Tirana urbane nga themelet

Tirana urbane nga themelet
Më 5-6 dhjetor nga mëngjesi në darkë, në Universitetin Politeknik të Tiranës, u mbajt konferenca me temë: “Arkitektët dhe Inxhinierët Italianë në Shqipëri” e organizuar nga Departamenti i Arkitekturës, Vizatimit, Historisë, Projektit të Universitetit të Firences, Departamenti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin Politeknik të Tiranës, Instituti i Monumenteve të Kulturës, Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë dhe Ambasada Italiane. Është e treta konferencë ndërkombëtare e këtij lloji që mbajnë universitetet italiane, të përqendruara te “Prania e arkitektëve italianë në vendet e Mesdheut”, këtë herë duke iu referuar Shqipërisë, kryesisht Tiranës.

Nga pala shqiptare referuan arkitektë, studiues dhe studentë të masterit, nga italianët profesorë të Universitetit Oriental të Napolit, Firences, Milanos, Palermos, Kamerinos, ai Politeknik i Torinos. Ditën e parë kumtesat filluan me një prezantim të Tiranës para se të fillonte procesi i urbanizmit.

Kryetari i Shoqatës së Arkitektëve të Shqipërisë, Artan Shkreli, e nisi me retrospektivën qysh me “qendrën e banuar, që në fakt duket se është mjaft e vjetër dhe së pari zihet ngoje në shekullin VI prej Prokopit të Qezaresë, kur ai përmend kështjellën e restauruar të Turranës në Epirin e Ri, por gjurmët urbane të saj mund të shihen ende në një kishëz paleokristiane shtruar me mozaik në perëndim të qytetit të sotëm, pranë vendit që dikur quhej Krojet e Shinjinit. Dyndja gote e më pas vala avaro-sllave e rrënoi kështjellën aty pari e cila, sipas burimeve, pas një heshtjeje disashekullore, do të rindërtohej nga feudalët vendas vetëm në kohën e sundimit turk, në fund të shek XII”.

Vijon më tej fjalimi me izolimin e Shqipërisë nën perandorisë osmane. Ja si na e sjell Shkreli Tiranën e kohës: “Ajo mbeti një qendër e orientuar nga bujqësia dhe jeta e saj monotone thyhej vetëm ditët e pazarit kur nga fshatrat rrotull dhe nga malësitë lindore vinin katundarët për të shitur prodhimet e tyre. Në këtë gjendje e gjetën udhëtarët perëndimorë qytetin kur forca e Perandorisë Osmane kishte rënë dhe perdja e hekurt me perëndimin kishte nisur të shqyhej. Një gravurë e Eduard Learit e 1851-shit tregon sheshin e tregut pranë xhamisë së vjetër (djegur më 1944-n) dhe shkallën e ulët të urbanizimit të qytetit”.

Nën Austro-Hungarinë, kryeqyteti përfiton nga inxhinierët e saj “rilevimin e parë, duke dhënë trajta urbane, sikundër ato që gjendeshin përpara ndërhyrjeve urbanistike. Tirana shpallet kryeqytet dhe, sipas arkitektit, ka dëshmi për një ndërhyrje të Ethem Pashë Toptanit aty nga viti 1908, që më saktë janë “disa makiazhe të fasadave të pazarit të qytetit”.

Ndihma më e madhe në zhvillimin, projektimin fund e krye të kryeqytetit dhe investimin në punët publike vjen nga Italia me krijimin e SVEA-s (Shoqëria për Zhvillimin Ekonomik Shqiptar). Dëshminë më të gjallë për marrëdhënien mes dy vendeve vijnë nga arkitektja Elisabetta Procida, kuratorja e arkivit Brazini, së cilës familja e arkitektit i ka lënë në dorë arkivin e tij, dokumente që më së shumti janë botuar dhe një dëshmi e diplomës, dizenjo. Brazini është i pari arkitekt, urbanist italian që shkeli në Shqipëri. Procida rrëfeu se nuk ishte e lehtë që Shqipëria të përfitonte hua nga vendin fqinj. “Shihej disi me frikë”, nuk kishin besim në kthimin e huasë.

Armando Brazini (Armando Brasini, 1879-1965) ka rëndësi për historinë e arkitekturës dhe urbanizimit në Tiranën e mes viteve ‘20 sepse është i pari arkitekt “që i jep një fytyrë të re qytetit”.

