Titulli i Vllaznise kur njerezit ne stadium vinin te armatosur (FOTO)

Titulli i Vllaznisë kur njerëzit në stadium vinin të armatosur (FOTO)

Heronjtë e titullit të fundit të Vllaznisë janë të bin dur edhe sot se iu desh të përballeshin me faktorë jashtë futbollit për të triumfuar në vitin 2001.

Vllaznia kampione

Vllaznia kampione

Kjo vazhdoi edhe më vonë, pasi shkodranët sipas tyre ishin të vetëm kundër aleancave dhe kundër padrejtësive që shpesh u bënte FSHF-ja.

Të veçantat e atij sezoni

Edi Martini: Po i fitonim ndeshjet në Shkodër me skuadrat e dobëta me rezultat 1-0 dhe i ndieri, presidenti Çela na thotë, a ju jap nga 1 milion lekë të vjetër për çdo gol të shënuar në një ndeshje, edhe më pyet mua. I them shumë mirë të ka shkuar mendja, bëje ashtu.

Filluan duke u fituar ndeshjet më pas me rezultat të thellë nga ana jonë, më shumë ishte stimul sepse presidenti përveç fitores kërkonte edhe gola dhe spektakël për të kënaqur tifozët. Gjithmonë kam qenë shumë i lidhur me tifozërinë dhe disa gjëra që më kanë dëmtuar në karrierën time sportive kanë qenë që unë nuk jam bërë servili i askujt, kam thënë të drejtën dhe kam luajtur gjithmonë për tifozët.

Lojtaret e Vllaznisë duke festuar një prej golave

Lojtaret e Vllaznisë duke festuar një prej golave

Luan Zmijani: "Luanim ndaj Tiranës në stadiumin 'Qemal Stafa'. Tirana kishte një goditje këndi. Harkohet topi dhe unë përplasem me forcë kokë më kokë me qendërmbrojtësin Rezart Dabulla.

Kam rënë pa ndjenja dhe çfarë më ka thënë kam kërkuar që të rifutem në lojë. Kam dalë me barel jashtë dhe më kanë thyer një dhëmb për të më nxjerrë gjuhën sepse po më ikte dhe më është rrezikuar jeta.

Ndërhyrja e doktorëve bëri që unë të çohem në këmbë, por nuk mbaj mend asgjë veçse di që kam kërkuar të luaj prapë në atë ndeshje pas dëmtimit pavetëdije dhe nuk më kanë lënë. Unë e mbaj mend veten time pas disa orëve kur jam zgjuar diku në Laç dhe e kisha harruar fare ndeshjen.

Pasi kthjellohem pyes trajnerin dhe i them profesor çfarë duam këtu në makinë, a kemi qenë në ndeshje apo jo? Po, më thotë kemi qenë në ndeshje, kemi humbur 1-0, por ke pësuar dëmtim dhe duhet të shkosh në shtëpi e të gëzohesh me familjen sepse ke lindur për të dytën herë sot. Nuk m'u lejua që të bëja dy javë rresht stërvitje, por unë përkundrazi jashtë rregullave luajta menjëherë javën tjetër".

Lojtaret e Vllaznisë para

Lojtaret e Vllaznisë para

Elvin Beqiri: "Luanim ndaj Teutës dhe ndeshja po shkonte drejt barazimit. Unë humba një penallti dhe nuk po ndjehesha mirë sepse nuk po na dilte goli. Në fund fituam me një gol dhe unë u çlirova totalisht sepse do më kishte ngelur si brengë nëse do kishte ndarë në barazim ngaqë humba penalltinë. Ishte fitore shumë e rëndësishme. Shënoi në minutën e fundit malazezi Sasha Marash, i cili na dha fitoren".

Osja tregon se si u rikthye për të triumfuar pas një dëmtimi të gjatë e ndërsa Belisha rrëfen kur ka parë njerëz me kallashnikov në stadiume apo se si skuadra u bllokua brenda stadiumit për rreth 2 orë në një qytet.

Safet Osja: "Kur dola kampion në '98-ën unë ndeshjet e fundit nuk i luajta sepse u dëmtova në stërvitje. U bë operacioni dhe më rezultoi me sukses, por duhej rreth një vit për të marrë veten sepse kisha një shufër hekuri me vida dhe nuk më linte të luaja futboll dhe pas një viti në '99-ën arrita ta heq shufrën dhe nisa të luaj. Për mua ka qenë një fillim i sportit në 2000-2001 dhe besoj se aty e mora formën tamam siç duhej. Vështirësinë e kishim në ekipin tonë sepse kishte rivalitet, ishim rreth 25 lojtarë të gjithë njësoj".

Amarildo Belisha: "Mbaj mend një episod me një ekip në një qytet që luanim në atë kohë, një skuadër e vogël, dhe kam pasur rastin të shoh një tifoz që djalin e tij e kishte në anën e majtë, ndërsa në anën e djathtë mbante në dorë automatikun në shkallët e stadiumit.

Imagjinoni ku ishte situata në atë kohë dhe sa e vështirë ka qenë dhe sa presione kishte. Gjithsesi, kur hyn në fushën e blertë të errësohet gjithçka dhe nuk e ke mendjen askund, por vetëm te loja. Nuk besoj se kam pasur atë ngarkesën siç e kanë pasur shokët e mi që kanë qenë kryesor në ekip në atë periudhë.

foto6

Në një stadium tjetër na është dashur të rrimë dy orë brenda stadiumit derisa është larguar totalisht tifozëria vendëse sepse kishim fituar në atë fushë dhe na u desh të prisnim dy orë derisa të qetësohej rruga e qytetit për të shkuar tek autobusi. Tifozët kundërshtar prisnin për të na goditur apo për të na sharë siç ndodhte zakonisht.

Po ashtu mbaj mend kur ktheheshim nga qytetet e largëta në orët e vona të natës, ishte tmerr sepse ishte koha kur vihej limit për energjinë elektrike. Vinim në Shkodër pas orës 24:00 dhe kur vinim ne shkëputej energjia elektrike dhe ishte errësirë totale, nuk kanë qenë as këta celularët që ndriçojnë tani dhe duhej të ecnim badihava sepse ishte skëterrë, komplet zi gjithçka...".

Batutat me trajnerin Haxhiosmanoviç

Luan Zmijani: "'Shefe' i thosha trajnerit, dy gjëra do e ndajnë këtë punë ose kemi për ta lënë sportin ose kemi për të dalë kampion sepse stërvitja ishte tmerrësisht e rëndë.

Krejt i ri ishte Beqiri, i cili po luante, sepse la futbollin në atë kohë Alban Noga. Pak vite kishim unë Osja apo Lici dhe ishte një Vllazni që nuk kishte lojtarë të stazhonuar. Ishte një tjetër kohë, bluza e Vllaznisë peshonte rëndë, përgjegjësia ishte e madhe.

Ashtu si shumë të tjerë, e ka përjetuar edhe Belisha me Kaçin". Amarildo Belisha: "Ishte një përgjegjësi e madhe normalisht sepse në Shkodër gjithmonë ka përgjegjësi për të luajtur. Cilësia e tifozerisë në Shkodër të bën të tillë që nuk mundesh të mos e marrësh në konsideratë.

Emocionet, përkushtimi dhe përgjegjësia janë shumë të mëdha sepse të vlerëson një popull që e njeh shumë mirë futbollin".

Albert Kaçi: "Shihet qartë se përgjegjësia ishte e madhe pasi skuadra ishte shumë e mirë dhe Vllaznia atëherë ishte pretendente për titullin kampion, kupën dhe çdo trofe tjetër. Natyrisht që ishte një kohë krejt tjetër me shumë përgjegjësi".

