Dhjetëra tifozë të Kombëtares shqiptare të futbollit kanë surprizuar kuqezinjtë duke i pritur para hotelit në të cilin janë akomoduar në Berogamo të Italisë.
Kombëtarja do të luajë sonte në mbrëmje (20:30) ndeshjen e fundit miqësore ndaj Urainës në stadiumin "Atleti Azzurri d'Italia".
Edhe pse ndeshja luhet në kuadër të miqësoreve para finaleve të Europianit, takimi pritet të ketë një interes të lartë nga ana e tifozërisë shqiptare.
Një video e publikuar nga faqja zyrtare e FSHF tregon tifozë të Kombëtares me flamuj në duar duke kënduar në mbështetje të kuqezinjve.
Priten 10 mijë shqiptarë, biletat nga 14 deri në 80 EUR
Nga Xhenoa në Bergamo. Shqiptarët pritet që ta "skuqin" edhe një tjetër stadium italian, pasi në të do të zhvillohet një tjetër ndeshje e Kombëtares. Këtë herë përballë nuk do të jetë Italia, por Ukraina. Për ndeshjen e programuar në stadiumin "Atleti Azzurri d'Italia", pritshmëria për tifozët është që të arrijnë numrin 10.000.
Gjatë ditës së djeshme, sipas informacioneve të gazetarit të "Supersport", Alban Xhihani, janë shitur 3000 bileta në sektorët e tifozërisë shqiptare dhe 200 për ato ukrainas.
Çmimi i një bilete varion nga 14 EUR deri në 80 EUR. Megjithatë, biletat me një çmim të tillë si ky i fundit janë ato që korrespondojnë me ndenjëset, të cilat janë shumë pranë lojtarëve të Kombëtares që do të qëndrojnë në stol dhe stafit të kombëtares.