TIRANË, 21 Tetor /ATSH- I. Vata/ -Këshilli Bashkiak i Tiranës zhvilloi sot mbledhjen e radhës, ku dhe u miratuan dy vendime shumë të rëndësishme, dhënia e ndihmës ekonomike për familjet në nevojë dhe pagesa për Personat me Aftësi të Kufizuar.
Keshilli Bashkia i Tiranës, nëpërmjet një deklarate për mediat, bën të ditur se "Këshilli miratoi vendimin për dhënien e ndihmës ekonomike për periudhën 1 deri 31 tetor 2015, si dhe vendimin për ndarjen e pagesës për Personat me Aftësi të Kufizuara dhe Invalidët e Punës për periudhën 1 deri në 31 tetor. Një tjetër vendim ky që i vjen në ndihmë një kategorie të tërë sociale që përfiton mbështetje financiare nga institucionet shtetërore, vendim do të sjellë përfitime për personat me aftësi të kufizuar, kujdestarët e një personi me aftësi të kufizuar, personat e verbër, kujdestarët e një personi të verbër, paraplegjikët - tetraplegjikët, kujdestarët e një paraplegjiku - tretraplegjiku dhe të gjithë invalidët e punës".
Sipas këtij vendimi, që prek 24 njësitë administrative të qytetit të Tiranës, përfitojnë 22.282 persona me aftësi të kufizuar. Këshilli diskutoi gjithashtu mbi kërkesën e këshilltarëve të opozitës për dhënien e informacionit me debat me kryetarin e bashkisë, Erion Veliaj, për disa çështje jashtë rendit të ditës. Kreu i Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi, e pranoi në këtë kërkesë, duke lajmëruar se seanca do të zhvillohet në mbledhjen e ardhshme, thuhet në deklaratën e Këshillit Bashkiak. /a.ke/