Shirat
Ndeshja nisi 30 minuta me vonesë. Shirat e dendur e rënduan terrenin dhe vetëm pas dy provave të bëra nga zyrtarët e ndeshjes dhe ndërhyrjes së punonjësve të "Selman Stërmasi"-t për të larguar ujin që e kishte bërë si lumë, gjendja u kthye në normalitet. Terreni mbeti i rënduar, por nuk i pengoi ekipet që të prodhonin futboll të bukur.
Tribuna
Sektori VIP ka qenë më i tejmbushur se kurrë dje. Veç drejtuesve të dy klubeve, aty binte në sy prezenca e personaliteteve të politikës. Zv.kryeministri Niko Peleshi dhe ish-ministri Ridvan Bode ishin mbështetësit e Skënderbeut. Nuk mungoi as trajneri i Kombëtares, Xhani de Biazi, i cili është parë shumë në humor.
Rama
Por surprizë ishte prania e Olsi Ramës, vëllai i kryeministrit. Ai njihet si një tifoz i thekur i Partizanit dhe dje kishte shkuar për të ndjekur humbjen e rivalëve dhe shpresuar te një fitore e Tiranës. Madje, në momentin që bardhebluve iu anulua goli, ishte pikërisht ai që e përjetoi më shumë në tribunë.
Tifozët
Afro 2 mijë të pranishëm në stadium dhuruan spektakël, por edhe të shara pa fund. Afro 100 korçarë u munduan që të bëheshin palë me tifozët e Tiranës, duke bërë thirrje kundër Partizanit. Por kjo nuk ndodhi, madje pas disa minutash nisën edhe përplasjet në distancë mes dy tifozërive. Pati edhe përplasje me policinë në të 7-ën minutë, madje nuk munguan as të shoqëruar në tribunën përkarshi.
Halili
Presidenti futet në dhomat e zhveshjes në fund të takimit. Ai qëndroi afro 1 minutë, ku përtej humbjes, i ka përgëzuar për paraqitjen e bërë përballë kampionëve në fuqi të vendit.
Nervat
Drejtuesit e Tiranës edhe këtë herë e kanë pasur me gjykimin. Devi Muka nuk i ka shmangur ankesat me zë të lartë në korridor, ku evidentohej se edhe këtë fazë ka raste të diskutueshëm.