Tirana refuzon dorëheqjen e Ilir Dajës. Ashtu sikundër pritej, ndodhi. Vetëm 24 orë pas vendimit të trajnerit për t'i dhënë fund bashkëpunimit me klubin për mosarritjen e objektivave, ka ardhur edhe reagimi i klubit. Me anë të një deklarate zyrtare për shtyp, ata kanë sqaruar se ekziston dëshira dypalëshe për të vijuar marrëdhënien, të paktën për një tjetër vit. Duket se edhe tifozët kanë pasur ndikim në këtë hap që ka ndërmarrë Tirana, duke qenë se numri një i pankinës kryeqytetasve ka fituar simpatinë e tyre.
Ata njoftojnë se brenda pak ditësh do të zhvillohet një analizë e detajuar, ku pritet që të evidentohen edhe gabimet që penalizuan ekipin dhe sollën dështimin për sezonin 2015-2016. Dhe, po ashtu, pritet që shumë shpejt të startojnë zyrtarisht negociatat mes Refik Halilit dhe Ilir Dajës për projektin e ri.
Tekniku do të vendosë kushtet e veta, ku prioritet sigurisht do të jetë grupi. Daja e ka thënë disa herë që do të ruajë të paktën 85% të kontingjentit, ndërsa afrimet e reja të jenë ekskluzivitet i tij. Flamurtari dhe Skënderbeu shfaqën interes në distancë për Ilir Dajën, por duket se klubi ka nxituar, duke fituar kredite. Megjithatë, fjala e fundit nuk është thënë ende.
Divorc zyrtar sigurisht që nuk ka, por që të flitet për rinovim kontrate, fillimisht duhet që të zhvillohet takimi kokë me kokë mes presidentit dhe trajnerit. Dhe vetëm nëse gjendet gjuha e përbashkët, mund të flasim për konfirmim. Deri në këto çaste, e vetmja gjë e qartë është dëshira e Dajës për të vijuar punën te Tirana, si edhe vullneti i kreut të bardhebluve për t'i besuar të njëjtit trajner edhe për një tjetër sezon minimalisht.
Deklarata
"KF Tirana, nëpërmjet kësaj deklarate për shtyp, dëshiron të sqarojë pozicionin e klubit në lidhje me dorëheqjen e trajnerit Ilir Daja. KF Tirana vlerëson punën e bërë prej tij përgjatë shtatë muajve në drejtim të skuadrës dhe e falënderon publikisht për gjithçka ka dhënë në këtë periudhë. Trajneri Daja i ka paraqitur zyrtarisht presidentit Refik Halili dorëheqjen e tij dhe në të njëjtën kohë ka mësuar se dëshira që të jetë sërish pjesë e një projekti të ri për sezonin e ardhshëm është e madhe. KF Tirana falënderon trajnerin për punën e bërë dhe korrektësinë në marrëdhënie. Gjatë ditëve në vazhdim, klubi do të bëjë një analizë të hollësishme për gjithçka ka ndodhur në sezonin që u mbyll, për të konstatuar gabimet dhe përmirësuar në të ardhmen e afërt. Gjithashtu, brenda pak ditëve, klubi do të negociojë me trajnerin Daja një marrëveshje të re dhe afatgjatë për një projekt ambicioz. KF Tirana vlerëson mendimin pozitiv të tifozëve bardheblu që njësoj si klubi vlerësojnë dhe kërkojnë qëndrimin e trajnerit Daja në krye të skuadrës", shkruante klubi në lidhje me çështjen "Daja", duke refuzuar kështu dorëheqjen e tij.