Tirane protesta e urbaneve pezullon sherbimin

Tirane, protesta e urbaneve pezullon sherbimin

Transporti qytetas është pezulluar dje për rreth një orë. Punonjësit pranë këtyre shërbimeve, shoferë e faturino për shkak të mungesës së marrjes së pagës për tre muaj me radhë kanë vendosur për të protestuar dhe për të sjellë vëmendjen e Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Transporteve lidhur me rishikimin e kushteve ku operojnë sot linjat ndërqytetëse dhe marrjen parasysh të kërkesave të kohës.

 

Nëse nuk do të ketë reagim nga qeveria qendrore dhe ajo vendore greva do të vijojë me afat të papërcaktuar.

Qytetarët dje kanë pasur probleme duke pritur për rreth 30 minuta me radhë në stacione, por protesta ka qenë e tillë kur një pjesë e udhëtarëve janë detyruar të zbresin edhe pse jo në stacionin e kërkuar. Protesta e përfaqësuesve të linjave të transportit ishte njoftuar për t’u zhvilluar për rreth 60 minuta pranë Bashkisë së Tiranës, por në këtë rast protestuesit mund të zgjidhin problemin mes tyre si punonjës dhe epror, ose duke iu drejtuar gjykatës, ndërkohë që qytetarët varen nga vendimet e tyre…

Sipas protestuesve ka rritje të kostove për shërbimin e transportit, ndërsa për vite me radhë nuk ka rritje çmimi. Bashkia e Tiranës ka vendosur ultimatum për mosrritje të çmimit të biletës dhe abonesë, për ato kompetenca që ka pushteti vendor lidhur me linjat e transportit, ndërkohë vendime për sa i takon ndryshimeve në kosto dhe kushteve ku operojnë sot subjektet vendimin e merr Ministria e Transporteve në bashkëpunim me Financat dhe miratim përfundimtar nga Këshilli i Ministrave.

Qytetarët e Tiranës janë detyruar të ndërpresin udhëtimin ose të qëndrojnë nëpër autobusë për 30 minuta. Në orën 10:00 të paradites, 7 linja të transportit urban që operojnë në Tiranë kanë ndalur nëpër stacione në shenjë proteste për mosrritjen e çmimit të biletës. Drejtues të sindikatave të transporteve thonë se shoferët dhe fatorinot nuk janë paguar prej tre muajsh për shkak se shoqëritë nuk përballojnë kostot. Ndaj kërkohet ose rritje e biletës së udhëtimit ose kompensim më i lartë nga shteti. “Ne kërkojmë që të ulet Ministria e Transporteve dhe Ministria e Financave të rakordojnë me shoqëritë e transportit në mënyrë të atillë që të shihet çmimi i biletës ose subvencioni me qëllim që të dalin pagat e punëtorëve, të cilët nuk po paguhen prej dy-tre muajsh. Kur është vendosur në 2004 çmimi i biletës, çmimi i karburantit ka qenë më i ulët, ndërkohë që sot është rritur ndjeshëm”, thotë Zija Hasanaj, kryetar i Federatës së Sindikatave të Pavarura të Punonjësve të Transportit. Shoqëritë e transportit prej kohësh kanë kërkuar rritjen e biletës së udhëtimit brenda qytetit nga 30 lekë aktualisht në 70 lekë.

Një kërkesë e tillë është bërë sërish pranë Ministrisë së Financave, Transportit dhe Bashkisë së Tiranës dhe dikastereve të tjera që mbulojnë kategori të popullatës, të cilat udhëtojnë falas.

Nga ana tjetër, tre muaj më parë u kërkua nga shoqata e transportit marrja në konsideratë e një drafti ku bëhet propozimi i rritjes së çmimit të biletës një përdorimshme në 70 lekë, si dhe rritje e çmimit të abonesë, vlerës së pajtimit mujor.
 

Të dhëna

 
Protesta

Qytetarët dje kanë pritur 20 minuta në stacione, nuk kanë marrë shërbimin e rregullt të transportit, janë lënë brenda në autobus për një kohë të gjatë për shkak të protestës së punonjësve
 

Pezullimi

Në orën 10:00 të paradites, 7 linja të transportit urban që operojnë në Tiranë kanë ndaluar nëpër stacione në shenjë proteste për mosrritjen e çmimit të biletës

 
Kërcënimi

Sipas protestuesve në rast se Ministria e Financave dhe ajo e Transporteve nuk ulen të shqyrtojnë kërkesat që kanë sot, punonjësit e sektorit të transportit protesta do të jetë pa afat


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama