Vendi ynë, sigurisht që nuk është i vetmi, në rajon e më gjerë, që është përfshirë nga vorbulla, për shumëkënd e papranueshme, e çmimeve gjithnjë e më në rritje të produkteve ushqimore dhe atyre bazike. Nuk është nevoja ta dëgjosh nga një specialist për të kuptuar se inflacioni po bëhet gjithnjë e më dramatik për shtresat më të dobëta sociale, dhe në veçanti për të moshuarit, për të papunët, për të paaftët fizikisht, për të cilët, të mbushësh karrocën me ushqime në supermarket është kthyer me plot gojën në një “mision të pamundur”.
Ndodh në ditë si këto, kur xhepat janë shkundur nga shpenzimet klasike të Vitit të Ri (shqiptarët nuk do të heqin ndoshta asnjëherë dorë nga besëtytnia se po i gjeti ndërrimi i viteve me tavolinën plot, ndoshta ajo ashtu do të jetë çdo ditë të Perëndisë), që shumë nga ato produkte që fqinjët tanë i klasifikojnë tek ato jetësoret, ne t’i shtyjmë jo pa keqardhje tek produktet e luksit. Dhe kjo jo vetëm sepse të ardhurat për frymë të shqiptarëve janë ku e ku më të ulëta se ato të tyret, jo vetëm se këtu niveli i jetesës nuk justifikon shumicën e çmimeve të produkteve të shportës. Por sepse, veç të tjerash, të njëjtat produkte që i importojmë prej fqinjëve të afërt, mbushin raftet e supermarketeve tona me çmime minimalisht 40% më të larta sesa i gjen andej.
Tregtarët nga ana e tyre mund edhe të tentojnë të shpjegojnë se kjo diferencë e dukshme çmimesh reflekton as më pak e as më shumë koston e transportit nga vendet e prodhimit, pastaj doganat, etj., etj.. Por e vërteta është se me gjithë këto të marra bashkë, dy-fishi i çmimit është fare i pajustifikueshëm. Siç edhe pranojnë nën zë, pas furnizimit në magazinat e mëdha, tregtarët i vendosin çmimet siç duan, bazuar në xhiron apo në zonën ku tregtojnë dhe mbi këtë larmi çmimesh nuk kalon asnjë lloj kontrolli. Jo vetëm kaq, po shpesh produkte të së njëjtës markë falsifikohen e amballozhohen brenda vendit dhe serviren në treg si mallra importi, duke mbajtur të njëjtin çmim si të ngjashmet e tyre origjinale.
Ka vetëm pak ditë që shumë emigrantë që kishin ardhur në Shqipëri për festat e fundvitit u nisën sërish drejt Italisë, Greqisë e më tej, në vendet ku jetojnë prej vitesh. Shumë prej tyre erdhën dhe ikën me në gojë shprehjen që tashmë është bërë klishe: “Krizë...krizë...krizë e madhe...!”. Të pakënaqur ndoshta, të sakrifikuar, të lodhur, herë me punë e herë pa punë. E megjithatë askush me krizën nuk nënkuptonte të shtrënguarin e rripit deri të ushqimet. Mund të flitej për rritje të çmimit të karburantit dhe se kursimet për shlyerjen e kredisë mund të kushtëzonin tanimë fundjavat pushuese, por askush nuk fliste për çmim të lartë të bukës, vajit, orizit, vezës etj. dhe qeraja e faturat e dritave dhe të gazit paguheshin ende pa shtrëngime.
Dhe kjo jo thjesht dhe vetëm se të ardhurat e tyre mujore janë fish më të larta sesa ato të këtushmet, por sepse shporta e ushqimeve ka çmime më të lira se tonat. Ushqime që, sikur të mos mjaftonte, nuk kanë as cilësinë të njëjtë. Ndaj nuk ka asgjë për të çuditur në habinë e tyre kur mësojnë se një pako me makarona Barrilla që në Itali kushton vetëm 45 cent, këtu kushton 140 lekë (1 euro) dhe se me një 5 mijë lekësh atje mund të mbushesh karrocën me ushqimet e dy javëve, ndërsa këtu nuk mjaftojnë as për një.
Dhe me diferencën, vërtet të rëndë për xhepat e shqiptarëve, tregtarët mund të luajnë si të duan. Mbi çmimet e produkteve të shportës në supermarkete, markete, e në çdo dyqan modest lagjeje e rrugice nuk ka asnjë formë kontrolli. Të njëjtin artikull e gjen me çmime të ndryshme, jo vetëm nga njëri qytet në tjetrin, por edhe brenda lagjes. Por ama, kudo është një e përbashkët. Janë ku e ku më shtrenjtë sesa të njëjtat produkte jashtë vendit. Ashtu siç janë ku e ku më pak cilësor.
Rrjetet e supermarketeve në vend, funksionojnë si të mëvetësishme, edhe pse i bashkon një emër. Ndaj, brenda së njëjtës linjë, në qytete të ndryshme, gjen çmime të ndryshme. Pronarët e bashkëpronarët e tyre bëjnë furnizime të mallrave të importuara në magazinat e shumicës dhe pastaj i vendosin vetë çmimet në rafte, pa u ndikuar asfare nga emri. Ndërkaq, shumë produkte që serviren si prodhime italiane dhe mbajnë një çmim superior, gjoja të justifikuar nga cilësia, për vetë emrin e rrjetit të supermarketeve ku shiten, janë në fakt kopje të tyre të ambalazhuara në Shqipëri. Një abuzim i tillë ndodh kryesisht me detergjentet dhe shampot.
Në Shqipëri, ku paga mujore minimale mujore shpesh nuk i arrin as 20 mijë lekë, një litër vaj luledielli sot kushton 240 lekë, një bukë masive 80-120 lekë, dhjetë vezë 150-200 lekë, një kg mish 700-800 lekë e po aq djathi.
Çmimet e larta godasin veçanërisht pensionistët e varfër që jetojnë në qytet, familjet e të papunëve, atyre vetëm me një prind dhe familjeve me shumë fëmijë.
Nga një vështrim i shpejtë që kemi bërë nëpër disa supermarkete në Tiranë, po ju sjellim, si në tabelë, çmimet e disa produkteve bazë, krahasuar me ato për të njëjtat produkte në Italinë fqinje.