Na pëlqen ose jo, të gjithë jemi pak thashethemexhinj. Të tillë janë edhe ata persona që përpiqen të mos përfshihen nga rrethi i përgojuesve (miqtë, puna, marrëdhëniet familjare…). Origjina e thashethemeve është e largët, por sot më shumë se kurrë përdoren nga të gjithë, duke u shndërruar madje në një armë politike: nga izolimi i Bill Klintonit, te takimet e zjarrta të Shtraus-Kahnit (që nga thashetheme u kthyen në një mjet për ta asgjësuar politikisht), e deri te rasti “Wikileaks”. Më 28 nëntor të vitit 2010, themeluesi Julian Asanzh shpërndau përmes 5 gazetave ndërkombëtare 251.287 dokumente plot informacione të rezervuara, duke ua dërguar 274 ambasadave të Departamentit të Shtetit Amerikan. Gjithçka lindi si veprim i transparencës globale, për të treguar prapaskenat politike për luftërat në Irak dhe Afganistan, por ai që përhapi lajmin në internet ishte “thashethemi diplomatik”, ose gjykimet thumbuese që ambasadorët dhe krerët e shtetit kishin shkëmbyer në konfidencë për “të mëdhenjtë”. Sërish protagonist i këtij skandali planetar ishin thashethemet, që përveç përhapjes në rrjet, i treguan botës të gjithë fuqinë e vet.
Asnjë qenie njerëzore nuk mund t’u rezistojë informacioneve private mbi personat e tjerë. Sipas antropologut Robin Dunbar, nga Universiteti i Oksfordit, thashethemi është një mekanizëm që shërben për të krijuar lidhje shoqërore. Këtë karakteristikë e kemi trashëguar nga paraardhësit tanë. Teksa bisedonin mes tyre, të parët tanë mësonin të ndanin miqtë nga armiqtë, duke e bërë grupin gjithnjë e më të sigurt dhe kompakt. Kur fisi u zgjerua, nuk ishte më problem që të gjithë përgojonin njëri-tjetrin. Njerëzit filluan të flisnin për personat që ishin shumë larg rrethit të ngushtë: të këqijtë nuk identifikoheshin në mënyrë direkte, por nga fjalët që qarkullonin në komunitet. Sipas Dunbar, edhe gjuha vetë lindi që t’u jepte zë muhabeteve. Te fiset e paraardhësve tanë, thashethemet ishin të lidhura në mënyrë indirekte me inteligjencën shoqërore: personat që shfaqnin më shumë kureshtje për jetën e të tjerëve, ishin më të aftë të ndikonin në sjelljet e grupit. Përzgjedhja natyrore ka favorizuar më shumë individët intrigantë, aq sa sot është e vështirë të gjesh dikë që nuk ka interes të dëgjojë një histori pikante apo shumën e të ardhurave të një të afërmi.
Në fakt thashethemet kanë edhe efekte pozitive. Ndarja e thashethemeve me të tjerët për shembull, tregon se ke besim te tjetri dhe në këtë mënyrë konsolidohen edhe lidhjet shoqërore. Nuk është gjë e mirë të përjashtohesh nga rrethi i të besuarve. Kjo do të thotë se nuk jeni pranuar nga grupi. Të pranosh reputacionin e dikujt që qëndron më lart se ju i bën mirë edhe shëndetit. Sipas një studimi të Universitetit të Kalifornisë, në SHBA, të informosh miqtë dhe të afërmit për pandershmëritë e të tjerëve shkarkon stresin e grumbulluar gjatë ditës. Një gjë e tillë ka efekt qetësues dhe do ta bënte më pak të dhimbshëm faktin që po bëni “një mëkat”.
Sot industria e thashethemeve fiton mbi 3 miliardë dollarë, duke zbuluar lloj-lloj të fshehtash për jetën e njerëzve të famshëm. Ju do të pyesni se ç’lidhje ka jeta e Belenës dhe Madonës me drejtësinë shoqërore? “Në një farë mënyre ka lidhje. Te thashethemi peshon shumë përmbysja e pjesshme ose totale e roleve dhe rivendosja e përkohshme e ekuilibrit të pushtetit”, thotë një studiuese që merret me studimin e fenomenit. Kush ndihet i zhgënjyer nga fati, një herë mund të lëndojë atë që ka shumë fat, ose t’i zbulojë atij sekretet e turpshme për të kompensuar. Nëse dikur në shënjestër ishin të fortët, sot objekt i thashethemeve janë edhe divat e spektaklit dhe personazhet publike, sepse në njëfarë mënyre njohja me këto subjekte, e përcjellë nga mediat, i krahason me të “fortët”.
Por ka edhe nga ata që janë të gatshëm të bëjnë skupe vetëm për t’u bërë të famshëm, për t’u shfaqur në televizor e gazetë. Arsyeja është se kanë zbuluar rëndësinë e personifikimit dhe spektaklit të politikës. Prandaj i shohim kaq shpesh nëpër spektakle dhe “talk show” televizivë. Në terma popullariteti janë shumë më efikasë, por mbi të gjitha i japin një pamje “njerëzore” personazheve politike.