Kanë qenë të shumtë në ndeshjen e djeshme dhe në mbështetje të ekipit të tyre edhe kur ishte në disavantazh me idenë se përmbysja do të vinte shumë shpejt. Madje kanë festuar edhe barazimin e Teutës me Skënderbeun, por në fund "Guerrils" dhe gjithë mbështetësit e Partizanit kanë dalë kokulur nga stadiumi "Qemal Stafa", pasi ekipi i tyre ka pësuar një humbje që askush nuk e priste. Por, në momentin që kryesori i takimit ka vërshëllyer për herë të fundit nga tribuna D2, kanë ardhur edhe thirrje të ndryshme kundër lojtarëve, duke i kujtuar fanellën që mbajnë veshur, ndërsa një grup prej tyre ka qëndruar në ambientet e jashtme të stadiumit dhe është parë shumë i zhgënjyer dhe i irrituar me drejtuesit e klubit dhe vetë lojtarët.
Takimi
Ashtu siç shihet edhe në foto, drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Dritan Dervishi, ka qëndruar për rreth 30 minuta me një grup ultrasish, duke dëgjuar kritikat e tyre dhe duke u munduar t'i qetësojë. "Çfarë është kjo skuadër, pa gjak?! Përse aktivizon trajneri lojtarët që nuk janë në formë? Humbasim ndaj Bylisit, skuadër e cila pothuajse ka rënë. Kemi 23 vite që presim titullin dhe tani që ishim afër tij bëjmë këto gabime", ishin disa prej fjalëve të shumta që tifozët i kanë thënë drejtorit, i cili, i ndier në faj, është munduar që të justifikojë lojtarët e ekipit për formën e paraqitur. Dervishi gjithashtu ka kërkuar nga ultrasit që të jenë në Korçë.
"Ne, sido që të ishte, do të shkonim në Korçë për fitore. Duhet të na mbështesni, titulli është i hapur, asgjë nuk ka mbaruar", ishin disa prej fjalëve të drejtorit të klubit të kuq.
Përgatiti: ARMAND HALILI