Në zhargonet e shqiptarëve, po t’i shkosh pas shpotisë, nuk do dukej bukur të thoshe se filani e fustani e kanë kthyer shtëpinë në han. E megjithatë, nuk janë të pakët malësorët e veriut që e kanë bërë këtë. Ata përditë presin e përcjellin vizitorë të huaj e vendas, duke i hapur dyert e shtëpisë, duke u shtruar odat, duke iu treguar rrëfenjat, zakonet e traditat e zonës, duke u shtruar tryezën me gjithë begatitë që sjell vendi e gatuar nga duart e grave të tyre amvisa të përsosura
Nuk është e re në fakt, e megjithatë, vlen të theksohet fakti që ndryshe nga pak vite më parë, turizmi malor në Shqipëri, ka filluar të ndjellë tashmë dëshirat e gjithnjë e më shumë shqiptarëve, dhe jo vetëm të të huajve. Këta të fundit, çoç mësuan t’ia dinin kimetin natyrës së alpeve tona dhe jo vetëm asaj. Sepse përveç asaj që fakte freskia e maleve, pyjeve e ujërave në këto vise, për tu mbajtur mend ishte për ta edhe pritja që vendasit u bënin. Shumë shpejt, shumë prejt tyre mësuan që mikpritjen dhe bujarinë ta ndërthurnin më të bërit të një biznesi të mirëfilltë, duke i kthyer shtëpitë dhe odat e tyre të gurit në bujtina të vogla e hane me të gjitha takëmet që kërkon ky lloj turizmi. Kësaj pune, shumë shpejt i ranë në të edhe vetë shqiptarët, të rinj e jo vetëm. Deri dje të etur e mbanin gjithnjë frymën plazheve të jugut të vendit, sot zgjedhin në jo pak raste t’i kalojnë ditët e nxehta të verës veriun ende të ri në tregun e turizmit vendas.
Në një kohë kur të gjithë rendin drejt plazheve brenda apo jashtë vendit, ka shumë të tjerë që sfidojnë detin, e temperaturat e larta, për të shijuar një copëz natyrë mirëfilli shqiptare. Sepse në pikat më të larta malore të vendit, në Korab, Theth, Valbonë apo Lurë, bashkë me freskinë e zonave përreth, mund të kënaqësh edhe stomakun me ushqime tradicionale, të gjitha bio dhe prodhime shtëpie. Por si është për banorët e zonës të investojnë odat, kuzhinat, ditët, doket e zakonet me vizitorët e gjithfarëllojshëm. Si ndërthuret mikpritja me biznesin. Një rol të rëndësishëm në gjithë këtë luajnë padiskutim amvisat, të zonjat e këtyre shtëpive të gurta të kthyera në hane për vizitorët e shumtë. Vlora Polia e zonja e hanit ‘Mikpritja e Pavlin Polisë’ në Theth dhe Leze Gjoni, 45 vjeçarja e hanit të Kol Gjonit në Valbonë rrëfejnë.
Zonjat e haneve, amvisat e mira të veriut
Në një ambient si ai, ku mentaliteti, jo rrallë, i ka ndrydhur në përditshmërinë e tyre, pse jo edhe në dëshira, ato kanë zgjedhur të thyejnë ato që deri dje mund të konsideroheshin tabu. Prej vitesh tashmë, Vlora dhe Lezja jo vetëm që nuk kanë zgjedhur të bëjnë kompromis me fanatizmin dhe zakonet kanunore, por, sikundër edhe shumë të tjera në zonat veriore përreth, duke ndryshuar kursin e jetës, janë bërë shembull edhe për shumë të ngjashme me to. Të vet punësuara, në hanet ku ato jetojnë me familjet e tyre, mikpritëset e këtyre bujtinave turistike, presin e përcjellin klientë shqiptar e të huaj, meshkuj e femra, e duke dal përtej paragjykimit, ato gjenden pranë tyre në kërkesat e rastit, duke biseduar me buzëqeshje, duke u gatuar receta të shijshme dhe ato tradicionale të zonës, duke u kujdesur për rehatinë e komoditetin e gjithsecilit. Vlora Polia dhe Leze Gjoni, këto dy zonja, nëna, amvisa dhe mikërpitëse, arrijnë, jo pa u lodhur, të menaxhojnë gjithçka brenda mureve të gurta të odave të tyre, duke përtërirë çdo ditë e më shumë biznesin e familjes. Në këtë pikë s’ka vend për fanatizma. Ato prej kohësh janë mësuar t’iu qëndrojnë në krah bashkëshortëve të tyre në drejtimin e punëve. Ndërsa, bashkëshortët e tyre dalin në pazar për të bërë blerjet e nevojshme, e për të shoqëruar më pas nëpër zonat turistike klientët e rastit, të zonjat e haneve janë ato që merren me gjithë përgatitjet e tjera brenda haneve.
Vlora Polia, vizitorja që mbeti nuse në Theth
“Nuk ishte e vështirë, përkundrazi. Katër vjet më parë unë isha vet një prej këtyre vizitorëve të shumtë në veriun e Shqipërisë. Në fakt isha në kërkim vetëm të natyrës së veriut, bukurive të saj, freskisë së pyjeve dhe një vakti të shijshëm të gatuar mirë e pa shumë salltanete. Por gjeta më shumë se kaq, gjeta edhe dashurinë bashkë me të gjitha këto”, tregon duke qeshur Vlora Polia, 34 vjeçarja nga Istogu i Kosovës, ndërsa kuptohet fort mirë se përrallën e saj të dashurisë me Pavlin Polian, djaloshin nga veriu i Shqipërisë ajo nuk kursehet ta tregojë me kënaqësi gjithmonë. Shumë shpejt do të vinin në jetë edhe dy fëmijët e tyre dhe, natyrisht, që pas martesës gjithçka në jetën e Vlorës, nuk i përshtatej më ritmit të dikurshëm, shkollës së mesme, punës si përkthyese e gjuhës frënge..Tanimë, ajo mendonte vetëm për detyrimet familjare, deri ditën kur së bashku me të shoqin vendosën që në shtëpinë ku jetonin të bënin disa investime modeste, për t’i dhënë pamjen e hanit. Detaje tradicionale, dhoma të ndara e funksionale, qilima, tryeza të rrumbullakëta të ulëta që takojnë tokën etj.
“Hani ynë është një nga më njohurit e zonës së Alpeve. Më pëlqen puna ime si mikpritëse e klientëve të hanit tonë, edhe pse ky është një biznes familjar. Nuk kemi një kod të veçantë pranimi, sepse të gjithë vizitorët, të huaj apo shqiptare qofshin miqësohen shpejt me ne, duke na u gjendur pranë edhe me blerjet në pazar, apo edhe në shtrimin e tryezës së ngrënies. Me pjesën dërrmuese të angazhimeve brenda shtëpisë merrem unë, ndërsa Pavlini i shoqëron nëpër guidat turistike, apo në blerjet e nevojshme që duhen bërë gjatë ditës. Sepse kërshëria e vizitorëve nuk qëndron vetëm në shijimin e mrekullive që natyra ka bërë me vendin, por edhe tek dëshira për të provuar ushqime të shijshme tradicionale, për t’u njohur me kulturën e zakonet vendase, e sidomos ky është një kuriozitet i pa mohuar i të huajve”, tregon e reja kosovare, e ardhur nuse në Theth. Asgjë e jashtëzakonshme mund të mendonte dikush, por në të njëjtën kohë edhe e tillë. A ndoshta sepse shijojnë kaq shumë vaktet aty, të gatuara me prodhime të zonës, thjesht e pastër, si vetë natyra. Bukë misri e bërë vet, djathë shtëpie, maza e zier, lakror me kunguj, turshi, mish me t’amel... të gjithë ata që kanë qenë në Theth, e dinë mirë se për çfarë e kemi fjalën.
Valbonë – në odën e një hani
Jo fort më larg, e njëjta natyrë, i njëjti stil i të bërit turizëm malor, mes ujërave të kristalta e pyjeve ndjellëse, po njësoj e kanë menduar edhe Kol Gjoni dhe e shoqja Lezja. Sigurisht, edhe për ata të dy, mbërritja kësaj dite iu desh të kalonte përtej fanatizmave, të përditshmes së rëndomtë dhe paragjykimeve për angazhimin e gruas në raport me të huajt. Por ama kjo nuk i pengoi t’ia dilnin mbanë dhe të sot të drejtojnë një prej haneve më të njohur në zonën e Valbonës, i njohur nga të gjithë si ai i “Kol Gjonit”. Kundrejt një pagese prej 20 euro për person, të gjithë kureshtarët, përveç bukurive natyrore të Valbonës, kanë mundësi të prekin nga afër një realitet tjetër, për nga mënyra si funksionon. “Prej shtatë vitesh, e kemi kthyer shtëpinë në han. Fillimisht, kishim të hapur zemrën e bashkë me derën e shtëpisë për të pritur vizitorë që rastësisht i zinte mbrëmja e nuk kishin ku të ngrysnin natën, e ne i prisnin me shumë kënaqësi kundrejt asnjë pagese. Kjo praktikë vazhdoi për disa vite, deri kur çuam nëpër mend idenë e krijimit të një hani. Tashmë, ndihem plotësisht një grua e dobishme për veten, e për familjen. Sepse përveç të ardhurave që nxjerrim, të menaxhuarit e hanit më bën të ndihem e vlefshme, dhe të kuptoj që kam aftësi për të bërë një punë të caktuar, ndryshe nga koha kur bëja vetëm rolin e shtëpiakes. Edhe im shoq e ka pranuar pa rezerva këtë detyrë, dhe më mbështet në çdo gjë që bëj’, cilëson Lezja.
Klubi i kampistëve
“Discover Albania”
Ky është grupi shqiptar, që mundëson turizmin e haneve të shpërndara gjeografikisht në gjithë vendin. Guida turistike nga më të ndryshmet, që përfshijnë zonat e Thethit, Valbonës, Dardhës, Lurës, Korabit, Gjipesë, Jalës, e shumë pikave të tjera kulmore në veri dhe jug të Shqipërisë, u mundësojnë turistëve vendas dhe atyre të huaj që të shijojnë mrekullitë e natyrës Shqiptare. M`e ndalesat disa ditore nëpër hanet e pozicionuara nëpër këto vende, klientët mund të prekin nga afër edhe një stil të ri jetese, bashkë me kushtet e gatimet tradicionale të zonës. Ndaj, turizmi i haneve, është një formë e spikatur e të argëtuarit ndryshe, për cilindo që i qëndron larg klisheve, fundjava të zakonshme nëpër plazhe, kafene, teatro apo kinema.