Tirana kryeqyteti i vetem ne bote pa stacion treni

Tirana, kryeqyteti i vetem ne bote pa stacion treni

Tirana është kryeqyteti i vetëm në botë pa stacion treni. Udhëtarët që përdornin këtë mjet transporti, nga sot do të duhet të marrin një autobus, që vihen në dispozicion falas nga bashkia, të shkojnë me të në Vorë e më pas aty të marrin trenin për të mbërritur në destinacionin përfundimtar.

Për shkak të nisjes së punimeve të bulevardit të ri të Tiranës, është bërë edhe zhvendosja e stacionit të trenit, si nevojë e domosdoshme, megjithatë kjo mendohet se është provizore. Në një kohë të dytë, bashkia e kryeqytetit do të vendosë përfundimisht se çfarë do të bëhet me stacionin e trenit nëse do të vijë sërish në Tiranë apo do të ketë mjete të tjera transporti.

Nga kërkimet në internet, rezulton se vetëm kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, nuk ka stacion treni. Pasi ka humbur funksionin e para viteve ‘90, stacioni i trenit në kryeqytet pushon përfundimisht së ekzistuari duke u zhvendosur në zonën e Vorës. Ata udhëtarë që vijnë nga qytete të tjera për në Tiranë, fillimisht do të zbresin në Vorë me tren dhe më pas do të marrin autobusin e vënë në dispozicion nga bashkia për të mbërritur në Tiranë. Nisja e autobusëve bëhet nga stacioni aktual i trenit, sipas orarit të nisjes së trenit dhe anasjelltas.

Punimet

Nisja e punimeve për bulevardin e ri të Tiranës ka diktuar nevojën e zhvendosjes së shinave të trenit.

Për këtë arsye, duke nisur nga sot, stacioni i trenit do të zhvendoset në Vorë. Për t’u krijuar të gjithë lehtësirat e nevojshme udhëtarëve që përdorin linjën e trenit për të udhëtuar, Bashkia e Tiranës vë në dispozicion autobusë falas, për transportin e pasagjerëve të trenit, nga Tirana në Vorë dhe anasjelltas. Nisja e autobusëve bëhet nga stacioni aktual i trenit, sipas orareve të nisjes së trenit dhe anasjelltas. Për të përdorur shërbimin falas të autobusëve, pasagjerët duhet të kenë biletën e trenit ose abonenë që i identifikon si përdorues të linjës së trenit.

Aksidentet

“Zhvendosja e shinave të trenit, përveçse i hap rrugën realizimit të një projekti strategjik, siç është ndërtimi i bulevardit të ri, do t’i japë fund ankthit të banorëve që jetojnë përgjatë zonës ku shtrihen shinat e trenit.

Aksidente të shumta, me pasojë edhe humbje jete njerëzish janë shkaktuar në këtë zonë, si pasojë e kalimit të qytetarëve dhe automjeteve mbi shinat e trenit”, deklaroi zyrtarisht dje Bashkia e Tiranës. Kryebashkiaku Basha ua premtoi banorëve të kësaj zone, zhvendosjen e shinave të trenit, në vitin 2011, një premtim që nis zbatimin duke nisur nga sot, kur fillojnë edhe punimet për realizimin e projektit të bulevardit të ri të kryeqytetit.

Sipas bashkisë së kryeqytetit, investimi që e pason këtë hap të parë, pra ndërtimi i bulevardit të ri do të sjellë një cilësi të re jete për banorët, mundësi për punësim dhe zhvillim ekonomik.
 

Shërbimi falas

Për të përdorur shërbimin falas të autobusëve, pasagjerët duhet të kenë biletën e trenit ose abonenë që i identifikon si përdorues të linjës së trenit


Bulevardi “Zogu i Parë”
Brenda javës së parë zhvendoset linja e tensionit të lartë

Punimet po kryhen nga një firmë e specializuar zvicerane, në bashkëpunim me ekspertë të OST-së

Pas 15 vitesh, linja e tensionit të lartë do të zhvendoset nga bulevardi “Zogu i Parë”. Zhvendosja e kësaj linje, një shqetësim i madh i banorëve të kësaj zone ishte një premtim i kryebashkiakut Basha, i bërë gjatë fushatës elektorale në vitin 2011. Për shkak të kompleksitetit të punës, për futjen nën tokë të kësaj linje, Bashkia e Tiranës ka marrë një ekip të specializuar nga jashtë, si dhe po bashkëpunon me OST.

Ekspertët e huaj e kanë konsideruar punën në zhvendosjen e linjës së tensionit të larte, si një ndërhyrje “kirurgjikale”. Zhvendosja do të përfundojë tërësisht brenda javës së parë të shtatorit.

Drejtori i Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Projekteve Strategjike dhe Investimeve të Huaja, Henrik Hysenbegasi, tha se punimet po kryhen nga një firmë e specializuar zvicerane, në bashkëpunim me ekspertë të OST-së.

“Punimet po kryhen nga një firmë e specializuar zvicerane, duke përdorur teknologjinë e fundit. Jemi në pikën përfundimtare, ku kryhet lidhja e kabllove. Brenda pak ditësh do të mundësojmë vënien në eficiencë të linjës nëntokësore, ‘Tirana-1’ – nënstacioni-Qendër dhe me vënien në eficiencë të kësaj linje do të mundësohet edhe zhvendosja e linjës ajrore të tensionit të lartë përgjatë bulevardit ‘Zogu i Parë’, deri në vazhdim tek stacionin Tirana-1”, tha Hysenbegasi.

“Linja e re ka një gjatësi prej 2.3 km, është ndërtuar me parametra bashkëkohorë dhe i përgjigjet zhvillimit perspektiv të rrjetit të rajonit”, tha Hysenbegasi. “Gjejmë rastin të falënderojmë Bashkinë e Tiranës, që bëri të mundur zbatimin e këtij projekti kaq të rëndësishëm për qytetarët e Tiranës”, tha drejtori i njësisë operative për Tiranën, pranë OST-së, Sali Toçilla.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama