Atletë rekordmenë të cilët shtiren sikur kanë pësuar një aksident me motor për t’i shpëtuar testeve të dopingut. Skuadër paralitikësh që fiton titullin e kampionit, por pas verifikimeve vërehet se dhjetë nga dymbëdhjetë prej lojtarëve nuk kishin qenë veçse persona normalë. Ishte dora e Zotin dhe jo e Maradonës në çerekfinalen e botërorit “Meksikë 1986”. Kjo është pak a shumë ajo çka u dhuron lexuesve sot gazeta “Tirana Observer”, duke iu referuar revistës “Times” në një speciale me 50 skandalet më të mëdha në botën e sportit.
1) Basil D Oliveira
Sporti: Kriket
Për shkak të tij, regjimi i Aparteidit në Afrikën e Jugut anuloi një turne botëror në sportin e kriket në vitin 1968. Olivera kishte lindur në Afrikën e Jugut, por mbronte ngjyrat e Anglisë, ku kishte emigruar në vitin 1960. Për këtë gjë dhe për faktin se ai ishte sportist me ngjyrë, qeveria e asaj kohe në Afrikë anulonte turneun.
2) Çikago “Black Sox”
Sporti: Basketboll; viti 1919
Tetë pjesëtarë të skuadrës së “Chicago White Sox” në basketboll u akuzuan se kishin shitur për përfitime personale kampionatin e atij viti. Por ajo që tronditi më shumë ishte fakti se në këtë mesele ishte përfshirë edhe ylli i skuadrës, Xhoe Xhekson, një prej tre basketbollistëve më të mirë të të gjitha kohërave.
3) Ben Johnson
Sporti: Atletikë; viti 1988
Kanadezi fitonte medaljen e bronztë në lojërat olimpike në 100 metra dhe vetëm katër vjet më vonë në Seul arrinte të fiksonte rekordin e ri. Por kjo furi nuk zgjati shumë, pasi në analizat e anti-dopingut atij iu gjet një sasi e konsiderueshme asteroidesh, çka çoi në heqjen si të rekordit dhe të medaljes për atë garë.
4) “Tour de France”
Sporti: Çiklizëm; viti 2007
Tre çiklistë dhe dy skuadra të plota u tërhoqën pas testeve të drogës. Këtu përfshihet Majkëll Rasmusen, i cili kishte veshur një fanellë të verdhë gjatë asaj kohe, dhe Aleksandre Vinokourov, favoriti i garës. Mund të mos jetë skandali i fundit i drogës që prek garën çiklistike, por dështimi tregoi se skuadrat finaliste kanë humbur tolerancën ndaj mashtrimeve.
5) Tonja Harding
Sporti: Patinazh; viti 1994
Pranoi se kishte mbuluar njohurinë e saj për një sulm ndaj Nansi Kerrigan, rivalja e saj për skuadrën amerikane të patinazhit, që ishte sajuar nga ish-bashkëshorti i Harding. Kerrigan fitoi medaljen e argjendtë të lojërave Olimpike një muaj më vonë. Hardin u dënua me shërbim ndaj komunitetit dhe iu caktua një gjobë e madhe.
6) Zimbabve
Sporti: Kriket; viti 2003
Në vitin 2003 në Kupën Botërore të briketit në Afrikë, dy lojtarë nga Zimbabve, Andi Flouer dhe Henri Olonga, veshën shirita të zinj në krah gjatë ndeshjeve të tyre për të protestuar “vdekjen e demokracisë”. Asnjëri nuk luajti më. Anglia bojkotoi ndeshjen e programuar për protestë. Pikët që ata humbën iu dhanë Zimbabve e cila kaloi në raundin e dytë në vend të Anglisë. Që nga ajo ditë, statusi “Test” i Zimbabves është hequr.
7) Skandali “Moxhi”
Sporti: Futboll; viti 2006
Juventus, Milan, Fiorentina, Rexhina, Lacio ishin skuadrat që u ndëshkuan nga gjykata italiane pas hetimeve në skandalin më të madh në Serie A. Luçiano Moxhi, ish-administrator i Juventus, kishte ndikuar për sezone me radhë në disa ndeshje të kampionatit italian. Bilanci: Juventus zbret në Serie B, ndërsa ekipet e tjera dënohen me pikë për sezonin e ri.
8) Douglas Jardine
Sporti: Kriket; viti 1932
Mashtrim nga kapiteni anglez i kriketit apo protestë nga Australia? Taktika e Douglas Jardine për të neutralizuar influencën e Don Bradman, për të cilin ai mendonte se ishte “i verdhë”, duke bërë që skuadra të rrokulliste me shpejtësi mbi trupin e sipër të lojtarit, funksionoi. Mesatarja mbinjerëzore e Bradman ra në “vetëm” 57 dhe Anglia fitoi me sete. Kjo nxiti një makth diplomatik.
9) Park Si-Hun
Sporti: Boks; viti 1988
Shumë tifozë mbetën të surprizuar kur juria i dha fitoren boksierit korean, Park Si-Hun, kundrejt Roy Jones Jr në finalen e peshave të mesme më 1988. Por pas një hetimi të ndeshjes, në televizion u pa qartë se Jones kishte grushtuar për 86 herë kundërshtarin, ndërsa koreani vetëm 32 herë. Më vonë doli se tre gjyqtarët kishin qenë një natë më parë mysafirët specialë të koreanit.
10) Hansi Kronje
Sporti: Kriket; viti 2000
Kapiteni i kriketit të Afrikës së Jugut u dënua nga loja për jetë pasi rrëfeu pjesën e tij në skandalin më të madh të fiksimit të ndeshjeve në historinë e lojës, duke qarkulluar me qindra mijëra dollarë, si dhe një xhaketë lëkure për kompletimin e një rezultati në “2000 Centurion Test” me Anglinë.
11) Glen Hodwll
Sporti: Futboll; viti 1999
Trajneri i përfaqësueses angleze të futbollit u mundua të mbrohej teksa në faqet e revistës “Times” u publikua një intervistë e tij, ku ai fliste plot përçmim për personat dizabël. Por ja që gazetari që kishte marrë intervistën kishte ruajtur në diktofon gjithçka dhe kështu që e bëri publike. Pas kësaj Hodwll dha dorëheqjen.
12) Hile paralitikësh
Sporti: Basketboll; viti 2000
Spanja arriti të fitonte medaljen e artë në basketboll për njerëz paralitikë në vitin 2000. Por ajo që bëri më shumë përshtypje në hetimet e mëvonshme, ishte fakti se dhjetë nga dymbëdhjetë basketbollistët e skuadrës spanjolle nuk kishin qenë paralitikë, por persona normalë.
13) “Rebelët” e Afrikës së Jugut
Sporti: Kriket; vitet 1970-91
Për shkak të Aparteidit në Afrikën e Jugut nuk ishte e lejuar në vitet ‘50-‘90 që të zhvilloheshin turne të Kriketit. Por një gjë e tillë nuk mundi të ndalë sportistë si Graham Gosh në 1982-shin, Kim Hjuxh (1985) dhe Mike Gating më 1987 e 1990, të cilët arritën të merrnin pjesë në disa turne, ndonëse jo zyrtarisht, në vende si Anglia dhe Australia, nën siglën e Afrikës së Jugut.
14) Heidi Krieger
Sporti: Atletikë; viti 1986
Ajo ishte një nga atletet më të mira të Gjermanisë Perëndimore, por që dozohej sistematikisht me asteroide. 11 vjet pasi kishte fituar medaljen e artë në kampionatin evropian, ajo ndërhyri në trupin e saj duke ndërruar seksin. Arsye, sipas dëshmive që ajo dha më vonë, ishte pikërisht dopingu që ajo merrte nga trajnerët e saj të cilët kishin ndikuar në trans-seksualitetin e saj.
15) Xhim Torp
Sporti: Atletikë; viti 1913
Ai ishte një nga atletët më të mëdhenj të shekullit të kaluar. Arriti të fitonte tetë medalje në Lojërat Olimpike të Stokholmit më 1912-n. Por racizmi i atyre viteve kundrejt shumë sportistëve me ngjyrë bëri që atij t’i tërhiqeshin me mesele medaljet dhe vetëm në vitin 1983, 30 vjet pas vdekjes, t’i ktheheshin sërish.
16) “Balko”, 2003
Kështu quhej operacioni i agjentëve të policisë amerikane, të cilët pas një hetimi të gjatë arritën të sekuestronin një sasi të madhe substancash dopingu në shtetin e Kalifornisë. Gjithçka ishte bërë gati për t’iu shitur disa prej atletëve, futbollistëve dhe basketbollistëve në klubet më me zë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
17) K. Kenteris dhe E. Thanou
Sporti: Atletikë; viti 2004
Kenteris dhe Thanou ishin shpresat e Greqisë për një medalje të artë në Lojërat Olimpike 2004. Por këta të fundit u përjashtuan, pasi nuk pranuan të merrnin pjesë në testet kundër dopingut. Ata deklaruan se kishin pësuar një aksident me motor, prandaj nuk kishin shkuar në testim. Pas hetimeve në shtëpitë e tyre dhe të trajnerit u gjendën shumë substanca dopuese.
18) Operacioni “Puerto”
Sporti: Çiklizëm; viti 2006
Një tjetër skandal në botën e çiklizmit. Këtë herë ishte policia spanjolle e cila arriti të arrestonte në flagrancë drejtorin e skuadrës “Liberty Seguros-Wurth” dhe katër mjekë të përfshirë në një skandal dopingu. Ata pranuan se kishin dhënë substanca të ndaluara më shumë se 200 çiklistëve, për t’i ndihmuar në një fitore të mundshme. Hetimet ende vazhdojnë.
19) Berezhnaja- Sikarulidze
Sporti: Patinazh; viti 2002
Çiftit rus iu caktuar medalje ari në një program të shkurtër në lojërat Olimpike dimërore, megjithëse ishin penguar gjatë rutinës së tyre, ndërsa çifti kanadez, Sale-Peletier, nuk kishte bërë asnjë gabim. Diskutimet kërcënuan të pushtonin Lojërat kur gjykatësja franceze pranoi se i ishte bërë presion nga kreu i organizatës franceze të patinazhit. IOC-ja i caktoi një medalje të dytë ari çiftit kanadez për të rregulluar situatën.
20) Tajson kafshon Holifield
Sporti: Boks; viti: 1997
Ai sapo kishte dalë nga burgu, i akuzuar nga ish-e dashura për përdhunim. Holifield sapo ishte bërë Kampion Bote dhe ishte martuar me ish-të dashurën e Tajson. Kështu që dueli mes tyre ishte më shumë se për një titull. Gjatë ndeshjes në nerva e sipër dhe në pamundësi për ta mundur shpejt, Tajson e kafshon në vesh duke bërë që arbitri të ndërpriste ndeshjen.
21) Majkëll Vik
Sporti: Gara me qen; viti 2007
Një juri e lartë do të vendosë muajin e ardhshëm se çfarë duhet të bëjë me Vik, një qendërmbrojtës për “Atlanta Falcons”, i cili është shpallur fajtor për operimin e një biznesi të jashtëligjshëm me ndeshje qensh. Ai akuzohet se ka ekzekutuar personalisht disa qen të dobët.
22) Darell Hair
Sporti: Kriket; viti 2006
Gjyqtari australian i kriketit vendosi, me kolegun Billi Doktrov, se Pakistani e kishte riqepur topin në ndeshjen ndaj Anglisë dhe i caktoi 6 penallti. Pakistanezët protestuan duke refuzuar të dalin në fushë. Kështu Hair ia shpalli Anglisë fituese. Më vonë ai u kritikua pasi nuk gjeti një zgjidhje diplomatike për grindjen. Për ti shpëtuar kësaj meseleje si u dërguar e-mail shefave të tij, ku i ofronte dorëheqjen në shkëmbim të 500 mijë dollarëve.
23) Maratonomakja “hajdute”
Sporti: Atletikë; viti 1980
Ruiz, një emigrante kubaneze, fitoi Maratonën e Bostonit me një kohë rekord, derisa dëshmitarët erdhën dhe i thanë se ishte bashkuar në maratonë në miljen e fundit. “U zgjova plot energji këtë mëngjes”, ishte shpjegimi i saj. Ajo e kishte përshkuar garën 25 minuta më shpejt se në Maratonën e Nju Jorkut 6 muaj më parë. Edhe atëherë doli se kishte marrë metronë gjatë në një pjesë të garës.
24) Kerri Paker
Sporti: Kriket; viti 1977
Paker mund të ketë shpëtuar pa e ditur sportin e kriketit duke investuar milionat në joshjen e lojtarëve të cilët largoheshin nga vendi i tyre dhe luanin për “cirkun” e tij. Pa dyshim, veshjet me ngjyra, fushat e thella, prozhektorët dhe novacionet televizive që ai prezantoi bënë punën e tyre. Por në atë kohë, australiani u dënua si ikona-thyes gjakpirës.
25) Faria Alam
Sporti: Futboll; viti 2004
Ajo ishte gruaja që vuri me shpatulla pas murit ish-trajnerin e kombëtares angleze të futbollit, Sven-Goran Erikson. Faria Alam në një intervistë për “The Sun” tregoi detaje nga lidhja dyfishe e saj me suedezin dhe njëkohësisht me presidentin e Federatës Angleze të Futbollit, Mark Palios. Ky i fundit dha menjëherë dorëheqjen, ndërsa Eriksson bëri gjoja sikur s’kishte ndodhur gjë.
26) Trevor Çapell
Sporti: Kriket; viti 1981
Zelandës së Re i duheshin edhe 6 “run off”, për topin e fundit, në mënyrë që të barazonin ndeshjen e briketit me Australinë. Kapiteni australian, Greg Çapell, urdhëroi që i vëllai, Trevor, ta rrokulliste topin përgjatë tokës, dhe jo ta rrotullonte. Një taktikë e tillë nuk ishte e paligjshme në atë kohë. Por Rob Muldoon, Kryeministri i Zelandës së Re, e quajti “akt frike” dhe incidentin më të neveritshëm në një lojë kriketi.
27) Doping në çiklizëm
Sporti: çiklizëm; viti 1998
Gjatë “Tour de France” të 1998-s fizoterapisti i skuadrës “Festina” u kap me një sasi të konsiderueshme të substancave narkotike dhe testosteroneve. Pas një hetimi të vazhdueshëm, fizioterapisti pranoi në sallën e gjyqit se kishte dozuar skuadrën e tij për dy vjet rresht me qëllim fitimin e turit.
28) Skandali i basteve
Sporti: Futboll; viti 1915
Nën petkun e Luftës së Parë Botërore, Liverpuli dhe Mançester Junajtid tentuan të fiksonin rezultatin e një ndeshjeje. Kështu disa futbollistë vunë baste në favor të Mançester, duke parë se kuotat ishin 7 me 1 për Liverpul. Pas një hetimi nga Federata Angleze, shtatë futbollistë u përjashtuan përgjithmonë, ndërsa pesë të tjerë u përjashtuan për katër vjet.
29) Maradona, “Dora e Zotit”
Sporti: Futboll; viti 1986
Ai e pranoi këtë fakt vetëm pas 25 vjetësh: “Po, golin ndaj Anglisë në çerekfinale e bëra me dorë. Por nuk ishte dora ime, por e Zotit, ajo që shtyu topin në rrjetë”, deklaronte Maradona. Në fakt ai gol ka hyrë në skandalet më të mëdha në finalet e një botërori.
30) Marsejë, finale e trukuar
Sporti: Futboll; viti 1993
Olimpik Marseja në vitin 1993 u bë skuadra e parë dhe e vetme franceze e cila fitonte Kupën e Kampioneve. Por direkt pas atij sezoni, skuadra u gjend në kategorinë e dytë dhe me një president të burgosur për gjashtë muaj për evazion fiskal dhe trukime ndeshjesh në kampionatin francez.
31) Shakor Rana
Sporti: Kriket; viti 1987
Nuk kishte asgjë të bukur teksa shikoje dy lojtarë në kriket që mundoheshin të trukonin lojën. Shakor Rana, një prej lojtarëve të Pakistanit, po vërente se Majk Gating, kapiteni i Anglisë, po bënte me hile. Ndërkohë që edhe pakistanezi nuk priti shumë të t’iu kundërvënë me të njëjtën monedhë. Rezultati: Ndeshja u pezullua dhe që të dy i shkruan njëri-tjetrit nga një letër pendimi.
32) Rush Limbaug
Sporti: Futboll amerikan; viti 2003
Prezantuesi amerikan “hëngri” një vezë në fytyrë, si dhe humbi punën kur ai deklaroi se Donovan McNabb, mbrojtësi i “Philadelphia Eagles”, ishte vlerësuar së tepërmi dhe se njerëzit flisnin për të vetëm se ai ishte i zi. Një vit më vonë, McNabb bëri që skuadra e tij të shfaqej për herë të parë në 24 vite në “Superbowl”.
33) Spiunazh në Formula 1
Sporti: Automobilizëm; viti 2007
Nigel Stepney, një ish-inxhinier i Ferrarit “Formula 1”, u akuzua se i kishte dhënë një dosje të tërë skuadrës kundërshtare të Ferrarit, McLaren Mercedes. McLaren nuk e ka pranuar se ka parë dosjen me dokumente sekrete. Hetimet vazhdojnë për të zbardhur çështjen në fjalë.
34) Bojkotet olimpike
Vitet: 1976-1984
Politika u përfshi me Lojërat Olimpike në vitin 1976, kur 28 kombe afrikane nuk pranuan të marrin pjesë në shenjë proteste ndaj Zelandës së Re që do luante regbi kundër Afrikës së Jugut të ndarë. Në vitin 1980, SHBA udhëhoqi një bojkot prej 60 vendesh në protestë të pushtimit të Afganistanit nga Bashkimi Sovjetik.
35) Skandali i “Lojërave Olimpike”
Viti: 2002
Në vitin 1995, “Salt Lake City” u shpall si qyteti mikpritës për Lojërat Olimpike të Dimrit 2002. Tre vite më vonë, anëtarë të “IOC” u akuzuan se kishin marrë ryshfete për t’ia dhënë “Lojërat Olimpike” pikërisht këtij qyteti.
36) Shkopi i kriket
Sporti: Kriket; viti 1771
Kriketi nuk kishte pasur asnjëherë përcaktime në lidhje me masën e shkopit që mund të përdornin lojtarët, deri në vitin 1774. Loja e cila kishte nevojë për një vendim ishte ajo mes Chertsey dhe Hambledon, kur Thomas “Daddy” White, i Chertsey, përdori një shkop që ishte më i gjerë se rrjeta.
37) Pete Rose
Sporti: Bejsboll; viti 1989
Menaxheri i skuadrës amerikane të bejsbollit, “Cincinnatti Reds”, u ndalua që të mos përfshihej në sport nga “Major League”, pasi vinte bast dhe mbi të gjitha, asnjëherë për skuadrën e tij. Bastet e tij shkonin nganjëherë të paktën 10 mijë dollarë nata. Ai e pranoi këtë gjë vetëm 15 vite më vonë.
38) Finalja e trukuar
Sporti: Basketboll; viti 1972
Shtetet e Bashkuara nuk kishin humbur asnjë finale olimpike basketbolli para vitit 1972, kështu që humbja detyrimisht u konsiderua si një ngjarje e rrallë. Dhe, ajo çka ishte pika më e fortë në gjithë këtë humbje, ishte fakti se ata humbën me Bashkimin Sovjetik, në tre sekondat shtesë.
39) Orgji e “Minesota Vikings”
Sporti: Futboll amerikan; viti 2005
Shtatëmbëdhjetë anëtarë të “Minnesota Vikings” u përfshinë në një orgji në dy varkat në lumin Minetonka, ku merrnin pjesë prostituta nga Florida, Atlanta, si dhe 90 të ftuar. Katër lojtarë u dënuan për sjellje të pahijshme, por skuadra kishte një rekord 9-7 në atë sezon.
40) Bundesliga, trukim ndeshjesh
Sporti: Futboll; viti 2005
Robert Hojzer, një arbitër i kategorisë së dytë gjermane pranon se bënte marrëveshje mes skuadrave, duke ndërhyrë në rezultatin e takimit. Gjyqi i tij nxori në dritë një gjullurdi bastesh që shkonte në një shumë prej 2 milionë eurosh në Gjermani.
41) Kamp Staldrad
Sporti: Regbi; viti, 2003
Përgatitjet e Afrikës së Jugut për Kupën e Botës në regbi përfshinin një kamp ushtarak në pyllin afrikan, ku lojtarët pretendonin se ushtarët u drejtonin pushkët për të kryer veprime të ndryshme. Sipas tyre, ata i detyronin të qëndronin zhveshur ndërsa u hidhnin ujë të ftohtë.
42) Pedalogate
Sporti: Kriket; viti 2007
Lojtari anglez i kriketit, Andrju Flintof, u kap me pedale në gjendje të dehur, pasi Anglia kishte humbur ndeshjen e saj të parë në Kupën e Botës në Karaibe. Ai u zhvesh nga titulli zv/kapiten dhe u pezullua për një ndeshje.
43) Bruce Grobelar
Sporti: Futboll; viti 1994
Ish-portieri i Liverpulit u akuzua se ishte përfshirë në një skandal që kishte lidhje me gazetën britanike “The Sun”. Ai u shpall i pafajshëm për akuzën se ishte i përfshirë në një skandal korrupsioni, nga juria në vitin 1997, por kur gazeta apeloi, portieri u zbulua se kishte gënjyer dhe u detyrua t’i paguante “The Sun” dëmtimet.
44) Semi Sosa
Sporti: Bejsboll; viti 2003
Një skandal tjetër bejsbolli. Semi Sosa, gjuajtësi i parë që kishte kryer 60 godite në një sezon tre herë, u nxor me karton nga një ndeshje dhe u pezullua për shtatë të tjera, pasi gjyqtarët zbuluan se shkopi i tij ishte mbyllur ilegalisht me tapë, duke e bërë më të lehtë, por që njëkohësisht të mos humbiste fuqinë.
45) Stan Collymore
Sporti: Futboll; viti 2004
Futbollisti, i cili e quajti veten “i dashuri ndërkombëtar”, u bë fokus i talljeve të shumta, pasi u zbulua nga disa reporterë se kërkonte në internet persona për seks anonim në parkingje makinash. Dhe, sigurisht, këtij “budallallëku” i shtohej dhe fakti se ai merrte makinën e tij personale në seanca të tilla.
46) Dani Almonte
Sporti: Bejsboll; viti 2001
Federata e Bejsbollit “Little League” u trondit në themel kur Almonte, një prej lojtarëve të rinj më të talentuar në histori, u zbulua se kishte gënjyer për moshën e tij. Skuadra e tij, “Roland Paulino All Stars” u rendit e treta në Kampionatin Botëror, falë aftësive të tij. Fatkeqësisht ai ishte 14 dhe jo 12 aq sa ishte maksimumi i moshës së lejuar.
47) Ian Botham “drogmeni”
Sporti: Kriket; viti 1986
Disa seksione të medias u tërbuan kur Botha, lojtari i kriketit në Angli, pranoi se merrte marijuanë. Shumë njerëz kërkuan që ai të mos luante për gjithë jetën edhe pse pezullimi i tij zgjati vetëm 63 ditë. Frank Keating, i gazetës “The Guardian”, ishte i vetmi zë i arsyes në ato kohë që thoshte se Botham i kishte dhënë lojës reputacionin që kishte.
48) Diego Maradona
Sporti: Futboll; viti 1994
Kupa e Botës në SHBA ishte turpi final për futbollistin hero të Argjentinës. Ai shënoi një gol fantastik kundër Greqisë, por më pas u dëbua duke përfunduar në shtëpi, pasi rezultoi pozitiv ndaj testit për një lloj simulanti që ai pretendonte se gjendej në një pije energjike. Pa hajmalinë e saj, Argjentina u skualifikua.
49) “Blacks nail” Brian O’Driscoll
Sporti: Regbi; viti 2005
Plagosjet dhe lëvizjet agresive janë të zakonshme në regbi dhe të dëshirueshme gjithashtu, por sulmi cinik ndaj Brian O’Driscoll në fillim të ndeshjes së “Lions” kundër Zelandës së Re, ishte përtej çdo kufiri. Tana Umaga, kapiteni i “All Blacks” dhe Keven Mealamu e kapën O’Driscoll, e ngritën lart dhe e hodhën me kokë përtokë.
50) MCC v Women
Sporti: Kriket; viti 1814-1998
Deri nëntë vjet më parë, e vetmja grua e cila mund të merrte pjesë në një ndeshje kriketi në kategorinë e Lordëve, ishte mbretëresha e Anglisë. Pas më shumë vitesh përpjekjeje për të përfshirë gratë në këtë sport, vetëm më 1989-n, më se 70 për qind e anëtarëve të organizatës së kriket votuan pro grave.
Leonard Karaj : Gazeta TiranaObserver