Themeluesi i Wikileaks Kenaqem kur ua shtyp koken bastardeve

Themeluesi i Wikileaks: 'Kenaqem kur ua shtyp koken bastardeve'
Në një intervistë të dhënë menjëherë pas publikimit të 92 mijë dosjeve të fshehta të luftës në Afganistan, krijuesi i sajtit “Wikileaks”, Julian Asange, 39 vjeç, rrëfen për balancën e vështirë mes interesit publik dhe nevojës për sekretin e shtetit dhe përse ai është i mendimit se njerëzit që gjenerojnë luftë janë shumë herë më të rrezikshëm se ai që nxjerr sekretet e luftës

Cili është motivi kryesor që ju bëri të publikonit gjithë ato dokumente sekrete për luftën në Afganistan?

Këto dokumente janë përshkrimi më gjithëpërfshirës për luftën i bërë ndonjëherë, e cila nuk ka përfunduar. Me fjalë të tjera, ata kanë ende shansin që t’i ndreqin gjërat. Janë dokumente që mbulojnë mbi 90 mijë incidente të ndryshme dhe në to jepen edhe vendndodhjet e sakta gjeografike të tyre. Është një informacion që vjen i gjithi i përmbledhur dhe që eklipson gjithë sa është thënë deri më tani për Afganistanin dhe luftën që po zgjat në këtë vend që prej nëntë vitesh. Janë dokumente që do të ndryshojnë këndvështrimin tonë për këtë luftë, jo vetëm në aspektin e luftës, por në tërësi për sa i përket të gjitha luftërave të kohëve moderne, në të cilat po jetojmë.

A mendoni se publikimi i këtyre materialeve do të ketë ndikim në politikëbërjen dhe marrjen e vendimeve për sa i përket luftës?

Po. Ky material hedh dritë mbi brutalitetin e përditshëm dhe ndyrësitë e luftës. Ky arkiv do të ndryshojë edhe qëndrimin e opinionit publik dhe opinionin e atyre që janë në qeverisje dhe kanë ndikim diplomatik.

A mos vallë prisni më shumë nga ç’duhet?

Në fakt, ekziston një frymë për t’i dhënë fund luftës në Afganistan. Ky informacion nuk është i vetmi që do të ketë ndikim për sa i përket përfundimit të luftës dhe sigurisht që nuk mund ta ndryshojë situatën i vetëm, por me siguri që do të ndikojë në ndryshimin e gjërave në një mënyrë të ndjeshme.

Materialet përmbajnë sekrete ushtarake dhe emra të burimeve. Mendoni se publikimi i tyre do të vërë në rrezik jetë njerëzish, atë të trupave ndërkombëtare që ndodhen në terren dhe kryejnë ende misionin e tyre?

Dosjet e Kabulit nuk përmbajnë informacione për lëvizjen aktuale të trupave në terren. Burimi nga i cili i morëm, kreu një kontroll paraprak dhe më pas edhe ne, para se t’i publikonim materialet, jemi siguruar që ato nuk shkaktojnë asnjë dëm apo ndikim negativ. Ne e kuptojmë rëndësinë e mbrojtjes së burimeve konfidenciale dhe e kuptojmë edhe rëndësinë e mbrojtjes së burimeve të trupave amerikane dhe atyre të koalicionit.

Çfarë keni bërë specifikisht për të minimizuar një dëm të mundshëm?

Kemi identifikuar rastet kur një material, nëse publikohej, mund të dëmtonte persona, apo veprime të caktuara në terren. Të gjitha dokumentet janë parë një për një me këtë sy dhe gjithçka është e regjistruar dhe dokumentuar.

A ka në këto dokumente ndonjë fakt që ju e konsideroni si sekret shtetëror?

