Shfleton albumin, këtë pasuri të madhe trashëgimore, fotot e objektet e rralla, dhe admiron punën e saktë shkencore që ka bërë një pasionant dhe patriot si Viktor Gashi. Gjithë këtë trashëgimi thesaresh, kur e shikon dhe e vlerëson, të duket vetja sikur je në një muze me pesë stenda, që rrezaton kulturë e mjeshtëri artistike, të frymëzon e të bën krenar.
Njihesh me objektet e stendës së parë, të afishuara, stoli argjendi si vëthë, unaza, pafte, qostekë, byzylyqe, qafore gjerdanë, kopsa, stoli koke, ballore fokza dhe nga brenda shpirtit të del vetiu thirrja: ç’bukuri!
Kalon para stendës së dytë mbushur me lloje të ndryshme armësh të vjetra, si dekor i qëndisur me ar e me ornomente popullore, sikur t’i ketë bërë një dorë magjike e agimeve të luftrave legjendare, si pushkë të gjata me çark, jataganë me këllefe, pisqollat dhe koburet për brez plot dekor, të bëhet sikur dëgjon krismat e betejave që gjëmuan në mbrojtje të nderit dhe lirisë së shqiptarit, apo thika të mprehta, brisqe e biçakë të ndryshëm, dhe thua me zë të lartë: ç’histori!
Të mbetet vështrimi tek stenda e tretë e imagjinuar, me veshjet e bukura popullore, jelekë, mintanë, përparëse, çorape, shoka, dallama, dantella, tufa, thekë, shirita e sidomos fustanet dhe këmishat e qëndisura me ar e të duket se ndodhesh në një dasëm shqiptare, ku martohen çifte e përtërijnë jetën e nuk mund të rrish pa klithur: ç’mrekulli!
Vështron stendën e katërt ku janë afishuar objekte të vyera shtëpiake, si enë bakri, enë argjendi, kandila, arka të ndryshme, mangalla, kanaçe. I prek me mëndje enët prej argjendi dhe bronxi dhe bindesh për bujarinë e shqiptarit tek shtron sofrën e prêt e përcjell me dashuri mikun dhe shpërthen: Breh ç’trashëgimi!
Vetiu të ka magjepsur stenda e fundit me objektet e kultit si kryqe me dimensione të ndryshme, ikona mahnitëse, qiraka, shandanë, dhe thua se populli ynë patriot e fetar, e do zotin ashtu siç do fëmijën e truallin e tij. Sodit pipat prej argjendi e fildishi, hajmalitë e veshjet fetare dhe thua: zoti ka qenë me ne!
Viktor Gashi nuk është vetëm një koleksionist i apasionuar, por edhe një njeri me kulturë, një burrë me dinjitet dhe i vullnetshëm në punën e tij. Fisniku i poetëve të Pejës. Rrallë intelektualë gjen që të bëjnë një punë të tillë, të këtë vlerësim për trashëgiminë kulturore e artistike, të gërmojë në çdo grimcë të së kaluarës për të nxjerrë thesare kombi. Aq më tepër në mënyrë vullnetare, në këtë kohë që e sundon kamercializmi.
Por Viktor Gash i ka kapërcyer të gjitha këto. Ai ka lënë mënjanë rehatinë dhe lodhjen, kamercializmin dhe mikroborgjrzitë e vogla. I ka bërë thirrje vullnetit rinor dhe u ka dhuruar të gjithëve një album me vlera kolosale, një dëshmi të gjallë trashëgimie. Puna e Viktor Gashit është një vlerësim dhe respekt për botën e pasur shpirtërore dhe larminë e madhe krijuese të një populli punëtor, që ka ditur të bëjë dasmën e t’i falet zotit, ta mbajë kokën lart për historinë e tij e të presë me dinjitet vdekjen. Viktor Gashi, ky 84 vjeçar, pinjoll i denjë i një familje intelektualësh, krenare për traditat e me emër të mirë. Gjyshi i tij zotëronte 5 gjuhë të huaja, dhe kjo kulturë është përcjellë me passion e dashuri, dhe ka çelur sythë tek Viktori në veçanti, që e ka ushtruar këtë zeje të trashëguar, që ka koleksionionuar e ruajtur me fanatizëm një pasuri të tillë thesaresh.
Viktor Gashi është bujar dhe shpirtmadh. Në vitin 2000 i fali Muzeut Etnografik në Pejë 300 objekte me vlera të pallogaritshme, që rrallë persona mund ta bëjnë një veprim të tillë. Ai nuk pranoi të lidhë kontratë me Muzeun e Jugosllavisë së atëhershme, për t’i shitur nga muzeu personal një pjesë të koleksionit të tij kundrejt një shpërblimi të majmë, por ia dhuroi atë Muzeut të Kosovës. Dhe kjo është ndërgjegje kombëtare siç e thotë edhe vetë:
“Duke qenë i vetëdijshëm se sikur ky koleksion të kishte shkuar në Beograd,ato punë nuk do të paraqiteshin më si punime shqiptare, por do ti mvesheshin kulturës serbë, ndaj një kontratë të tillë nuk e pranova.” Kjo tregon edhe një herë për ndjenjën e madhe atdhetare që karakterizon këtë njeri, një shuplakë ndaj propogandës serbe për autoktoninë e trojeve shqiptare,duke dëshmuar me argument se serbët janë të ardhur vonë në këto troje dhe se kultura e tyre nuk është autoktone siç pretendojnë.
Albumi etnografik ka vlera të veçanta edhe sepse sintetizon gërmime që shtrihen në hapësirë kohore që para shekullit të III, para erës sonë dhe nga të gjitha trojet shqiptare sidomos të Shqipërisë së Veriut, të Kosovës dhe Maqedonisë. Kjo shtrirje në kohë dhe hapsirë, si dhe vlerat e veçanta që ruan çdo objekt i këtij koleksioni, jo vetëm janë pasaportë vlerash të kombit tonë në shekuj, por tregojnë edhe për faktin se trungu i familjes Gashi ka pjesën e tij me trashëgiminë dhe bëhet pjesëtare me dinjitet në këtë pjesë vitale të historisë së popullit tonë.
Mbyll faqen e fundit të Albumit, dhe bindesh se ke të bësh me një njeri pasionant dhe një familje bujare, të kulturuar, dhe aristokrate, që di të vlerësojë se ç’është arti e puna, trashëgimia dhe historia, që mbajnë dhe ushqejnë rrënjët e një kombi. Dhe për këtë fakt Viktor Gashi do të meritojë jo vetëm mirënjohjen e brezit që jeton, por edhe të brezave që do të vijnë.