Procida flet për një ekspozim të punëve të tij te “Villa Borghese”, ku ai ka ndërtuar “qytete të vogla romane”, për të vijuar më tej për një fakt tjetër që dëshmon afrinë e tij me Musolinin. Margerita Sarfati, “një intelektuale mjaft e njohur dhe, mbi të gjitha, dashnorja e Musolinit” fakton edhe një herë afrinë e politikanit për arkitektin përmes një artikulli të gjatë që shkruan për ekspozimin. Kuratorja nuk thotë me siguri nëse arkitekti ishte thirrur nga Shqipëria apo ishte rekomanduar nga Italia, por një fakt nuk mund të lihet pa u përmendur, “ai ishte i njohur, kishte prezantuar Italinë në Paris më 1925-n në një pavijon të “Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit Dekorativ”, bashkëpunonte prej vitesh bashkë me Xhuzepe Volpin, ministër i Financave, dhe në vitin 1926 firmos projektin në vilën e Romës për Pompeo Aloisin. Ishte edhe një njeri shumë aktiv dhe i hapur”.

Para se të vinte këtu, punoi një kohë edhe në Tripoli (Libi) që ishte një koloni e Italisë, ku Volpi ishte guvernator (ashtu si të tjerë arkitektë italianë të shpërndarë në Mesdhe). Emrin e tij mban edhe kompleksi “Buon Pastore”, një kuvend dhe një kolegj si për edukimin e fëmijëve, edhe për riedukimin e nënave të reja. Brazini vjen më 1926-n, kur u vendos “Pakti i miqësisë dhe sigurisë” mes Italisë dhe Shqipërisë.

Për projektet që pritej të ngrinte dhe të realizonte, kishte kërkuar 100 mijë lira, vetëm për vete. Nuk i mori kurrë nga Zogu. “Projektet e tij ishin shumë të kushtueshme”, tregon Procida. Po si shpjegohet që ai nuk u shpërblye? “Bënte dizenjot, pastaj harrohej, merrej me diçka tjetër”. Në Shqipëri nuk mbaroi kurrë projekte. E vetmja gjë që mbetet prej tij, është ideja e aksit nga sheshi “Nënë Tereza” përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, si do mendohej qyteti, nga do shihte.

Më pas vijon rrugëtimi i ndërtimit të Tiranës me të tjerë arkitektë të rëndësishëm:

Florestano Di Fausto (1890-1965). E gjejmë në projektet e urave, Pallatin Mbretëror, planin rregullues të Tiranës. Di Fausto “mundohet të gjejë një baraspeshë midis përbërësve urbanë, si dhe midis arkitekturës së re dhe asaj të mëparshme…”

Gerardo Bozio (Gherardo Bosio, 1903-1941), inxhinier, arkitekt, urbanist, njeriu që ka kryer një sërë veprash në Tiranë. Për Bozion referoi në konferencë Armand Vokshi nga Universiteti Politeknik. Vokshi tregon në krye të herës që arkitektit iu duk qyteti “si një kopsht”. “Mendon të bëjë një sistem që shpërndahet si një njollë vaji. Sugjeron dy unaza që janë kryesore – ne me zor sot po mendojmë të bëjmë Unazën e Madhe – Autostradën për Durrësin më 1939-n, sistemon lumin e Lanës, projekton një sërë piacash, bulevardit i jep një forcë të jashtëzakonshme…”. Bozio nuk kërkon një “shpërfytyrim” të Tiranës, nuk do madje të prishë as shtëpitë me qerpiç, për shkak të mendësisë. Vijohet më tej duke i njohur çdo meritë në ndërtimin e sheshit “Skënderbej”, Shtëpisë së Fashos (Casa di Fascio), stadiumit “Qemal Stafa”, Universitetit Politeknik, Akademisë së Arteve, ish-Vilës së Mbretit Zog, sot Pallati i Brigadave dhe u mor me planin rregullues të Vlorës, Korçës, Shkodrës, Elbasanit.

Historia iu referua 3 arkitektëve, por korpusi i veprave në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë ka kërkuar edhe ndihmën e një sërë arkitektësh, Morpurgo (i njohur për projektin e Bankës së Shqipërisë), Vale, vepra e të cilit njihet pak, Abruzini etj.

Artan Shkreli: Si e gjeti Brazini Shqipërinë

E keqja ishte se natyra e qytetit ekzistues, me rrjet rrugor të çrregullt, vijat e ujit mbi tokë, akse inekzistente dhe rrugica që thuajse gjithnjë përfundonin të verbëra, nuk lejonte ndërhyrje rregullarizuese pa shpronësime të mëdha dhe kosto financiare të rënda. Tirana e qerpiçit, siç e pa Brazini, nuk mund të konvertohej në një strukturë urbane të përshtatshme për jetën e nëpunësisë së re shqiptare dhe administratës së huaj që dora-dorës zinte vend në qytet me ambasada, vila, shoqëri. Ndërsa ana e mirë e këtij qyteti, të qetë e “të lumtur” në pikëpamje të mjedisit dhe peizazhit, por kaotik në atë infrastrukturor, ishte pikërisht se duke pasur kufizim në zgjedhje, krijonte mundësinë e krijimit të një Tirane të Re, të një Tirane tjetër pranë asaj ekzistuese. Brazini mbetet një kundërshtar i thekur i lëvizjes moderne. Në autobiografinë e tij do shkruante: “Unë e admiroj Romën dhe pranoj se vetëm Roma mund të bëhet mësuesja ime”

Qyteti barok dhe ëndërrimtar i Brazinit

Arkitektët italianë, fjala e Antonela Grekos, shkëputur nga libri “Arkitektura të Modernes, Tirana 1923-1940) i Patricia Kapolinos:

Gjithmonë në vitet ’20, nga ana tjetër “në mënyrë të tepruar, të fryrë e të parealizueshme” Brazini tentonte t’i jepte formë qytetit të Romës përmes boshllëqeve skenografike, forumeve, akseve dhe piacave, ashtu siç projekton edhe qendrën e Tiranës me atë imazh perandorak e mediatik të sugjeruar nga retorika e Romës së Tretë, që ai interpreton si një imazh të domosdoshëm që do të rikthehet si shembull për forumet dhe piacat me shtylla E.42 piaçentine.

Qyteti shqiptar i viteve ’20, protektorat, sidomos tregtar para aneksimit, nuk është akoma mjedisi për aplikimin e teorive dhe gjuhëve racionaliste, si do të jetë për Asmarën, Adis Abebën ose për Tripolin dhe Libinë e Balbos. Nuk është sigurisht ajo fushë pjellore që regjimi fashist do të mbushë me kolonë dhe qytete, vend i konkurseve, eksperimenteve, shtëpive të reja rurale. Ky është lulëzimi i një ideje të romanizimit, që ka në arkitekturën manieriste e baroke referimet e saj të nevojshme. Tirana “pasqyron” qytetin barok dhe ëndërrimtar të Brazinit ose mikelanxheloizmat e Florestano Di Faustos. Ajo arkitekturë në Shqipëri nuk është ende arkitekturë e “perandorisë”, por gjurma e qëndrueshme e një protektorati që shfaqet në aparatet zyrtare dhe ekonomike të një shteti tjetër. Banka e Tiranës e Balio Morpurgos, sistemi i piacave, shtyllat triumfale, shtëpia e Partisë Fashiste, Vila Mbretërore, si përfundim ritheksojnë më vonë një prirje për të mos “krijuar një qytet” si në Afrikën Lindore, por për të vendosur një imazh pushteti që evolon nga romak e ëndërrimtar në perandorak e fashist. Çudit fakti që edhe arkitektët e rinj italianë nuk marrin pjesë në hapjen e kësaj rruge drejt lindjes, por duan mbi të gjitha të nxjerrin veten në plan të parë në kolonizimin e tokës afrikane

G.L.Giordani për “Sheshin e ministrive, sheshin “Skënderbej”, marrë nga libri “Arkitektura të Modernes, Tirana 1923-1940”

