Qyteti mund të jetë shëtitja e dy të rinjve, kapur për dore, mund të jetë një shtëpi qerpiçi në qoshen e rrugicës, po edhe kaos ndërtimesh që nxjerrin kokën njëra pas tjetrës.
Pas eksperimenteve të studentëve të Modës dhe Tekstilit, të cilët kthyen në art materiale të riciklueshme, hapësirat e Galerisë FAP (Fakulteti i Arteve Pamore) i kanë zënë studentët e Ateliesë së Grafikës. Nuk iu duhet të kërkojnë shumë për të gjetur temën. Ajo është një shikim larg. “Qyteti im” quhet ekspozita e studentëve të vitit të dytë dhe të tretë, në drejtimin e pedagogëve-kuratorë Ardian Isufi dhe Ali Oseku. Pas diskutimesh të gjata, ishin studentët ata që këmbëngulën më së shumti për këtë temë, që është edhe pjesë e programit mësimor të vitit të dytë (“Ritmi urbanistik”). “Ata vetë dëshironin të ofronin situata të ndryshme nga qyteti. Elementi grafik është marrë si shenjë komunikimi. Një ide të cilën ne si kuratorë e kemi theksuar dhe studentët e kanë zhvilluar sipas eksperiencës dhe bagazhit të tyre”, - thotë pedagogu Ardian Isufi.
Për këdo që nuk e njeh Tiranën, studentët e grafikës ofrojnë disa këndvështrime. Për Blerim Tuzin, Tirana është kalë me një superngarkesë. I duhet të mbajë në kurriz, që nga Skënderbeu, xhamitë e minaretë, tek grataçielat. Një tjetër vë në dukje bumin urbanistik, ndërtimet pafund, që po i marrin frymën qytetit. Kur sheh këtë, Erinda Kazazi, nuk mund të lëshojë një britmë të zgjatur. Shumë nga studentët paraqiten më të përfshirë me qytetin dhe jo vëzhgues pasivë të tij. Për dikë, që duket se ka prirje ambientaliste, Tirana është një qytet super i ndotur, i cili është duke na helmuar të gjithëve. Nuk ka nevojë të paraqesë fushën e Sharrës, tymnajën e makinave, pluhurin e ndërtimeve. Paraqitet vetë me një maskë kundragaz në fytyrë. Të rinjtë nuk i kanë kursyer edhe tonet ironike, kur përshkruajnë vendin ku jetojnë. Eriet Muçollari paraqet një maket të stërmadh të Tiranës ku në çdo kënd ka vendosur kartelonet “Art – Kulturë”, sikur kryeqyteti të kishte qindra institucione e qendra kulturore, që ofrojnë një program të pandërprerë argëtues. Ndërkohë që dihet fare mirë se përkundër ritmeve marramendëse në fushën e ndërtimeve, në rrafshin kulturor, Tirana ka mbetur në vend. Madje së fundmi ndihet një tkurrje e ngjarjeve kulturore.
Në triptikun e Edlir Bazelit, Tirana paraqitet si një moment relaksi, një kafe e pirë në qetësi. Dy studentë të tjerë kanë kapur të njëjtën ide, por e kanë zhvilluar në kahe të kundërta: dashuria. Lindar Muça e sheh me nota pesimiste. Dy të rinj, që po hedhin hapat e parë të dashurisë në një ambient tërësisht prozaik, ku kjo ndjenjë e humb magjinë e saj në një sfond dhune. Një tjetër student e përjeton bukur këtë idil dashurie në videoartin e tij. Kjo ndjenjë shkon paralelisht me peizazhin që ofron qyteti. Siç thotë kuratori Isufi, ekspozita ofron dy amplituda të forta që japin qytetin me të mirat e të këqiat e tij. Në fund të fundit, në këtë mes nuk ka asgjë për t’u çuditur. Pikërisht kjo është Tirana. Qyteti i kontrasteve të mëdha, ku bashkëjeton e reja dhe e vjetra, ngjyrat e forta dhe ato të zymta, makinat luksoze dhe karrot e tërhequra me kuaj… “Dikush e sheh me nota pozitive, dikush negative, por e rëndësishme është që siç rritet qyteti, rritet artistikisht edhe puna e studentëve tanë”, - shton Isufi. Një nga ambientet e galerisë i është rezervuar një pakete seminaresh që studentët kanë bërë gjatë vitit mësimor. Në imazhet e xhiruara, studentët artistë paraqiten në punë e sipër, teksa debatojnë rreth treyezave të rrumbullakta, ku shkëmbejnë mendime dhe veprojnë me artin e tyre. Është përzgjedhur si mjet komunikimi splashi, apo njolla, e cila ka shndërruar një nga ambientet pranë Galerisë, nga një hapësirë të zymtë, të ndotur, në një kënd plot ngjyra dhe gjallëri, me një ndikim të fortë tek kalimtarët. Një mënyrë për të thënë se arti ka forcë të japë mesazhe, por edhe të ndryshojë qytetin.
Alma Mile : Gazeta Shekulli