“Jo keq, duke pasur parasysh që 15 vjet më parë, ishte e vështirë ta imagjinoje Shqipërinë si një vend me të ardhme. Që prej vitit 1997 kur Shqipëria kontrollohej nga gangsterët e armatosur vendi ka ndryshuar shumë". Që atëherë, shumë gjera kanë ndryshuar. Vizitoni kryeqytetin, dhe ju çuditërisht, do të hasni një qytet i bukur. Për më tepër, Tirana është e lidhur me bregdetin, nga një autostradë efikase, ku gjithë lëvizin shumë shpejtë- thuhet në shkrim.
Gazetari Middleton shpjegon se në Shqipëri një apartament me pamje nga deti mund të blihet për 30 mijë paund, ndërsa një gotë birrë kushton përgjithësisht 1 paund dhe një shishe verë në restorant vetëm 4 paund.
Megjithatë, thuhet më tej, atje ka ende një nivel të lartë korrupsioni. 48% e firmave raportojnë se japin ryshfet. “Mund të ketë probleme rreth pronësisë së tokës, ku mund të lindin ende mosmarrëveshje. Por kryeministri i vendit, Berisha është i përgatitur për të ofruar garanci.”- thuhet në shkrim.
Në artikull thuhet se Shqipëria është ende një vend i paprovuar, por kjo nuk e ka penguar Chris Esdale-Pearson, 65 vjeç, një pilot në pension nga Harëich, të blejë një apartament në Gjirin ne Lalzit dhe ka ndërmend të investojë në Shqipëri.
Shqipëria ka shumë potencial të pazhvilluar, thotë Kate Stinchcombe-Gillies, e faqes, Holidaylettings.co.uk. Ajo shton se, çmimet e apartamenteve të pushimeve shkojnë nga 285 paund deri në 490 në javë. “Ka plazhe të bukura, jetë nate si dhe trashëgimi kulturore e mbrojtur nga UNESCO.”- shton ajo.
“Është e qartë, ditët e Shqipërisë së pazbuluar janë të numëruara. Për investitorët, tani mund të jetë koha e duhur për të qëlluar”, - shkruan Middleton.
Në shkrim jepen edhe disa këshilla për investitorët britanikë, se çfarë duhet të dinë para se të marrin hapin për të investuar në vendin tonë.
-Kush është pronari i tokës? Sigurohuni që personi që po ju shet tokën është pronari i vërtetë i saj.
-Kujdes nga titujt e falsifikuar. Duhet të punësoni një avokat të pavarur, i cili e njeh mirë legjislacionin shqiptar për pronën. Rreth 15% e pronave nuk janë të legalizuara nga shteti.
-Sa katëshe është shtëpia juaj? Ndërtesat e reja me më shumë se katër kate janë të paligjshme në shumë vende të Shqipërisë rurale dhe bregdetare.