Kryeministri i ardhshëm u përgjigjet kritikëve për administratën e re.
Rama: S’po ndajmë vende pune, po krijojmë bazë të dhënash.
Pas publikimit të nismës së Edi Ramës për të aplikuar on line me anë të CV-ve për administratën e ardhshme publike, në adresën http://www.edirama.al/dergo_cv/ janë dashur vetëm dy ditë për të vërshuar rreth 2500 aplikime.
Burime pranë Partisë Socialiste pohuan dje se të gjitha aplikimet janë on line dhe asnjë e dorëzuar me zarf. Ditët në vijim do të ketë detajime të profileve të atyre që kanë aplikuar, apo dhe kualifikimeve të aplikantëve. Nisma e Edi Ramës është pritur me entuziazëm ndër ata që aspirojnë për të qenë pjesë e administratës publike, por nuk kanë munguar dhe skeptikët për këtë proces. Kryeministri i ardhshëm i vendit, Edi Rama, iu përgjigj dje kritikëve të nismës së tij për aplikimet on line përmes CV-ve. Në një postim të tij në rrjetin social “Facebook”, Rama shkruan se kjo nismë nuk ka të bëjë me ndarjen e vendeve të punës, por me krijimin e një marrëdhënieje të re mes individit dhe sektorit publik, duke rritur transparencën. “Ne nuk po mbledhim CV për të ndarë vende pune, po për ta bërë reale e transparente marrëdhënien mes çdo individi të gatshëm për të kontribuar në sektorin publik dhe institucioneve në kërkim të njerëzve të duhur. Sapo kemi hedhur me këtë nismë edhe farën e krijimit të një baze të dhënash për burimet njerëzore të këtij vendi. Të cilën, dalëngadalë, do ta kthejmë në një institucion të mirëfilltë ku shteti ynë do të ketë të regjistruar kapitalin e kualifikuar njerëzor të Shqipërisë, brenda ose jashtë.
Po kjo është një temë më vete”, shkruan Rama në shënimin e tij. Duke iu përgjigjur direkt kritikëve, Rama shkruan se ata ose nuk e kanë lexuar, ose nuk e kanë kuptuar atë që ai ka shpjeguar me këtë nismë. “Disa po thonë publikisht se apeli im për të aplikuar on line cilido që dëshiron të provohet për skuadrën e re për Shqipërinë, qenka prodhim i kulturës antishtet. Marrja në punë prej shtetit paska procedura që lidhen me vende bosh, me konkurse e me afate, dhe jo me partinë. Por s’e kanë lexuar ose s’e kanë kuptuar atë që kanë lexuar në apelin tim publik si Kryeministër i zgjedhur. Jo si kryetar partie”, shkruan Rama. Për kreun e ri të qeverisë që do të krijohet në muajin shtator, kjo database do të ndihmojë dhe për të njoftuar individualisht çdo të interesuar për konkurset e reja për në administratën publike, ndryshe nga ç’aplikohet tani, sipas Ramës.
“Ndërsa për momentin, fakti është se të gjithë ata që po aplikojnë do të njoftohen individualisht për çdo konkurs të hapur në sferën që lidhet me profesionin dhe eksperiencën e tyre. Në këtë mënyrë do të këpusim lidhjet e shkurtra të konkurseve farse që janë zhvilluar tërë këto vite, përmes lajmërimesh në formën e trakteve të ngjitura kuturu dhe rezultatesh të parafabrikuara në dëm të lirisë së konkurrencës e të meritës. Dhe, nga ana tjetër, do të kemi një instrument të ri monitorimi për trajtimin e burimeve njerëzore në procesin e organizimit e të zhvillimit të konkurseve. Besoj e kam sqaruar po ashtu në letër se kjo bazë të dhënash do t’i shërbejë pak më vonë edhe sektorit privat, për të kërkuar njerëzit e duhur për vende të reja pune dhe do t’u japë po ashtu mundësi aplikantëve të kenë dijeni për çdo mundësi të re për punë. Kaq e thjeshtë është, mos u shqetësoni, kritikë të dashur, ky nuk është as fillimi akoma i Shqipërisë së re që kemi marrë mandatin për të ndërtuar”, shkruan Rama.