Di Fausto

Projekti i përpunuar nga Florestano di Fausto mbështetet mbi planin rregullues të ’26-s, hartuar Frashëri, Kastelani dhe Vais. Di Fausto mundohet të gjejë një baraspeshë midis përbërësve urbanë, si dhe midis arkitekturës së re dhe asaj të mëparshme. Sheshi ka një formë rrethore të stërzgjatur dhe është një hapësirë përbashkuese, meqenëse përshkohet nga boshti i ri rrugor menduar nga Brazini, si dhe përmbledh rrugët që të sjellin në Tiranë. Traseja e Rrugës së Durrësit, kur hyn në hapësirën e sheshit krijon një pikë vëzhgimi parësore për admirimin e xhamisë së Et’hem Beut. Rëndësia që i jepet në projekt kuptohet dhe nga lidhja e ngushtë e saj me ndërtesat e ministrive, të cilat janë dykatëshe për të mos e tejkaluar në lartësi. Gjuha arkitekturore ndjek rregullat e një arkitekture klasike të historizuar pa asnjë tipar të arkitekturës vendase. Këndet e rrumbullakosura të ndërtesave, kolonat e futura në mure, kamaret në vëllimet e përcaktuara janë të gjitha tipare dalluese të stilit “barocchetto romano”. Kjo krijon një monumentalitet minimal që pak ka të përbashkët me zbrazëtinë e hapësirës së qytetit dhe e bën më të prekshme këtë ndjesi. Ndërtesat e ministrive janë të vogla dhe të papërshtatshme, prandaj në ndërtim e sipër hartohen projektet e para për zgjerimin e tyre. Historizimi duket qartë edhe në mënyrën e ndërtimit. Ndonëse me skelete betoni dhe mure të mbushura, nga jashtë ndërtesat kanë pamje tradicionale, sepse stuket dhe suvatimet e përdorura bëjnë që muret të duken si prej guri.

Bozio

Më 1939-n Bozio përpunon rishtazi sheshin dhe i jep një pamje tjetër. Forma e sheshit, shprehje e një arkitekture baroke, ndryshon duke e bërë sheshin një vazhdim të shëtitores, hijeshuar nga dy radhë pemësh. Shëtitorja shkrihet me sheshin e ri, i cili është “koka” e shëtitores perandorake. Një drejtkëndësh i gjatë me drejtim lindje-perëndim, rrethuar nga ndërtesa me portikë të gjatë, të cilët nisin prej bashkisë dhe përfundojnë në sheshin gjysmërrethor të Pazarit. Fasadës në formë harku të Bankës kombëtare, ndërtuar nga V.Balio Morpurgo, i kundërvihet përkarshi ndërtesa e një banke të re. Vendin e Pazarit të Vjetër e zënë blloqe me ndërtesa me oborr, rrethuar nga portikë. Ndërtesa që do të ngriheshin jo në vijën e xhamisë së Et’hem Beut, por pak më tutje, për të nënvizuar hapësirën e re nga e vjetra. Ndërtesa e bashkisë, ndërtuar nga Florestano di Fausto, sipas formës së sheshit, parashikohet të shembet dhe t’ia lërë vendin një ndërtese të re, më të madhe, në formë katrore, me oborr qendror dhe portik që do të shohë nga sheshi i ri. Ndërtesa e re e bashkisë luan edhe një rol të rëndësishëm duke shërbyer si përmbyllje e shëtitores “Zogu I” që në planin e ‘39-s nuk duhet të ishte vijueshmëria e shëtitores perandorake.

Brazini ishte shumë i lidhur me format baroke

“Arkitekti Brazini në fillim të viteve ‘20, kohë kur vjen në Shqipëri, ishte shumë afër Musolinit, ka bërë shumë plane urbanistike për qendrën e Romës, që asokohe po bëhej kryeqyteti i ri i Italisë fashiste dhe po përpiqej t’i jepte një imazh të ri. Brazini ishte një arkitekt shumë i lidhur me format baroke, por edhe me format që buronin nga romanizmi, Roma antike. Një nga imazhet që në fillim të qeverisjes së tij Musolini donte të përdorte për t’i prezantuar botës Italinë e Re, ishte stili roman që arkitekti studionte prej vitesh”.

Arkitekti Shkreli ndalet “te hyrja madhështore e Kopshtit Zoologjik të “Villa Borghese””, që e cilëson një vepër neobaroke e Romës. Ai na prezanton një Brazini “dekorator brendish dhe designer mobiljesh në të ashtuquajturin ‘stile imperio’. Zhvillon vizionin e tij urban në kuarterierin Flaminia të Romës dhe merr famë sidomos me librin e Paolo Oranos “Urbe Massima” botuar më 1917-n. Aktiviteti i tij është mjaft i larmishëm dhe pa hezituar, më 1919-n, punon pranë industrisë së re kinematografike si kostumograf dhe skenograf”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama