Tifozet e Marsejes qajne Canen ne 11-shen e 20 viteve

Tifozët e Marsejës qajnë Canën, në 11-shen e 20 viteve

Lorik Cana nuk është harruar ende në "Velodrom". Tifozët e Marsejës e kujtojnë ende ish-kapitenin e tyre dhe mbi të gjitha e vlerësojnë edhe pse ai u rikthye në Francë për të luajtur me një tjetër ekip veç saj.

Joie de Lorik Cana - Marseille /Lyon -Coupe de France- Quart de Finale- 31.01.2007 - OM /OL - Foot Football - Largeur attitude joie victoireNë një forum në internet, tifozët e skuadrës franceze kanë votuar për 11-shen më të mirë të Marsejës në 20 vitet e fundit. Me vota të shumta, kapiteni i Kombëtares shqiptare ka zënë vend në formacionin më të mirë të kësaj skuadre.

Pavarësisht se në listë për t'u votuar kanë qenë një sërë futbollistësh me shumë emër në futbollin europian, marrëdhënia e ish-kapitenit Cana me skuadrën dhe tifozët nuk është harruar nga këta të fundit. Futbollisti shqiptar është renditur i dyti në votimin për mesfushorët qendrorë pas Lasana Diarrasë dhe duke lënë pas Eduard Sise.

Shpjegimi - Portali "omformum", i cili ka ftuar tifozët që të votojnë për të bërë zgjedhjet, ka bërë edhe një përshkrim për secilin futbollist që ka marrë votat për të qenë në 11-she. "Zemër, pasim dhe guxim! I ardhur nga PSG nëpërmjet derës së pasme, pa shumë bujë dhe i nënçmuar nga tifozët parizienë, u bë një idhull për marsejezët, të cilët nuk do ta harrojnë kurrë këtë lojtar kaq karizmatik.

Në fushën e lojës, Cana ishte si një 'qen' që nuk dorëzohej kurrë, që nuk i shpëtonte asgjë dhe që ishte gjithmonë aty në mbrojtje të njerëzve që kishin ngjyrat e Olimpik Marsejës. Edhe pse kurrë nuk ishte një lojtar me teknikë të lartë, çdo futbollist që luante përkrah tij kishte mundësinë që të paraqitej mirë dhe të bënte 'futboll të bukur'.

Nuk e 'pështyu' kurrë ekipin dhe si brenda fushës apo jashtë saj u tregua një kapiten i vërtetë me cilësitë që duhet të kishte një lider për ekipin. Nuk ka tifoz të Marsejës që do ta harrojë golin e tij kundër PSG-së që shkaktoi marrëzinë e papërshkrueshme në 'Velodrom'. Për fat të keq, ai e la Marsejën shumë shpejt. Aktualisht, ai është pjesë e 'kanarinave'", është shpjegimi për Canën.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama