Denoncimi i parë në polici ka qenë grabitja e një parukerie në afërsi të gjimnazit "Qemal Stafa", ku pronarja ka pretenduar se një person i ka përvetësuar disa pajisje. Nuk kaluan më shumë se 60 minuta dhe një tjetër denoncim u regjistrua në polici. Kësaj herë ishte vjedhur një dyqan celularësh, në afërsi të "Zogut të Zi". Sipas policisë, autori i vjedhjes është i mituri, i cili, për të humbur gjurmët, grabiste në distanca të largëta nga "preja" e radhës. Duke shfrytëzuar ditën e diel, ku pjesa më e madhe e aktiviteteve të vogla private janë pushim, J.A, ka shënjestruar fillimisht një dyqan në "Rrugën e Barrikadave", disa kilometra larg vjedhjes së fundit. Të alarmuar nga denoncimet e shumta brenda disa orëve, policia ka ngritur dyshimin se vjedhjet dhe grabitjet kryheshin nga i njëjti person.
Oficerët e policisë krahasuan ngjarjet dhe më pas rezultoi se ishte e njëjta metodë. Më pas u angazhuan dhjetëra forca për arrestimin e "personave" që drejtonin këtë "sulm" ndaj subjekteve private. Por, gjatë kësaj kohe, "Arsen Lypeni" i vogël shqiptar vazhdonte të grabiste. Nga "Rruga e Barrikadave" zhvendoset me shpejtësi në rrugën e "Durrësit" dhe arrin të marrë në lokalin "Planet Bar", 1500 lekë. Disa çaste më vonë shkon në rrugën "Mihal Duri" dhe me anë të thyerjeve merr nga një parukeri 20 mijë lekë. Duke "u ngopur" nga vjedhja e dyqaneve dhe lokaleve, fillon një ofensivë ndaj automjeteve. Me qëllim që t‘i shpëtonte ndjekjes së policisë, e cila ruante më së shumti dyqanet, J.A., ndryshon menjëherë taktikë dhe vjedh me thyerje një automjet tip "Passat" në afërsi të rrugës së "Kavajës‘. Aty "merr" vetëm një kasetofon "Sony mp3".
Disa çaste më vonë, duke përdorur një mjet të fortë metalik thyen automjetin "Nissan", me targa TR 4680 K, dhe vjedh prej andej disa sende personale. Më vonë, policia, e cila ishte vënë në ndjekje të veprimtarisë të tij, konstaton se 13-vjeçari ndërkohë kishte grabitur edhe automjetin "Toyota" me targa të huaja, duke marrë aty sende të ndryshme personale me vlerë. Në këtë moment, patrulla e përgjithshme e pikas të miturin dhe brenda pak minutash e arreston në flagrancë. Duke shfrytëzuar moshën e tij të mitur, J.A., ka pretenduar se policia nuk mund ta shoqëroj, pasi është e ndaluar. Ai ka "mësuar" nga shokët e tij se një person nuk mund të arrestohet deri në moshën 15-vjeçare. Duke përdorur këtë favor, policia tha se nuk mund të kryejë asnjë masë ndaluese ndaj 13-vjeçarit, duke u "detyruar" ta lërë të lirë.
Gazeta: Shqip