Tirana ka nisur zyrtarisht fazën përgatitore për sezonin e ri, duke nisur stërvitjet me intensitet të lartë për edicionin në të cilin skuadra kryeqytetase do të mundohet t'u kthehet trofeve që u mungojnë prej shumë vitesh.
Sipas informacionit të dhënë nga vetë klubi bardheblu, pjesa e parë e fazës përgatitore do të zhvillohet në palestër dhe në kompleksin "Skënder Halili". Ndërkaq, në gjysmën e dytë të muajit korrik, Tirana do të zhvendoset jashtë Shqipërisë për të mbyllur atje përgatitjet e sezonit, duke zhvilluar edhe disa ndeshje miqësore me skuadra cilësore.
Në stërvitje me skuadrën ka qenë eshë mesfushori Ansi Nika, i cili ka gjetur akordin me bardheblutë dhe do të jetë pjesë e tyre në sezonin 2016-2017.
"Klubi po punon për të afruar të tjerë lojtarë të rëndësishëm", shkruhej në njoftimin e bardhebluve, duke lënë të kuptohet se merkato nuk është mbyllur.