Një pozicion tepër i rrallë i Diellit, Hëna e plotë dhe Toka, thonë shkencëtarët, mund të kenë qenë shkaktarët e tragjedisë së 14 prillit të vitit 1912. Sipas shkencëtarëve, “Titaniku” u zhyt në një natë pa Hënë, por ajsbergu që e zhyti anijen superluksoze mund të jetë shkëputur nga pjesa kryesore e trupit të tij pjesërisht, për shkak të një Hëne të plotë dhe asaj që mund të ketë ndodhur tre muaj e gjysmë para tragjedisë. Bëhet fjalë për Hënën e plotë të 4 janarit të vitit 1912, që mund të ketë krijuar një baticë aq të fuqishme sa të arrinte të shkëpuste mijëra copëza ajsbergësh dhe t’i shndërronte ato në një ushtri në jug të planetit. Pikërisht në atë kohë “Titaniku” ndërmori udhëtimin e tij të parë dhe fatkeq. Ky është një shpjegim që jepet nga disa shkencëtarë dhe astronomë të Universitetit të Teksasit.
Faji i Hënës?
Pranvera e vitit 1912 konsiderohej si një stinë e keqe jashtë të zakonshmes për ajsbergët, por ngjarja e dhimbshme mbeti një mister. Sipas një shkencëtari të grupit në fjalë, shkaku i këtij bumi ajsbergësh ishte rezultat i një kombinimi të rrallë të një fenomeni qiellor të rrallë, përfshi edhe “superhënën”, pra fenomenin e Hënës së plotë në momentin kur ndodhet më pranë Tokës. Gjatë hënave të reja të plota, Dielli, Toka dhe Hëna vendosen në një vijë të drejtë me Diellin dhe Hënën që e shtojnë shumë forcën gravitacionale që ushtrojnë në planetin tonë. Rezultati i gjithë kësaj: baticat e ulëta janë edhe më të ulëta se zakonisht, ndërsa zbaticat janë më të larta. Ky fenomen njihet dhe quhet baza e pranverës.
Për më tepër, më 4 janar të vitit 1912, Hëna e plotë dhe më pas edhe fenomeni që pasoi, përfunduan vetëm 6 minuta para se Hëna të bënte një afrim jo të zakonshëm me Tokën. Ishte në fakt afrimi më i madh hënor që nga viti 796 i erës sonë dhe në një afërsi të tillë Hëna, sipas llogaritjeve, do të jetë vetëm në vitin 2257. Ky kombinim pra, ai i një Hëne shumë pranë Tokës dhe rreshtimit të trupave në qiell, shkaktuan një tërheqje jashtëzakonisht të madhe gravitacionale në Tokë dhe si pasojë batica shumë të mëdha.
Valët e baticave dhe “Titaniku”
Si do të ndikonin baticat te “Titaniku”? Mund të ketë përkulur gjuhëzat e akujve që shtrihen deri në fjordet e Grinlandës duke shkaktuar edhe shkëputje copash të mëdha akujsh. Por ajsbergët nuk udhëtojnë shumë shpejt. Më 14 prill, megjithatë mund të ketë ndodhur që baticat të kenë nxitur shpejtësinë e ajsbergëve të tjerë të shkëputur më parë dhe mund të kenë qenë pikërisht ata shkaktarët e tragjedisë së “Titanikut”. Shpesh ajsbergët ecin, më pas kanë momente pauze dhe lëvizjet e rrymave detare, a baticave e zbaticave i vënë sërish në lëvizje.
Dhe duket se situata e 4 janarit mund të ketë vënë në lëvizje shumë prej tyre dhe disa i kanë zënë rrugën edhe “Titanikut”. Kjo teori që ka dalë së fundi, konsiderohet një teori interesante, por jo të gjithë shkencëtarët janë të bindur dhe e marrin të mirëqenë. Ka edhe nga ata që hedhin dyshime. Për shembull ka dyshime mbi fenomenin e 4 janarit të vitit 1912, pra mbi karakterizimin e tij “i jashtëzakonshëm”. Hënat e plota dhe të reja përkojnë me momentin mujor, në të cilin Hëna është më pranë Tokës gjatë muajit të rrotullimit rreth saj dhe ajo nuk ka asnjë efekt tek ajsbergët apo lëvizja e tyre. Ndërkohë shkencëtarët që e mbështesin versionin e mësipërm, thonë se gjatë vitit 1912 janë regjistruar edhe probleme të tjera me akujt, veç “Titanikut”, në të gjithë botën dhe se hipoteza e tyre është vetëm një nga të shumtat që tentojnë të shpjegojnë fenomenin që shkatërroi anijen më luksoze të kohërave.