Selemani Ndikumana rikthehet në Superligën Shqiptare. Është një nga lojtarët që ka lënë gjurmë me bardheblutë për forcën fizike në fushën e lojës, shpërthimet e shpejta në krah apo edhe për golat e realizuar.
Ka pasur jo pak raste kur ai është bërë edhe pjesë e problemeve për shkak të thyerjes së disiplinës në kampin e ekipit kryeqytetas, por kur përmendet emri i tij, tifozëria e 24 herë kampionëve jep njëzëri miratim. Prej ditësh, drejtuesit e skuadrës kryeqytetase janë duke punuar për emrat që mund të afrohen te Tirana gjatë kësaj merkatoje dhe ai i Ndikumanës është gjithnjë e më i fortë si alternativë.
Konfirmimi
Është vetë lojtari që pranon interesimin dhe në përgjigjen e tij të shkurtër për gazetën tregon edhe se do të jetë shumë shpejt në vendin tonë. I pyetur nga gazeta "Panorama Sport" nëse ka pasur interesim të Tiranës për të dhe nëse ai do të rikthehet, ai përgjigjet prerazi: "Shumë shpejt!".
Ndikumana është një ndër lojtarët që ka lënë gjurmë në memorien e tifozërisë kryeqytetase,duke qenë se ai ka treguar një formë të mirë dhe që mund të bëjë diferencën në futbollin shqiptar. 29-vjeçari mund të përshtatet edhe në rolin e sulmuesit kryesor. Në 46 ndeshje me bardheblutë, Ndikumana ka shënuar 16 herë.
Olsi Tujani