Tirana retro

Tirana retro
Kryeqyteti shqiptar në vitet '80. Fizionomia e së kaluarës e përshkruar nga Serena Luçiani tek "Një italiane në Tiranë".

Koha që ka ndalur në rrugët, sheshet, ndërtesat, shtëpitë, lagjet, por edhe në mënyrën e veshjes, të krehurit, në jetën e burrit dhe gruas shqiptare


"E pastër dhe pa makina private, syve të një perëndimori, Tirana i bënte përshtypje të mirë. Pjesës më të madhe të shqiptarëve, kjo qetësi u dukej e mërzitshme dhe e stisur, si në një klasë, në të cilën sjellja e mirë, sigurohet nga mësuesi tepër i rreptë, apo nga ndonjë komandant klase spiun".

Këto fjali, të shkëputura nga libri i autores italiane Serena Luçiani (Toena, 2009), tingëllojnë gati të pabesueshme për të lindurit e pas '90-ës, e ata që njihen me kryeqytetin sot.

Turma e makinave që lëvizin nga të katërta anët në Sheshin Skënderbe, grupi i përhershëm i njerëzve pranë Xhamisë së E'them Beut, e atyre të stacionuar në kafenenë përpara Pallatit të Kulturës, kakofonia nervoze e borive, ta bëjnë të vështirë përfytyrimin e gjithçkaje që Luçiani, e ardhur në Tiranë për të drejtuar Institutin Italian të Kulturës, përshkruan për vitin 1988. Kur "të gjithë shkonin në punë në orën 7.00 dhe në atë kohë, zërave të zogjve u shtoheshin edhe zilet e biçikletave."


Po aq të largëta në kohë duken edhe përshkrimet që i bën Hotel Dajtit luksoz, Hotel Tiranës, ndërtesës më të lartë të qytetit, Piramidës së paprekshme, zonës gati mistike të bllokut, xhirove në bulevard dhe paradave të vajzave me kordele të kuqe në raste festash kombëtare.


Dajti dikur, streha e preferuar e diplomatëve, ku mbrëmjeve kuvendohej rreth të ardhmes politike të Shqipërisë, shkëmbeheshin takime të rëndësishme mes përfaqësuesve të huaj, shtroheshin darka e rrëkëlleheshin gota, tani vuan mjerimin.
Pak kohë më parë, dyert e tij u hapën për Bienalen e Tiranës.


Vetëm hijet e së kaluarës i kishin mbetur hotelit, me mure të plasaritura, e të lagështa, dhoma të shkatërruara e të pandriçuara mirë.


E nëse padashur të binte rruga pak më poshtë, e të kapërceje vetëm disa shkallë për të hyrë në bodrum, hasje aty gjithfarë mbeturinash, si të lëna përgjysmë nga darka e fundit e diplomatëve.


Piramida, ku ndodhej Muzeu i Diktatorit, një hapësirë e ndaluar edhe për lojërat e fëmijëve, sot jeton në paqe edhe me lokale nate përbri saj. Po ashtu edhe zona e ish Bllokut të Udhëheqjes Komuniste, Byroja Politike, për luksin e të cilit Luçiani pohon se "bazohej në faktin se zona ishte e rrethuar nga ushtarë të armatosur dhe ndalohej hyrja".


Pas 2 vitesh në Tiranë, mes trishtimit të një jete që ecën ngadalë dhe kulturës së varfër të një populli të mbyllur e të izoluar, e gjendur shpesh mes fshehtësish dhe spiunazhit, ajo e tregon kështu Tiranën:


"Në të vërtetë pa gjurmë të ndonjë historie të largët, Tirana nuk kishte ndonjë lezet kushedi se çfarë. Përgjatë Lanës, që nuk përbënte lumë të mirëfilltë, por një kanal të vogël, binin në sy ndërtesa hijerënda, ndërtime të epokës sovjetike, që kishin një lloj dinjiteti arkitektonik, tanimë të dalë disi dore.


Qendra e saj e ndërtuar nga fashistët italianë, kishte njëlloj moderniteti të saj, bashkë me një racionalitet disi të rëndomtë. Bulevardi i madh, me pemët, edhe pse nuk kishte asnjë kafe, ishte zona më e këndshme. Jo rastësisht, aty zhvilloheshin edhe veprimtaritë e përditshme.


Pastaj ishin edhe rrugët e ngushta si labirinte, me shtëpi të bardha, të varfra dhe të pambajtuara nga brenda, të këndshme nga jashtë, me oborre, plot me shegë, fiq edhe nespulla. Të huajt nuk vinin as gishtin e këmbës në ato lagje, të cilat në fillim të shekullit i kishin tërhequr fotografët evropianë me ekzotizmin e tyre oriental. Në mes të Evropës, u kujtonin pushtimin otoman".


