Lista e shkurtër prej 6 titujsh shpallet ditën e enjte më 11 prill dhe fituesi, i cili i paraprin kësaj liste, do të nderohet në Royal Institute of British Architects, në Londër, në muajin maj 2013. Midis emrave të shquar të letërsisë botërore është në këtë listë fituesi i çmimit të parë inaugural Man Booker International 2005, shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare me librin “Darka e gabuar” (Onufri, 2009) përkthyer nga origjinali prej përkthyesit të talentuar John Hodgson.
Ky libër ka pasur shumë vlerësime në shtypin britanik për Kadarenë, por edhe për cilësinë e përkthimit nga shqipja. Eshtë hera e dytë që Kadare nominohet për këtë çmim. Herën e parë kryesoi listën The Independent 2007 pothuaj deri në fund, me librin e suksesshëm “Pasardhësi”, përkthyer në anglisht nga përkthyesi tjetër i Kadaresë, profesori i Princeton University, David Bellos. Po ashtu bie në sy në këtë listë edhe nobelisti Orhan Pamuk me veprën “Silent House”. Juria përbëhet nga 5 personalitete të shquar të botës letrare, kryesuar nga Editori Letrar i gazetës “The Independent”, Boyd Tonkin. Në juri është gjithashtu edhe Gabriel Josipoviç, Shkrimtarja dhe gazetarja e shquar turke Elif Shafak. “The Independent Foreign Prize” nderon veprën letrare më të mirë të një autori i cili jeton dhe është përkthyer në anglisht nga cilado gjuhë e botës dhe botuar në Britaninë e Madhe.
Çmimi ka një vlerë prej £10,000 e cila ndahet në mënyrë të barabartë midis autorit dhe përkthyesit. Në vitin 1995 ky çmim shkoi te një familje, kur përkthimi prej gjermanishtes i Michael Hoffmann për librin “The Film Explainer”, shkruar nga babai i tij, Gert Hoffmann u shpall fitues. I vetmi fitues jo europian i këtij çmimi është Bao Ninh, me librin gjysmë-autobiografik, “Gjatë dhe pas luftës në Vietnam”. Dy fitues të këtij çmimi më pas u bënë laureatë të Nobel-it: në vitin 1993 José Saramago dhe fituesi inaugural Orhan Pamuk më 1990.