Studimi është publikuar në “Journal of Personality and Social Psychology”. Edhe pse konteksti është tipik amerikan dhe mendja të shkon menjëherë te “Wall Street”-i, rezultatet e sondazheve nuk janë aq të huaja për vendet e tjera. Ajo që e rrit edhe më shumë atmosferën e ligjit të xhunglës, është bindja se në përgjithësi një burrë shpërblehet për një sjellje të vrazhdë që bën, ndërkohë që rregulli nuk zbatohet për gratë. Të qeshura ose të pasjellshme, femrat fitojnë gjithmonë 10 mijë dollarë më pak se kolegët meshkuj.
Studimi i shkencëtarëve bazohet te tre kërkime të publikuara më parë dhe te një sondazh, pjesë e të cilit kanë qenë 10 mijë persona, konkretisht punëtorë dhe të tjerë me pozicione karriere të ndryshme. Çdo njeri e njeh çështjen në fjalë, madje edhe të rinjtë e sapodalë nga bankat e shkollës. Nga pesë tiparet që përbëjnë personalitetin e një individi (mendjehapur, i vetëdijshëm, i mirësjellshëm, qëndrueshmëri emocionale, i hapur), vetëm njëri është i dëmshëm për karrierën: mirësjellja. Zakonisht këtë tipar e shohim si aftësi për t’u dhënë vlerë marrëdhënieve me të tjerët, për të ndihmuar një koleg në vështirësi, për t’u ndier vetvetja në punën në grup dhe për t’u konsideruar një mik i këndshëm për të tjerët, në mënyrë që të të frekuentojnë edhe në kohën e lirë.
Asgjë nga këto që përmendëm më lart nuk klasifikohen te mirësjellja, sidomos në punë. Në vendin e punës duhet të dish t’i kërkosh gjërat me forcë. Të rebelohesh kundër të këqijave. Të mbrosh pozicionin tënd nëpër konflikte. Të përdorësh armën e inatit, në mënyrë që të dëgjohesh. Të marrësh gjithmonë pjesën më të madhe të tortës. “Sepse një qëndrim që nuk ka lidhje me mirësjelljen është tregues i aftësisë dhe i suksesit, sidomos në ato ambiente ku mbizotëron konkurrenca dhe agresioni”, shpjegojnë studiuesit.
Një recetë e tillë nuk ka se si të mos krijojë pakënaqësi në marrëdhëniet mes kolegëve dhe subjekteve të ndryshme. Pa përmendur pastaj që shpesh dashuria dhe harmonia të çojnë në një sjellje shumë të ngushtë me të tjerët. Inovacioni dhe kreativiteti pasqyrojnë të kundërtën, lot dhe dridhje, që thyejnë një harmoni të konsoliduar, por që teorikisht projektojnë një kompani drejt së ardhmes. Në fund koncepti i ftohtë i të gjithë studimit është ky: nëse çdo ditë kalojmë tetë orë së bashku në zyrë, kjo gjë nuk ndodh nga dashuria e madhe që kemi për kolegët, por sepse jemi bashkë për të rritur suksesin e biznesit.
“Prandaj është më mirë të heqim dorë nga dashuria njerëzore dhe të fitojmë sa më shumë pikë në favorin tonë”, theksojnë tre ekonomistë amerikanoveriorë pas një rishqyrtimi psikologjik, ku femrat mbeten gjithnjë prapa në rolin e tyre konvencional dhe përjashtohen nga rregullat e konkurrencës. “Sepse, sjellja e keqe nuk përputhet me modelin e sjelljes femërore. Një sjellje e pahijshme nuk ka të njëjtën domethënie si për femrat ashtu edhe për meshkujt”, shpjegojnë tre ekonomistët. “Seksi i dobët” duhet të kënaqet thjesht me faktin e të shkuarit mirë, duke hequr dorë nga ideja për të ecur përpara.
Intervista
Flet një psikolog amerikan
“Agresiviteti është një armë mbrojtëse nga shefat e pasigurt”
Sipas një psikologu amerikan, mund të jetë edhe e vërtetë shprehja që agresiviteti paguan, por nëse një shef sillet keq, ndodh sepse ai nuk ndihet i sigurt në pozicionin e tij.
Falënderimi mbetet një rregull i artë?
Do të thosha që mirësjellja nuk është kurrë një parametër që merret në konsideratë në vlerësimet e personelit. Megjithatë për një drejtues, xhentilesa është një strategji largpamëse egoizmi. Edhe pse kemi pak kohë dhe do të dëshironim t’i përkushtoheshim vetes, një drejtues i civilizuar, përfshirës, madje shumë i dashur, tregon se është i sigurt në vetvete. Nuk ka nevojë të shtypë të tjerët për të ruajtur pozicionin e punës.
Përse grave u ndalohet sjellja e keqe?
Femrat mendojnë se fitojnë më shumë duke përshtatur modele mashkullore, pra duke qenë agresive. Por në këtë mënyrë e shpërfytyrojnë imazhin e tyre, sepse janë “fuqia e butë”, janë të afta për t’i përfshirë të tjerët në marrjen e vendimeve. Duke bërë kështu, bëjnë që të urrehen nga të gjithë, sidomos nga vetë femrat.
Nëse shefi është tiran
Përdorni strategji të vogla për të gjetur besim në vetvete
Mos harroni që puna është vetëm një pjesë e jetës
Shmangni në maksimum kontaktin me shefin
Kujtoni gjithmonë që ofendimet nuk lidhen me mungesën personale
Kërkoni bashkëpunimin e kolegëve të besuar
Mendoni që në emër të karrierës a ia vlen të keni të bëni me të
Mësoni të rezistoni, pastaj kërkoni që të ndryshoni zyrë
Çfarë duhet të shmangni kur jeni në zyrë
Mos u ankoni: ju vë në disavantazh me kolegët dhe eprorët.
Mos qani: është poshtëruese dhe ju bën të harroni arsyen se përse po qani.
Mos u kërkoni kolegëve t’ju dëgjojnë problemet.