Tirane eksploziv lokalit ne shtator plagosen pronarin

Tirane, eksploziv lokalit, ne shtator plagosen pronarin

Një sasi eksplozivi është vendosur në një lokal në kryeqytet, tre muaj pas plagosjes me armë të pronarit të këtij biznesi. Emigranti 29-vjeçar i kthyer vetëm prej pak kohësh nga Anglia, sulmohet sërish nga persona ende të panjohur. Sulmi ndaj tij është kryer me eksploziv në lokalin ku e qëlluan me armë zjarri më 15 shtator të këtij viti. Burime nga Policia e Tiranës thanë se dje rreth orës 03:00 të mëngjesit, një sasi eksplozivi ka shpërthyer në lokalin “Piano Bar”, pranë Shkollës së Baletit, në pronësi të shtetasit Fatjon Dauti. Të njëjtat burime thanë se sasia e eksplozivit, rreth 200 gramë, është vendosur në derën e lokalit dhe është aktivizuar me ndezjen e fitilit përcjellës, duke sjellë shpërthimin.

 

Në atë moment lokali ishte i mbyllur dhe fatmirësisht eksplozivi ka shkaktuar vetëm dëme të konsiderueshme materiale, por asnjë të plagosur. Burimet thanë se sulmi i dytë ndaj Dautit është paralajmërim i radhës nga persona ende të paidentifikuar, por më të cilët dyshohet se ai ka pasur një konflikt të mbartur që prej kohës që jetonte si emigrant në Angli. Më 15 shtator Dauti i shpëtoi një tjetër ngjarjeje të rëndë në lokalin e tij, kur një fuoristradë tip “BMW X6” ka ndaluar para derës. Në makinë ndodheshin katër persona, por vetëm dy kanë zbritur prej saj dhe njëri i ka drejtuar armën duke qëlluar 7 herë. Nga 7 të shtëna me armë, vetëm një plumb e ka goditur Fatjon Dautin në afërsi të brinjëve dhe i ka dalë diku afër kofshës.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama