Teuta do të kërkojë fitoren ndaj Kairat Almati. Presidenti Edmond Hasanbelliu do të akordojë një shifër prej 20 mijë eurosh në rast triumfi, ndërsa kjo shumë mund të rritet nëse skuadra kualifikohet në turin e dytë. "Kairati ka një skuadër me lojtarë me shumë eksperiencë dhe të vjetër në moshë, por s'ka freskinë fizike të futbollistëve tanë. Shpresoj që djemtë do të luajnë me zemër dhe do të arrijnë fitoren. Dy vite më parë Kukësi barazoi në Tiranë dhe humbi në Kazakistan.
Ne do të mundohemi ta fitojmë ndeshjen e parë, për të shpresuar kualifikimin. I kam premtuar ekipit 20 mijë premio, por mund ta shtoj shifrën duke e bërë 50 po u kualifikuam. Janë këta lojtarë që na çuan deri këtu", ka thënë dje Hasanbelliu për "Panorama Sport".
Trajneri
Julian Ahmataj mendon se Teuta ka shanse të mira për të marrë një rezultat favorizues në ndeshjen e parë kundër Kairat Almati. Trajneri elbasanas, që bën sot debutimin në krye të pankinës durrsake, foli me optimizëm për "Panorama Sport" në prag të takimit ndaj ekipit kazak.
"Djemtë kanë më shumë se një muaj që stërviten dhe pres që të japin maksimumin në këtë ndeshje. Kundërshtarin e kam ndjekur në ndeshjen e fundit në kampionat kundër Astanës. Si çdo ekip edhe Kairati ka defektet e veta, por edhe cilësi e avantazhe ndaj kundërshtarëve. Lojtarët e tyre janë me eksperiencë, por djemtë e Teutës, edhe pse të rinj në moshë, kanë 2-3 vite që luajnë së bashku dhe nuk janë më rinj nga formimi futbollistik. Kemi grupin që kemi pasur vitin që shkoi, me disa ndryshime të vogla, por bërthama e ekipit është po i njëjti.
Janë po këta lojtarë që bën të mundur arritjen në Ligën e Europës dhe po nga këta djem pres që të luajnë me përgjegjshmëri, besim dhe dëshirë për të fituar. Duhet të luajmë shanset tona, pa presion", ka deklaruar fillimisht Ahmataj. Ndërsa sa i përket faktit që në ndeshjen e kthimit skuadrës i duhet të udhëtojë gjatë, ai u shpreh:
"Është e vërtetë që na ra një ekip që edhe gjeografikisht është larg, por ky është një faktor që mund të ndikojë për të dyja skuadrat. Uroj që në stadiumin tonë të fitojmë dhe të kemi mbështetjen e tifozërisë. Faktorin fushë duhet ta shfrytëzojmë, në mënyrë që në ndeshjen e kthimit të kemi një mundësi më shumë".
JETON REXHMATI