Tirana ka reaguar menjëherë pas dënimit të dhënë nga Disiplina, e cila ka pezulluar Gentjan Muçën për 12 muaj për thirrjet e bëra pas derbit. Ata e kanë cilësuar jo vetëm absurd vendimin e dhënë për zv.kapitenin të bardhebluve, por edhe të paprecedentë. Me anë të një deklarate, klubi kryeqytetas ka njoftuar se nuk do ta lënë me kaq, pasi ky dënim do të apelohet. Ndërsa bëjnë thirrje që këto situata të qëndrojnë larg ngjyrimeve politike, pasi në këtë formë janë duke dëmtuar vetëm futbollistët dhe klubin e Tiranës.
"Komisioni i Disiplinës ka marrë sot (dje) një vendim absurd dhe të paprecedentë duke dënuar me 12 muaj pezullim futbollistin e Tiranës, Gentjan Muça, për nxitje të urrejtjes pas ndeshjes së 4 majit. KF Tirana do të kërkojë ndryshimin e këtij vendimi absolutisht të padrejtë. Klubi do të apelojë këtë vendim duke kërkuar që të tilla situata të mos politizohen dhe të dëmtojnë më pas KF Tiranën, futbollistët bardheblu si në rastin e Muçës, apo dhe tifozët bardheblu si në rastin e mbylljes së dyerve për 8 javë", kështu shkruhej në postimin e klubit në faqen zyrtare për dënimin e dhënë për mbrojtësin e Tiranës.
Pritet tani që klubi të bëjë gati dosjen e ankimimit, ku do të kërkojë rishikim të këtij vendimi. Në rast se edhe Komisioni i Apelit do të lërë në fuqi vendimin e dhënë prej Disiplinës, atëherë Gentjan Muçës nuk i mbetet gjë tjetër veçse të shlyejë gjysmën e dënimit. Megjithatë, sipas rregullores, atij i lind e drejta që, pasi të kalojnë 6 muaj e parë të dënimit, pjesën e mbetur ta konvertojë me vlerë monetare.