Është koha kur mali i Dajtit ende nuk është mbuluar nga smogu dhe pamja e tij nuk është zënë nga fasadat e ndërtesave shumëkatëshe. Si një nostalgjik i kohërave të vjetra, Lek Tasi, nuk mund të mos sillte dhe një pamje idilike të shtëpive karakteristike tiranase, me pus e me carac. Ndërsa pjesa tjetër afrohet në kohë, në Tiranën e para viteve ’90. Krahas Xhamisë së Et’hem Beut e Kullës së Sahatit, apo kafe “Kursalit”, mund të shohësh praninë e Pallatit të Kulturës, ndërtimi i të cilit nisi në kohën e dashurisë shqiptaro-sovjetike apo të Muzeut Historik Kombëtar, i cili u hap në vitin 1981.
Edhe në këtë seri punësh, ai nuk i ndahet ekspresionizmit. Piktori luan me përmasat. Asgjë nuk është në proporcion të drejtë. Madhësia e objekteve varet nga rëndësia, apo nga fokusi i piktorit. Kështu, njerëzit mund të duken shumë më të mëdhenj se ndërtesat, të cilat në ndonjë rast tjetër, të ngjajnë sikur të bien mbi kokë. Në ndonjë syresh gjendesh në mes të një qyteti, që me gjithë ndërtesat-simbol, lehtësisht të dallueshme, ekziston vetëm në mendjen e piktorit. Një çift, ku gruaja është më shtatlartë se burri, ecën mes përmes kryeqytetit, me pak trafik, me një obelisk në vendin ku ngrihet 15-katëshi, me kafene e qoftere që nxjerrin tym, një çunak që shet banane diku në anë të rrugës dhe pas shpine një kurorë e plotë malesh.
“Nëse hedh në pikturë atë gjë siç e sheh (dhe ka piktorë që nuk e vrasin shumë mendjen dhe e hedhin ashtu si e shohin), tabloja bëhet e mërzitshme”, thotë piktori Lek Tasi, duke shpjeguar konceptin bazë, që është në thelbin e punëve të tij. Si për t’i shpëtuar të zakonshmes dhe të mërzitshmes, ai transformon gjithçka, duke ia nënshtruar qëllimit të tij. Karakteri ironik i Tasit, i cili ndihet në shumicën e punëve, ndeshet më me forcë në një pamje fshati, ku mjerimi i skajshëm mbytet me ngjyra të ndezura, ku një komisar është më i gjatë e më i madh se gjithë turma që i rri përreth, ku në dyqanet e bulmetit e mishit bëhet “vrasja”, ndërsa në mes të sheshit, një fshatar tërheq me zor një pendë qe me ngjyrë të kuqe. Por pavarësisht peizazheve, piktorit i pëlqen të punojë më së shumti me figurën njerëzore dhe një pjesë e mirë e tablove të tij janë të ngjeshura me një gamë të gjerë personazhesh. “Në trajtimet e mia, personazhet i largohen realitetit dhe origjinalitetit më elementar. Synimi është që ta reformosh pak natyrën, të mos e lësh në formën që e sheh, sepse bëhet e mërzitshme.
Duhet theksuar një element, një e veçantë, një personazh, por jo duke arritur deri tek karikatura”, thotë piktori, duke shtuar se pikërisht këtu, tek theksimi i së veçantës, ndryshon piktura e tij nga karikatura. “Kur ti e jep këtë element, ekspresionin e fytyrës, atëherë është art. Më pëlqen të bëj më shumë piktura që nxjerrin në pah masën”, thotë ai. E ndërsa luan me përmasat, ai vazhdon t’i qëndrojë besnik koloreve të tij të preferuara, si grija apo e gjelbra e zbetë. Ekspozita e piktorit Tekë Tasi do të qëndrojë e hapur deri në datën 31 tetor.