Nga ky përshkrim, lexuesi arrin të thithë ajrin e kohës. Gjuha e Luçianit është e pasur, por nuk është e vështirë të dallosh se sa e ka dëmtuar përkthimi në shqipe këtë rrëfim.

Gruaja


Dy vjet, i mjaftuan për të qenë dëshmitare e ngjarjeve të fundit që çuan në përmbysjen e regjimit në Shqipëri.


I mjaftuan edhe për t'u njohur më tepër me shqiptarët, huqet e zakonet e tyre, karakterin, familjen dhe gruan shqiptare, me variçe e qime në këmbë dhe që nuk pi duhan, tepër e dhënë pas familjes për vizionin e një perëndimoreje.
Ja sesi niste mëngjesi i gruas shqiptare në këto vite, rituali i heshtur gati i çdo dite të jetës së saj:


"Mëngjeseve në orën 5, nënat, motrat dhe gratë, përpara se të shkonin në punë, e të shpinin fëmijët në çerdhe e kopshte, zinin radhën për racionin e qumështit, mishit, vezëve, pasi në dyqane i gjeje gjithnjë në sasi të kufizuar. Kontradiktë e dukshme kjo në jetën ekonomike të qytetit deri në vitet '80.


Por, në orën 8 të mëngjesit, ishte e pamundur ta kuptoje tërë këtë: radhët kishin mbaruar që prej një ore dhe njerëzit kishin mbërritur nëpër qendrat e punës".


Një ritual i tillë, që sot shqiptarët e kanë harruar, ndiqej edhe të dielën e pushimit, kur: "Nga shtëpitë do të dilnin mori burrash me ca objekte të rrumbullakëta prej alumini sipër kokës, që u thonë tepsi, dhe që si zakonisht do merrnin për nga furra më e afërt e pjekjes.


Një kontribut i dukshëm mashkullor ndaj nevojave të familjes moderne shqiptare. Tepër e ngjashme me ragunë e së dielës që gatuhej për orë e orë nga gjyshërit dhe baballarët italianë deri në vitet '50".


Karakteri, veshja


Sa herë që Luçiani përshkruan shqiptarët, përdor si "justifikim" varfërinë dhe izolimin. Kryefjala për të shpjeguar mënyrën e të veshurit, të krehurit, qoftë edhe të shijes në ushqim. Kurse izolimi, bën më të lehtë pranimin e natyrës së tyre dinake, mosbesuese dhe mendjemadhe, tipar i përbashkët ky i shumë shqiptarëve.


"Ata njerëz të veshur varfër, jashtë mode si në veshje, ashtu edhe në krehje, nuk dalloheshin aspak njëri nga tjetri, të paktën në bazë të normave perëndimore.


Asgjë që të kishte të bënte me intelektualët dhe artistët evropianë të majtë, të gjithë njëlloj, por të ndryshëm nga të tjerët, me xhinset prej kadifeje, pulovra kashmiri, si zhele dhe këpucë Clark të vjetra prej kamoshi. Shqiptarët disi, më klasikë, ngjanin me italianët e paraluftës: këmishë të bardhë, xhaketa të errëta dhe kapele në kokë".
Ideologjia dukej e futur thellë edhe në skutat e ndërgjegjes së tyre.


Të druajtur ndaj çdo gjëje të re, ata refuzonin gjithçka. Me një kuzhinë që kishte vetëm shishqebap, shishqebap, shishqebap, ku vështirë të gjesh një frutë pas ushqimit, ose vetëm mollë, "zakonet mishngrënëse të kinezëve, shqiptarëve ua vështirosnin.


Duhet thënë se për punë të ushqimit, edhe pse me shumë mangësira, ishin snob, mosbesues dhe ziliqarë", pohon Luçiani, duke treguar edhe një fakt me rëndësi, që sot tingëllon një batutë e gjetur: "Po bukën e keni vënë re sesi e mbajnë të gjithë nën sqetull, mbi biçikletë, ashtu tërë djersë?"


Edhe pse dy vite, e mbyllur në një vend ku vështirë të gjeje një kafene në orët e vona, gjithë kohën e mbikëqyrur, ku me zor shijoheshin edhe kënaqësitë më të vogla, ka diçka që ndoshta nuk gjendej diku tjetër:


"Siguria e vendit, familjariteti i derës së hapur. Pak si ato fustanet e qepura në shtëpi, dhe sjelljet e vajzave sipas stilit të viteve '50, tepër të edukuara".

Jorida Pasku : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama