Thesari i Ali Pashes Te vendose gjykata nderkombetare

Thesari i Ali Pashes: Te vendose gjykata nderkombetare
Thesari, Godo: I takon Bashkisë së Tepelenës. “Shpërblim për atë që e gjen, por jo të marrë pronësinë”. Historiani shqiptar Sabri Godo kërkon ndërhyrjen e një gjykate ndërkombëtare, e cila të mund të vendosë për pronësinë e thesarit të Ali Pashë Tepelenës. Godo hedh idenë e shpërblimit për atë që e gjen thesarin, por shprehet i sigurt se pronësia i takon Bashkisë së Tepelenës, pasi Ali Pasha nuk la asnjë trashëgimtar. Të dhënat historike tregojnë se thesari i Ali Pashë Tepelenës ekziston. Por nëse ai gjendet, pronësinë e tij duhet ta përcaktojë një gjykatë ndërkombëtare.

Historiani Sabri Godo, autor i librit për këtë figurë, komenton në këtë mënyrë kërkimet greke për thesarin përrallor, i cili mendohet se shkon në 30 tonë ar e bizhuteri. “Duhet të ecësh sipas mendjes së Aliut për atë. Po të ecësh, sipas meje, vendi më i sigurt, që i qëndroi deri në fund ishte Tepelena. Kjo duhet t’i nënshtrohet, të supozojmë nëse gjendet një thesar, duhet një gjykatë ndërkombëtare. Aliu ishte shqiptar dhe në rast se nuk ka trashëgimtar të drejtpërdrejtë të tij, atëherë ato duhet t’i takojnë Bashkisë së Tepelenës”, - tha Godo.

Kërkimet për thesarin e pashait shqiptar kanë nisur në fshatin e vogël Vasiliki, 350 km në veri të Athinës dhe janë mbështetur edhe nga autoritetet vendase. Sipas kryetarit të bashkisë Vaios Ziakas, kryesuesi i ekspeditës kërkimore ka në dorë një dokument historik për vendndodhjen e thesarit. Por cili është mendimi i historianit Godo? “Ai që gjen një thesar, ai gëzon sipas ligjeve një të drejtë të tij. Kërkon një shpërblim, por s’mund të bëhet pronë e tij, e njeriut që gjeti rastësisht ose duke kërkuar një thesar”, - tha Godo.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama