Aktorja e njohur Tinka Kurti ka pasur dje 80-vjetorin e lindjes. Ka qenë një përvjetor i kaluar në heshtje, pa ndonjë ceremoni zyrtare, por me siguri me urime mes miqsh, kolegësh e familjarë. Aktorja që vazhdon të jetë e pranishme në aktivitete të ndryshme teatrore i ka sfiduar vitet. Çfarë është arti për të? “Është ushqimi im. Oksigjeni. Unë kam mësuar shumë nga mësuesit e mi, nga paraardhësit e mi. Arti është kolektiv, nuk është individual. Është autori i dramës, komedisë, është regjisori, aktorët, skenografi, grimi, kostumografi, muzika etj… Pra në çdo dramë suksesi nuk është individual, por kolektiv”, shprehet Kurti. Tinka Kurti lindi më 17 dhjetor 1932 në Sarajevë. U ngjit për herë të parë në skenë kur ishte vetëm 14 vjeç.
Për disa vjet u aktivizua në teatrin amator në Shkodër. Më 1947-n u përjashtua nga Liceu Artistik i Tiranës dhe nuk mori asnjëherë ndonjë diplomë shkolle, por kjo nuk e pengoi të bëhet një aktore e madhe. Që viti 1949 e deri sa doli në pension ishte aktore e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, ku interpretoi rreth 120 role. Veçanërisht e suksesshme në rolet e forta dramatike të nënave, por po kaq e suksesshme në komedi. Shkëlqen me role protagoniste në “Gjaku i Arbrit”, “Histori Irkutase”, “Toka Jonë”, ku luan në fillim Filen e pastaj Loken, “Fisheku në pajë” apo “Fejesa e Çehovit”. Si rrallëkush, Kurti rikonfirmon talentin e saj edhe në kinema, duke interpretuar në rreth 35 filma artistikë, duke filluar me filmin e parë të metrazhit të gjatë, “Tana”, më 1958-n.
Të paharruar kanë mbetur Nënë Pashako tek “Yjet e netëve të gjata” (1972), halla te “Çifti i lumtur” (1975), sinjorina Mançini te “Vajzat me kordele të kuqe” (1978), gjyshja te “Zemra e nënës”. Rolet e arrira i sigurojnë çmime të ndryshme, si në festivalet kombëtare të filmit, ashtu edhe ato të teatrit, të cilat kulmojnë me çmimet e karrierës në të dyja fushat. Këtyre çmimeve u shtohen edhe vlerësime të tjera të rëndësishme, si medalja “Mjeshtër i Madh i Punës”, akorduar nga Presidenti i Republikës.