Sekreti shtetëror mbështetet mbi një ligjshmëri të caktuar dhe mbi të njëjtën ligjshmëri duhet të mbështetet edhe e drejta e informimit të publikut dhe transparenca e fakteve. Për fat të keq, ata që kryejnë abuzime ndaj njerëzimit ose shkelin ligjin e gjejnë shumë lehtë legjitimitetin për të fshehur krimet e tyre përmes fasadës së “sekretit të shtetit”. Njerëzit që i përkasin së mirës dhe që kanë një ndërgjegje, i kanë demaskuar gjithmonë abuzimet edhe duke vënë në rrezik gjëra personale. Nuk është sajti im, pra “Wikileaks”, që vendosi rrëfimin e së vërtetës të hidhur të luftës, por është një disident, apo kundërshtar që pati kurajën ta bëjë një gjë të tillë. Puna jonë ishte që ky individ të mbrohej dhe të mbrohet për guximin që pati dhe ndërkohë publiku të informohet dhe historia të mos shtrembërohet.

Por në fund është gjithmonë dikush që merr vendimin përfundimtar për publikimin apo jo të një materiali. Kush vendos për këto kritere. “Wikileaks” e konsideron veten një mjet të së vërtetës dhe lirisë së informimit, por nga ana tjetër, nuk është transparente në lidhje me vendimet e saj për sa i përket publikimit...

Kjo është qesharake. Ne jemi mjaftueshëm të qartë për atë që duhet të publikojmë dhe për atë që nuk duhet. Ne i botojmë artikujt tanë ashtu siç na vijnë nga burimi. Ku keni dëgjuar për transparenca të plota edhe në organe dhe organizata të tjera mediatike? Mendoj se ne jemi shumë përpara mediave të tjera dhe të tjerët duhet të marrin shembull.

Çështja ka të bëjë se është shumë e vështirë që t’i kërkosh llogari “Wikileaks”, apo ta bësh përgjegjëse. Ju operoni me një sistem serverësh që ndodhen në shumë vende të botës që ju ofrojnë mbrojtje. A mos vallë e konsideroni veten që qëndroni mbi ligjin?

“Wikileaks” nuk ekziston në hapësirë. Ne jemi të gjithë njerëz që gjendemi në tokë, në vende të caktuara, që kanë ligje të caktuara. Jemi sfiduar ligjërisht në shumë vende dhe kemi dalë fitimtarë ndaj çdo sfide. Janë gjykatat ato që vendosin për ligjin, jo korporatat apo gjeneralët. Ligji, siç shprehet nga Kushtetuta dhe gjykatat, ka qenë gjithmonë në anën tonë.

Ju keni thënë se ka një lidhje mes transparencës për të cilën ju luftoni dhe një shoqërie të drejtë. Çfarë nënkuptoni më qartësisht me këtë?

Reforma ndodh vetëm kur padrejtësitë pasqyrohen dhe bëhen publike. Për të kundërshtuar një plan të padrejtë, para se ai të zbatohet, kjo është një nga masat më efikase për t’i shërbyer drejtësisë.

Gjatë luftës së Vietnamit, Presidenti amerikan, Nikson e quajti një herë Daniel Ellsberg, personin që nxori dokumentet komprometuese nga Pengatoni, si njeriun më të rrezikshëm në Shtetet e Bashkuara. Ju sot jeni më i rrezikshmi, apo më i rrezikuari njeri në planet?

Njerëzit më të rrezikshëm janë ata që marrin vendimin për hapjen e luftërave dhe ata duhen ndaluar. Nëse puna që bëj për t’i ndaluar më bën të rrezikshëm në sytë e tyre, atëherë ky është problemi i tyre.

Ju keni nisur një kompani në “Silicon Valley” dhe keni jetuar në një shtëpi në Palo Alto me pishinë. Përse vendosët që t’i përkushtoheshit projektit të “Wikileaks”?

Të gjithëve ne na jepet veç një jetë, ndaj kemi për detyrë që ta përdorim çdo sekond të saj me diçka tw dobishme dhe të kënaqshme. Puna me të cilën merrem është e dobishme dhe më jep këna    qësi. Ky është temperamenti im. Më pëlqen të krijoj sisteme të mëdha dhe të ndihmoj njerëzit e pambrojtur. Më pëqen tua shtyp kokën bastardëve.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama