncim në polici apo ta kenë pasqyruar diçka në raportet e tyre, por mund t'iu garantoj se kërcënimi i gjyqtarëve ka ndodhur. Kërkojmë nga FSHF-ja që vetëm të riluhet ndeshja dhe asgjë më shumë. Luftëtarit iu sëmurën tetë lojtarë dhe u shty një javë e tërë. Duke parë rrethanat shumë të rënda në të cilat është luajtur ndeshja ndaj Pogradecit, pas kërcënimeve me jetë që u kanë ndodhur lojtarëve tanë dhe arbitrave, kërkojmë vetëm përsëritjen e ndeshjes", shprehet Bahiti në prononcimin e tij.
Treshja e gjyqtarëve në sfidën e së shtunës ishin Sokol Çekaj me ndihmësit e tij G.Koka e E.Çuni, të gjithë nga Laçi. Aktualisht, çështja e kërcënimit të skuadrës së Sopotit është denoncuar që të shtunën në komisariatin e Fushë Krujës dhe janë organet kompetente ato që po hetojnë në lidhje me këtë ngjarje që pretendohet se ka ndodhur. Ndërsa, FSHF, kur kanë kaluar katër ditë nga e gjithë kjo histori, ende nuk ka reaguar. Të gjithë sytë janë nga organet kompetente.
Përgatiti: LEDION QOSHKU