Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian po zhvillojnë një takim për të diskutuar për kërcënimin terrorist në Evropë, në prag të sulmeve të fundit. Sot në Bruksel, 28 ministrat e Jashtëm do të shqyrtojnë problematikën e kthimit të evropianëve të radikalizuar të cilët kanë shkuar për të luftuar në Irak dhe në Siri.
Asnjë vendim nuk do të merret në takim, por një varg opsionesh do të diskutohen për t’u përgatitur për samitin e liderëve të posaçëm kundër terrorizmit, që do të mbahet më 12 shkurt. Evropa duket se është vendosur në gatishmëri të lartë pas një komploti terrorist të dështuar në Belgjikë, dhe një sulmi vdekjeprurës në Paris, në të cilin disa persona të armatosur vranë 17 njerëz.
Bisedimet në Bruksel janë duke u fokusuar edhe në marrëdhëniet e BE-së me Rusinë. Ministrat do të përpiqen për të zgjidhur ndarjen e thellë që ekziston mes qeverive të BE-së, dhe do të shqyrtojnë veprimet e Rusisë në Ukrainë. Zyrtarët amerikanë kanë konfirmuar se Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry. do të marrë pjesë në bisedimet në Londër për grupin terrorist Shtetin Islam (IS).
Takimi i anëtarëve të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër IS, do të zhvillohet të enjten dhe do të fokusohet në "përpjekjet e përbashkëta për të degraduar dhe për të mundur”, grupin militant.