Tirane 14.400 paciente te shendetit mendor

Tirane, 14.400 paciente te shendetit mendor
Në 9 muajt e parë të vitit ka pasur fluks të madh vizitash si për të rritur dhe për fëmijë në Qendrat Komunitare të Shëndetit Mendor në kryeqytet. “Numri i vizitave për adultë ka kaluar shifrën e 12.000, ndërsa ai i moshave pediatrike rezulton mbi 2400. Përafërsisht secila qendër realizon çdo ditë 40 vizita”, bëri me dije drejtoresha e ASHR, Liliana Ramasaço në aktivitetin e zhvilluar në kuadër të Ditës Botërore të Shëndetit Mendor. Në këtë ditë, ASHR dhe MSH organizuan një aktivitetet me mjekët dhe pacientët e qendrave komunitare të shëndetit mendor në kryeqytet.

Në Qendrën e shëndetit mendor numër 1 u është hapur kartelë 590 pacientëve kronikë me skizofreni apo çrregullime të tjera psikotike dhe 910 të tjerëve me çrregullime afektive. Në Qendrën numër 2. të shëndetit mendor janë kartelizuar 1792 pacientë kronikë. Ndër to 1432 janë pacientë me çrregullime, që i përkasin moshës së rritur përkatësisht nga 18 deri 60 vjeç. Kurse 250 të tjerë kronikë janë me prapambetje mendore dhe demenca dhe i përkasin moshës mbi 60 vjeç. Ndërsa në Qendrën numër 3 të shëndetit mendor janë kartelizuar 1740 të rritur dhe janë hapur kartela dhe për 2290 fëmijë, nga të cilët 268 janë ata me spektrin autik.

Llojet e çrregullimeve, që janë konstatuar gjatë vizitave në këto qendra dhe që janë më të shpeshta sipas të dhënave statistikore janë: Për adultet, çrregullimet afektive, skizofrenitë, prapambetjet mendore, neurozat, çrregullime psikotike, ato depresive dhe deluzionale, të personalitetit. Ndërsa tek fëmijët hasen më shpesh, prapambetjet mendore, spektri autik, çrregullimet e sjelljes, të ankthit, të humorit e ato të gjuhës dhe komunikimit.

Personat, që trajtohen në pjesën më të madhe të rasteve i respektojnë këshillat e mjekëve. Po mjekët kanë konstatuar edhe raste të ndërprerjes së mjekimit dhe kjo i ka çuar pacientët në riakutizimin e gjendjes. Këto rastet janë identifikuar nga ekipët, që punojnë në terren dhe që mbajnë kontakte të vazhdueshme me përdoruesit e medikamenteve dhe familjarët e tyre. Është punuar dhe vazhdon të punohet në drejtim të psikoedukimit nga stafi multidisiplinar i përqendruar në punën në terren dhe nëpër qendrat. Në këto qendra vlerësimi dhe trajtimi i personave me çrregullime mendore bëhet nga një ekip multidisiplinar. Ky grup pune ofron veç trajtimit medikamentoz dhe suportin psikologjik e social. Gjithashtu ndjekin në banesën e pacientit ecurinë e tij për të marrë mjekimin dhe realizon dhe seancë këshillimi me familjarët e tyre.
 
Slogani i këtij viti nga OBSH është Depresioni: Një krizë globale
Në aktivitet drejtori i Politikave në MSH, Pëllumb Pipero tha se në 2030 OBSH parashikon, që sëmundjet mendore të jenë të parat në listën e sëmundshmërisë, duke lënë pas dhe ato të zemrës, ndaj duhet të kujdesemi për parandalimin dhe kurimin e çrregullimeve mendore. Në botë depersioni madhor prek 1 në çdo 10 persona dhe aktualisht 350 milon persona në botë janë të prekur nga depersioni.

Teatri Kombëtarë i Komedisë në Ditën Botërore të Shëndetit Mendor dha falas shfaqja “Harroje dashurinë”, me regji të Erion Kame.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama