Edhe tri ditë pushim u kanë mbetur futbollistëve të Teutës, të cilët më pas do të grumbullohen për të rifilluar përgatitjet, por këtë herë për kampionatin. Te skuadra durrsake nuk ka pasur lëvizje, por gjithsesi drejtuesit pritet të jenë mjaft aktivë në merkato duke filluar nga kjo javë.
Është vetë presidenti Edmond Hasanbelliu, i cili konfirmon për "Panorama Sport" se grupi do të kompletohet pas 21 korrikut. Në një bisedë për gazetën, ai sqaron se deri më tani largime nga skuadra mund të quhen vetëm emra si Sllavko Lukiç, Xhonatan Bernardo Mariano, Jildemar Dias dhe Florian Kadriu. "Skuadra është lënë pushim dhe nuk kemi bërë asnjë ndërhyrje. Pas grumbullimit do të shikojmë për përforcime.
Pra, pas datës 21 korrik do të kemi dhe lëvizje", ka thënë fillimisht numri një i klubit të durrsakëve. Presidenti, i pyetur për të ardhmen e portierit Shpëtim Moçka dhe mesfushorit Nijaz Lena, dha këtë përgjigje: "Nuk po negociojmë, po presim grumbullimin e skuadrës dhe më pas do të flasim për të ardhmen e këtyre lojtarëve, por edhe të tjerëve". Në këtë mënyrë, presidenti i Teutës lë çdo gjë të hapur rreth afrimeve apo dhe largimit të ndonjë lojtari.
Deri më tani janë zyrtarizuar dy afrime: Jasmin Raboshta dhe Shpat Ismajli. Ky i fundit është një mesfushor i talentuar, i cili prej disa muajsh po stërvitet nën urdhrat e Julian Ahmatajt, madje ai është aktivizuar edhe në miqësoret e luajtura në Austri, duke bërë paraqitje të mira. Ismajli ka dhënë sinjale të mira, duke bindur kështu stafin teknik dhe, sipas të gjitha gjasave, ai do të ketë hapësirat e nevojshme në ekip për sezonin që starton në shtator.
Mesfushori shihet si një investim me vlera për të ardhmen. Gjatë viteve të fundit, Teuta ka treguar se afron lojtarë të rinj me dëshirën për t'i afirmuar në kampionatin shqiptar. Tashmë ecuria e ekipit varet vetëm nga futbollistët që do të afrohen, pasi grupin e ka, edhe pse duhen disa ndërhyrje për të përforcuar dhe për të pasur alternativa. Kjo është përgjegjësia direkte e trajnerit Ahmataj, i cili do të kalojë në "filtrin" e tij çdo lojtar që mund të provohet apo afrohet.
Jeton Rexhmati