Ish-zyrtari dhe trajneri i Tiranës, Alban Tafaj, ka qenë shumë i ashpër në lidhje me ato që kanë ndodhur në derbin ndaj Tiranës.
I ftuar në emisionin "Ora Skaner", ai ka replikuar me përfaqësuesin e klubit bardheblu, duke i thënë se drejtuesit e Tiranës kanë gabuar në momentin që kanë krijuar tension në fushën e blertë pas ndeshjes. Por, më shumë ai ka hedhur kritika në drejtim të drejtorit të bardhebluve, Devi Muka, që u përfshi në një sherr në pistën e stadiumit "Selman Stërmasi" me një punonjës të klubit të kuq.
"Tirana të mos merret me justifikime, por të zgjidhë çështjen, pasi ishte klubi organizator dhe mban përgjegjësi, për më tepër që fajin e ka aty brenda. Çfarë pune ka drejtori i klubit të zbresë në pistë dhe të bëjë sherre, për më tepër që nuk e ka edhe licencën e duhur", u shpreh ndër të tjera Tafaj, i cili e njeh mirë ambientin bardheblu. Ndërkohë që ai ka kërkuar edhe dorëheqje.
"Duhet të dalë njëri aty në klub dhe të mbajë përgjegjësitë, madje të ketë edhe dorëheqje", vazhdoi Tafaj. Nuk duhet të harrojmë se ky i fundit, disa vite më parë, kur ishte në drejtimin e Tiranës, është përfshirë pikërisht në një sherr që ka ndodhur në përfundim të derbit me Dinamon. Në pamjet filmike shihej qartë zyrtari aktual i FSHF-së që godiste mesfushorin Elis Bakaj, i cili në atë kohë vishte fanellën e bluve, ndërsa tani është pjesë e bardhebluve.
Dënimi
Tafaj gjithashtu ka folur edhe në lidhje me dënimin e zv.kapitenit Gentian Muça. Të gjithë të pranishmit në studio kanë dënuar veprimet e Muçës, ndërsa është folur edhe për apelimin e vendimit, që e lë atë 12 muaj jashtë fushave të blerta.
"Apelimi i Muçës mund të bëhet individualisht, edhe pse ai ka asistencën e klubit. Ndërsa në lidhje me dënimin e tifozëve është një pjesë që i takon klubit dhe mund të bëjë apelimin për dënimin që ata kanë marrë", është shprehur ndër të tjera Tafaj. Dënimet te klubi bardheblu erdhën pas derbit të fundit me Partizanin, ku pati përplasje fizike në fushë, ndërkohë që sfida kishe përfunduar.