‘Ku kemi mendësi për biçikletat ne! Na është bërë mendja makina! Por edhe të dua të marr biçikletën nuk kam ku ta lë”, thotë e reja 30-vjeçare, Bella Mulla. ‘Më mirë do të ishte me biçikletë. Por shih ç’trafik të rrezikshëm e ç’ajër ka Tirana! A të bëhet të dalësh e shëtisësh me biçikletë?! E merr gjithë smogun në mushkëri.”, komenti i një tjetër të riu, Julian Vezi. 37-vjeçari Elton Banaj përkundrazi gjendet mbi biçikletë. Por jo vetëm sot në Ditën Botërore Pa Makina, të cilës ia ka dëgjuar jehonën në media që një ditë më parë. “Kam dhjetë vjet që eci mbi biçikletë. Më mban trupin në formë, por edhe kursej. Edhe fëmijët nga shkolla me këtë i marr dhe nuk kam pasur probleme”, thotë, i mësuar tashmë me smogun në emër të të mirave të tjera, duke u renditur në të paktët banorë të kryeqytetit shqiptar që shijojnë biçikletën dhe kontribuojnë për mjedisin.
Të njëjtat probleme që ngriti edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, në fjalimin e tij me rastin e kësaj dite, ku i mëshoi idesë se me përmirësimin e kushteve, biçikleta duhet të bëhet mënyrë jetese. Ditë kur ai vendosi të japë shembullin e tij së pari duke shkuar në punë me një nga biçikletat e programit Ecovolis, që jepen me qira tek trotuari i Tajvanit në Tiranë. Por që dje ishin të gjitha gratis. “Në Ditën Pa Makina, në të katër stacionet me biçikleta që kemi në Tiranë u morën të 150 biçikletat, meqë ishin falas. Në ditët në vijim, tani që fillon shkolla presim të rriten kërkesat, e të kemi një ndërgjegjësim në rritje në të ardhmen edhe për dobinë e biçikletave”, shpjegon Ened Mato, drejtues i programit Ecovolis.
Biçikletë tek Ecovolis
Ecovolis është sistemi publik i biçikletave në qytetin e Tiranës. Ju mund të merrni një biçikletë me qira në secilin nga stacionet Ecovolis, duke pasur një kartë anëtarësimi që jepet falas.
Stacionet janë katër:
Tek kompleksi ‘Tajvan’
Ish-Bllok
Rruga e Elbasanit
Liqeni Artificial
Çmimet:
60 lekë/ora
100 lekë/dita
900 lekë/muaji
3900 lekë/viti