Festimet për këtë fund- vit filluan me ndezjen e dritave të pemës, secila përmban 640 dekorime dhe gjithashtu ka 25 200 drita. Më tej, dekori ka vazhduar me bulevardet dhe rrugët kryesore të qytetit. Si kurrë më parë, Tirana ka të dekoruara shumë rrugë, që nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, tek “Zogu i Parë”, rruga e “Kavajës”, rruga e “Durrësit,” rruga e “Elbasanit”, rruga e “Dibrës”.
Gjithashtu janë dekoruar 1500 shtylla. I gjithë qyteti, sot ka 3 milionë e 300 mijë drita, në të gjithë dekorimet që janë përdorur për të gjitha rrugët. Natyrisht dekorit i janë bashkëngjitur dhe shumë aktivitete festive që do të zhvillohen përpara pemës, në sheshin “Skënderbej”, në rrugën “Murat Toptani”, por edhe ambiente të tjera të kryeqytetit, si qendra “Ten”, Teatri i Metropolit etj.
Janë shumë aktivitete festive për të gjitha grup moshat , duke filluar që me fëmijët, të cilët mezi presin festat e fund-vitit, dhuratat e çdo gjë tjetër. Aktivitetet për fëmijë janë përqendruar kryesisht përpara pemës, pasi është dhe ambienti më i preferuar për ta. Gjatë ditëve të pushimit do jetë Teatri i Kukullave, Cirku, animatorë, babagjyshët.
Çdo pasdite, tek pema do të ketë animatorë edhe babagjyshë, të cilët do të bëjnë lojëra me të gjithë fëmijët që do i afrohen pemës apo do të bëjnë fotografi me ta, për ta bërë sa më të këndshme këtë atmosferë për fëmijët e pse jo, në mënyrë që ata të kenë një kujtim të bukur nga ky fundviti.
Do të ketë një festë ditën e Krishtlindjeve. Më datë 24, në mbrëmje e deri ne orët e para të datës 25 do të ketë aktivitet tek Pedonalja, një festë për të rinjtë. Më tej, më datë 25, përpara pemës do të ketë aktivitete për fëmijë, ansambli dhe koncert me muzikë klasike, krishtlindjesh. Aktivitetet do të variojnë për të gjithë grup-moshat dhe për çdo shije.