Ti ngjitesh Everestit eshte me e guximshme se te jetosh ne Shqiperi

T'i ngjitesh Everestit eshte me e guximshme se te jetosh ne Shqiperi
Ngjitja e majës më të lartë të planetit përbën jo vetëm një akt guximi po edhe burrërie, force shpirtërore dhe fizike shumë të veçantë. Me këto fjalë kryeministri Sali Berisha i është drejtuar veçanërisht ministrit të Kulturës Aldo Bumçi për të shpërblyer një grup alpinistësh shqiptarë që ngritën një vit më parë flamurin në Everest. Në takimin e djeshëm të Këshillit të Ministrave me Komitetin e festimeve të jubileut të pavarësisë, në rend të parë ishte miratimi i vendvendosjes së 5 veprave kushtuar ngjarjeve dhe figurave të historisë.

Komiteti vendosi që Monumenti i Pavarësisë të vendoset në Parkun Rinia, në krah të Ministrisë  së Mbrojtjes. U kërkua që të rishihet shtatorja e Ahmet Zogut e cila do të vendoset në sheshpushimin në fund të Bulevardit “Zogu I”. Edhe shtatorja e Ismail Qemalit do të rishihet. Vendi i saj do të jetë në lulishten pranë rrugës “Ismail Qemali”. Sheshi “Paris” u gjykua i arsyeshëm për shtatoren e Hasan Prishtinës.

Monumentit të Kongresit të Lushnjës do të vendoset në lulishten qendrore të qyteti dhe ministri i Kulturës u ngarkua për të ndjekur ecurinë e kësaj pune deri në fund.

Komiteti i festimeve nuk ka dalë akoma me një axhendë të veprimtarive. Po ja, ashtu si nëpër të, me dredhat që i bënë fantazia kryeministrit në takime si i djeshmi, mësojmë se ai do të donte që këtij programi të mos i mungonte “filmi “Besa”, një dokumentar mbi virtytet morale, guximin dhe sakrificën e familjeve shqiptare për të mbrojtur hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe dokumentari i aktores me origjinë Eliza Dushku mbi promovimin e Shqipërisë turistike të përfshihen në kalendarin e aktiviteteve me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë dhe të mundësohet shfaqja e tyre edhe për publikun europian e më gjerë”.

Kryeministri iu drejtua ministrit të Kulturës që ta mbajë parasysh për promovimin e Shqipërisë turistike dokumentarin e Dushkut, e kësaj artisteje “me sens të lartë dashurie për Shqipërinë”. “Dhe nuk ka paraqitur ndonjë kërkesë, por kjo nuk do të thotë që ne të jemi indiferentë.”

Edhe ngjitjen në majën Everest të grupit të alpinistëve shqiptarë, kryeministri e shikon si kontribut atdhetar në kuadër të aktiviteteve për 100-vjetorin e pavarësisë. Prandaj qeveria duhet të mbulojë shpenzimet e bëra për realizimin e këtij misioni. Kryeministri Sali Berisha mendon se ky jubile shtron detyra të rëndësishme për rivlerësimin e disa figurave historike të lëna në harresë për arsye ideologjike, për shembull, Abaz Kupi, Muharrem Bajraktari, Bahri Omari. Gjithsesi kryeministri ua lë në dorë historianëve këtë rivlerësim. Ai vetëm sa bëri një rifreskim kujtesës. Hodhi një ide edhe për një muze të Parlamentit të Parë Shqiptar në ndërtesën e të cilit prej vitesh ndodhet Teatri i Kukullave.

Edhe në ato vende ku shteti shqiptar ka përfaqësi diplomatike do duhet të bëhen kremtime. Qëllimi është që “ky festim të ketë impaktin më të madh”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama