Pas kësaj ceremonie, ky grup veteranësh dhe familjarësh të patriotëve i dorëzoi një flamur kryebashkiakut Edi Rama në Bashkinë e Tiranës. Gjatë takimit me ta, kryebashkiaku Rama u shpreh mes të tjerash: "Dua t‘u shpreh pasardhësve të atyre burrave të mëdhenj të këtij qyteti që ngritën Flamurin e Pavarësisë 95 vjet më parë në Tiranë, mirënjohje dhe njëkohësisht kënaqësinë e jashtëzakonshme që sot në mënyrë simbolike ndihmuan që të kujtohej kjo vepër madhështore dhe të kujtoheshin ata njerëz, emri i të cilëve është i pashlyer në faqen e ndritur të historisë së Shqipërisë të shekullit të shkuar dhe pa asnjë dyshim në faqen më të ndritur të historisë së kryeqytetit".
Me rastin e 95-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, Bashkia e Tiranës organizoi një sërë veprimtarish. Në një ecje festive, Orkestra Frymore e Qytetit i parapriu grupit të veteranëve dhe të familjarëve të patriotëve që shpallën Pavarësinë në Tiranë.
Më pas, u organizua një kros simbolik i të rinjve të shkollave të mesme që përfundoi me kupën e 95-vjetorit të Pavarësisë. Në fund u bë pranë bashkisë edhe dorëzimi i kupës për atletin fitues të krosit të të rinjve.
Marre nga : Gazeta Shqip