Në këtë intervistë dhënë dje për "Shekullin" ai komenton prapaskenën me grupin e punës së asaj kohe i ngritur po nga Ministria e Kulturës dhe situatën aktuale kur disa vendime të qeverisë në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës, do të përfshijnë edhe veprën e tij. Fakt është që puna e Thomait nuk shihet nga askush dhe Nënë Tereza nuk nderohet nga askush. Ka shumë njerëz që e dinë se Sheshi quhet "Nënë Tereza" po nuk që aty ndodhet një shtatore e saj.
Kujtojmë se ajo u përurua me rastin e Samitit Ballkanik, në nëntor 2004, në prani të disa presidentëve të Ballkanit. Për këtë arsye u vendos shpejt vendi i saj, pa një studim paraprak dhe pa marrë mendimin e autorit. Pas kësaj dite, "Nënë Tereza" e Thomait, u harrua. Kujtdo që i bie rruga për aty, sheh një shtatore në mëshirën e baltës dhe pluhurit, me një bazament të shkatërruar.Cili ishte vendi i përshtatshëm sipas Thomait? Ai sheh të përshtatshëm vendin e ardhshëm, dhe pse ky vend nuk është përcaktuar. Diku në Sheshin "Nënë Tereza".
Z. Thomai, dje u mor vendimi për zhvendosjen e shtatores së Nënë Terezës që ju krijuat më 2004. Si e gjykoni këtë vendim?
Ky vendim vërtet është vonë, por ishte i domosdoshëm për t'u bërë. U vërtetua në vitet që kanë kaluar që shtatorja atje nuk funksionoi. Njerëzit dinin që ka në Tiranë një statujë të Nënë Terezës dhe s'dinin se ku ishte.
Ju gjithmonë keni pasur rezerva për këtë vend. Po tani ç'mendoni?
Pas organizmit të konkursit "Nënë Tereza", interesi ishte i paktë, përveç meje që punoja në studio. Ngela një vit pa e filluar veprën duke pritur që të më caktonin vendin. Në konditat e shpalljes së konkursit duhej të ishte caktuar edhe vendi. Është kushti i domosdoshëm, për veprat e kësaj natyre. Edhe kur unë e fillova punën, interesimi qe shumë i pakët. Gjatë 2004-ës pata disa kontakte me ministrinë dhe me bashkinë, në sajë të insistimit tim. Atëherë u propozuan vende të ndryshme, të cilët mua m'u dukën të papërshtatshëm nga propozimet që bëja unë. Ishin vende më të mira për t'u soditur, por asnjëra nga ato nuk u aprovua. Statuja duhej të ishte në mes të njerëzve, të soditej nga sa më shumë njerëz. Është e kompozuar në mënyrë të atillë që të ngacmojë shikuesit dhe të krijojë lidhje me ta. Figura e saj ka qenë gjithmonë pranë njerëzve të vuajtur, të sëmurë, gjithmonë e sakrifikuar. Dhe pikërisht këtë përmbajtje unë jam munduar që t'ja japë në vepër. Që nga pozicioni i duarve që kërkojnë të afrojnë njerëz, që nga portreti, që kam tentuar t'i japë një lloj përshpëritje. Në atë pozicion që u vendos, nuk mund të zbuloheshin.
Po vendi i ri a është i përshtatshëm?
Një gjë është e sigurtë, që shtatorja do të vendoset brenda sheshit që mban emrin "Nënë Tereza". Por akoma nuk është përcaktuar saktësisht vendi përfundimtar. Është një projekt që do të mendohet që të plotësojë të gjitha kërkesat, qoftë zgjidhjen arkitektonike dhe të përcillet sa më mirë në funksion të idesë që të krijojë marrëdhënie direkt me shikuesit. Sigurisht do të ketë një pamje ballore. Mendoj që duhet të ngrihet pak më lart në nivel që të punojë më mirë silueta e saj, duart paksa të hapura dhe portreti që të shikon drejt. Një shikim që të përcillet direkt.
Është marrë mendimi juaj?
Kohët e fundit, kam pasur një kontakt me z. Neritan Ceka, këshilltarin e kryeministrit për kulturën. Me kënaqësinë më të madhe do t'ju ofrojë idetë e mia dhe do të respektoj edhe idetë që mund të më ofrojnë. Deri sa të piqet mendimi përfundimtar, lidhur me këtë problem, do të kem kontakt të vazhdueshëm me anëtarët e komisionit. Kjo do të ndodhë pas një kohe, kur t'i kemi kristalizuar mendimet edhe unë edhe ata për problemin e shtatores.
Si duhet të zhvendoset?
Ajo do të pastrohet njëherë se është derdhur në bronz jocilësor. Kërkon një pastrim shumë të mirë të figurës. Nga pikëpamja teknike nuk ka problem fare për t'u zhvendosur. Rëndësi ka që ajo do të prehet në një vend tashmë, krejtësisht të përshtatshëm.
Gazeta Shekulli