Lajmi i mirë është se askush nuk ka vjedhur asnjë biçikletë në Tiranë, lajm edhe më i mirë, që po shtohen “konsumatorët” e dy rrotakëshit, duke ndihmuar mjedisin, fizikun por edhe mushkërinë e kryeqytetit. “Ecovolis” është sistemi i biçikletave me qira. Stacionet janë vendosur në vende të ndryshme të qytetit, për të bërë të mundur që anëtarët të marrin biçikletën në një nga stacionet afër me pikën e tyre të nisjes dhe ta kthejnë në stacionin tjetër më të afërt të destinacionit të tyre. Në disa vende të përcaktuara, do të ketë tetë stacione në të gjithë qytetin. Numri i stacioneve do të shtohet, veçanërisht në zona me dendësi të lartë të popullsisë dhe me trafik të rënduar.
Ideja e stacioneve të biçikletave me qira është për të udhëtuar nga një pikë e qytetit në një pikë tjetër, si një mënyrë transporti për punët e përditshme. Qëllimi është që stacionet të kenë gjithnjë biçikleta, që kushdo që kalon aty pranë dhe kërkon një biçikletë të ketë mundësi të marrë një të tillë. Pagesa për përdorimin e shërbimit ndahet në dy elemente: pagesa për kohën e përdorimit të biçikletës dhe pagesa e abonimit. Pagesa për kohën e përdorimit të biçikletës është e lidhur drejtpërdrejt me sasinë e kohës që përdoret biçikleta.
Biçikleta janë kryesisht biçikleta për qytet (city bike) dhe kanë dy burime: Burimi kryesor i biçikletave është Capriolo, kompania më e madhe e prodhimit të biçikletave në Ballkan. Ndërsa një pjesë tjetër e biçikletave merren nga organizata amerikane “Pedal for Progress”, të cilat janë biçikleta të ricikluara të markave më të mira. Teknikët e “Ecovolis” bëjnë njëjtësimin e biçikletave, duke i lyer, duke i rregulluar dhe duke ndërruar disa nga pjesët për të krijuar uniformitet. Të ardhurat nga abonimet dhe pagesa e përdorimit të biçikletave përdoret për mirëmbajtjen e stacioneve dhe biçikletave, për pagesën e punonjësve të shërbimit si dhe për aktivitete ndërgjegjësuese dhe sociale, të cilat do të kenë në fokus promovimin e lëvizjes me biçikletë. Dhjetë persona janë rekrutuar për të përgatitur biçikletat, për të vendosur stacionet si dhe për të shërbyer në stacionet e biçikletave. Me hapjen e stacioneve të tjera do të punësohen persona të tjerë. Gjithashtu kësaj nisme i janë bashkuar shumë vullnetarë.