Lojtaret duke festuar me shampanjë

Lojtaret duke festuar me shampanjë

"Heroi" Dervish Haxhiosmanoviç

Vllaznia përveç presidentit Myftar Çela, kishte në gjirin e saj edhe një trajner si Dervish Haxhiosmanoviç. Malazezi arriti të bënte që Vllaznia të shpallej kampione me një stërvitje tejet intensive. Haxhiosmanoviç ka nostalgji e emocione të mëdha. Shkodrën e quan shtëpinë e tij të dytë, e ndërsa ditën që u shpall kampion me Vllazninë, më të bukurën e jetës së tij. Dervish Haxhiosmanoviç:

"E kujtoj atë kampionat. Kanë qenë kohë shumë të bukura. Vllaznia ishte një skuadër e madhe. Arritëm të fitojmë titullin kampion. Tifozët mbushnin në çdo ndeshje stadiumin dhe kishim një mbështetje të madhe edhe nga presidenti Myftar Çela. Me gjithë ato talente nuk e kuptoj se pse ka kaluar kaq kohë pa fituar sërish trofeun. Është ndër ditët më të bukura, kam kujtime të paharrueshme për Shkodrën dhe Vllazninë.

Është shtëpia ime e dytë ky qytet, e ndërsa Vllaznia skuadra ime e zemrës. Jam malazez, por jam shumë i lidhur me Shkodrën dhe vij shpesh për ta ndjekur skuadrën. Kam qenë i gatshëm sa herë më është kërkuar për ta ndihmuar dhe për Vllazninë do ta bëj gjithmonë këtë gjë.

Aq sa jam i lumtur për atë trofe 15 vite më parë, po aq nuk më vjen mirë që kaloi kaq kohë pa u përsëritur. Shpresoj që me stadiumin e ri, situata të ndryshojë dhe Vllaznia të ndërtohet sërish si një ekip pretendent sepse më shumë se ky qytet dhe tifozët e saj të mrekullueshëm nuk e meriton askush tjetër.

Një përshëndetje të veçantë për mijëra tifozë që na bënë të ndjehemi shumë të lumtur. I di vështirësitë, por di të them se Shkodra e do futbollin, Vllaznia është një skuadër e madhe që një ditë do kthehet prapë te sukseset".

Presidenti i FSHF-së, iço Papadhopulli duke i dorëzuar titulllin aptenit Vioresin Sinani

Presidenti i FSHF-së, iço Papadhopulli duke i dorëzuar titulllin aptenit Vioresin Sinani

Lici si biznesmen

Sot pas 15 vitesh, Suad Lici, siguria e mbrojtjes, është ndër të paktët që ka zgjedhur traditën e familjes duke u futur në rrugën e biznesit sepse me futbollin nuk ka siguri.

Suad Lici:"Natyrisht për vet traditën e familjes sime mendoj që pasi kam lënë sportin, biznesi ka qenë rruga e drejtë që unë kam vazhduar për vetë kushtet e familjes, për vetë ngarkesën që ka pasur jeta e sportit. Mendoj jo se është e lehtë bota e biznesit, por vetë arsyet e familjes sime, që të jem një familjar i mirë dhe t'i përkushtohem më shumë familjes dhe punës".

Futboll mes armëve dhe kërcënimeve

Në ditët e sotme është më e lehtë të luash futboll edhe pse problemet nuk mungojnë, por në vitin 2000, 3 vite pas trazirave të 1997-ës, stadiumet për lojtarët dukeshin si një ring boksi apo depo armatimi.

Në disa fusha tifozët kundërshtar, lojtarët e Vllaznisë i kanë ndjekur me çadra e thika, nuk mungonin armët e ndërsa edhe vetë presidentët e drejtuesit bënin të fortin duke bërë kërcënime e presione.

Viorensin Sinani: "Probleme kishte nga më të ndryshmet në çdo fushë. Me arbitrat kishim shumë probleme. Kujtoj se ndeshjet jashtë fushe ishin shumë të vështira.

Shumë fusha ishin katastrofike sepse arbitrat ndjeheshin të frikësuar dhe skuadrat llogarisnin se 3 pikët brenda fushës të tyre janë të sigurta, ende pa u luajtur ndeshja, dhe kërkohej fitorja me çdo mënyrë dhe krijohej një presion i madh, i paparë. Të them të drejtën, Vllaznia ishte një skuadër e lidhur, një ekip që sakrifikonte dhe që nuk trembej as brenda e as jashtë dhe që në atë kampionat mori maksimumin duke arritur objektivin për t'u shpallur kampion.

Po të ishim ndjerë të frikësuar do të kishim humbur shumë ndeshje jashtë dhe nuk do të kishim dalë kampion. Çdo ndeshje jashtë ishte një stres më vete, një luftë më vete kështu që të frikësuar nuk jemi ndjerë sepse kemi marrë shumë fitore edhe jashtë fushe".

Maskat grabisin futbollistët ne Vlorë

Maskat grabisin futbollistët ne Vlorë

Edi Martini: "Armiqësinë e gjenim në ato fusha ku kishte aleanca apo atje ku gjithçka bëhej për të na hequr kampionatin nga duart. Kujtoj rastin e Peqinit në fazën e parë se çfarë kemi hequr, por s'desha ta them sepse në fund u bëmë aleat me ta dhe luftuan kundër Tiranës duke i marrë barazimin dhe ne dolëm kampion.

Ka pasur incidente nga më të ndryshme, hile të gjithfarshme. E vështirë ishte sepse që në momentin që dilnim për të parë fushën, fillonte fjalori me sharje sa në Vlorë apo edhe në qytete të tjera, a thua se çfarë po bënim. Jo, jo, frikë nuk kemi pasur sepse sporti është sport.

Frikë në aspektin sportiv, se mos po humbim një ndeshje, po, por asnjë lloj frike tjetër".

Suad Lici: "Ka qenë shumë e vështirë sepse presionet kanë qenë nga më të ndryshmet. Shqipëria ishte e trazuar në atë kohë, vazhdonin problemet, kishte shumë dhunë në dhomat e zhveshjes, dhunë tek arbitrat e sidomos kur luanim në fushat kundërshtare, do të thosha që ne luanim kundër 14 lojtarëve dhe jo kundër 11.

Nuk i fajësonim arbitrat sepse në shumë ndeshje ata goditeshin dhe fytyrat e tyre ishin të bardha e të zbehta, një presion i jashtëzakonshëm.

Kam qenë një natyrë që nuk i kam hapur kujt rrugë dhe nuk më ka bërë shumë përshtypje. Gjithë ato lojtarë të Vllaznisë, atëherë, e them me bindje se kanë qenë vërtetë burra sepse kanë dhënë shpirtin në çdo gjë. Nuk jemi trembur edhe pse kishte shumë fusha të vështira si në Peqin, Fier, Vlorë, një kampionat shumë i ashpër dhe ata lojtarë kanë qenë heronj dhe kanë dhënë mbi 100% në çdo ndeshje.

Luan Zmijani: "Një kampionat tepër i vështirë. Ndeshjet jashtë Shkodrës me presione nga më të ndryshmet. Vinim nga një rrëmujë totale ku nuk kishte as shtet, as polici e asgjë.

Udhëtonim me rrezik sepse presionet kanë qenë jashtë fushës sonë. Është mbajtur rendi në stadiumin e Peqinit me tre policë trafiku. S'kishte as tribunë, por një stol provizor që kishin bërë pas porte dhe e quanin si tribuna VIP dhe aty vendosnin dy-tre persona që përdornin fjalë të një fjalori shumë të ndyrë.

Fjalor, i cili fillonte nga nxehmja e deri kur binte vërshëllima e fundit që mbaronte ndeshja. Kërcënime nga më të ndryshme, dhe nuk bëhej fjalë vetëm në Peqin, por edhe në Ballsh dhe në gjitha këto fushat e vogla. Ka pasur presione e kërcënime edhe në dhomat e zhveshjes te ne lojtarët. Shpesh herë rezultati është kërkuar nga mënyrat më të ndryshme duke i bërë presion kundërshtarit, pra ne e më pas edhe arbitrave kur shikonin se ne nuk lëshojmë".

Elvin Beqiri: "Ka pasur disa momente të pakëndshme, por kishim hyrë në lojë me një objektiv dhe ishim të përgatitur moralisht për të përballuar çdo situatë. Ndeshjet më të shumta i kemi fituar përballë një presioni shumë të madh". Safet Osja: "Në Ballsh më tepër më kujtohet se kemi pasur probleme, por edhe në fusha të tjera. Kur luan sport, sporti i ka të gjitha dhe për mua fushat më të nxehta ishin Peqini dhe Ballshi".

Amarildo Belisha: "Ishte periudhë tranzicioni dhe normalisht që kishte probleme. Po ka edhe sot dhunë në stadiume e jo më atëherë kur vinim pas një periudhe shumë të errët për vendin tonë".

Albert Kaçi: "Kanë qenë momente shumë të vështira për ne. Shohim edhe sot që ka probleme në stadiume por janë shumë më të pakta ndërsa atëherë ishin në çdo ndeshje.

Fusha e Peqinit ishte një tmerr i vërtetë dhe ai ekip me atë fushë, me ato kushte e ato presione nuk e di se si lejohej të merrte pjesë në kampionat. Në një ndeshje tifozët u futën në fushë dhe filluan të na ndiqnin me çadra në duar apo edhe me mjete tjera, ndërsa ndokush mund të kishte edhe armë mbase".

Grabitja në Vlorë

Edhe pse mes vështirësive, lojtarët e Vllaznisë nuk menduan asnjëherë të tërhiqen. Frikën nuk e njihnin, edhe pse në qytete si Vlora, futbollistët grabiteshin nga persona të maskuar.

Luan Zmijani: "Nuk e kam menduar kurrë të tërhiqem. Ne ishim mësuar me vështirësi dhe e kishim ngulitur në kokë se kundërshtari do bëjë çdo gjë vetëm për të fituar ndaj nesh".

Elvin Beqiri: "Jo, nuk më ka shkuar asnjëherë në mendje që të tërhiqem nga futbolli në atë periudhë sepse ishin gjëra normale për kohën atëherë. Krijuam si të thuash imunitet me presionet dhe nuk na bënte përshtypje më. Irritimi i tifozëve kundërshtar kur bënim ne golin e parë ishte i papërmbajtshëm, na gjuanin, na godisnin me gjithçka".

Albert Kaçi: "Kur e kemi menduar këtë gjë kemi qenë s'i të them në ring, në mes të ringut dhe s'ke si del nga ringu. U donte të vazhdonte me misionin tonë dhe ashtu vepronim edhe pse shumë vështirë ishte".

Vllaznia aktuale

Të gjithë në Shkodër kanë në mendje atë vit të suksesshëm kur Vllaznia shpallej kampione apo Kupën e fituar në sezonin 2008 nga ish-presidenti Valter Fushaj apo kur skuadra ishte shumë pranë titullit në ato kohë. Sot pas 15 viteve, për lojtarët që triumfuan në sezonin 2000-2001 është e pabesueshme që Vllaznia nuk ka një titull tjetër.

Viorensin Sinani: "Në qoftë se do të më thoshe atëherë se do të flasim në 2016-ën dhe nuk do të dalim më kampionë, do kisha thënë jo, se nuk është e vërtetë, po e po, por s'do e besoja kurrë dhe do të thosha 'çfarë po flet!?'. U bënë 15 vite dhe është e habitshme të më thoshe në atë kohë që do kalojnë 15 vite dhe jo që vetëm s'do dalësh kampion, por as që do t'i afrohesh trofeut, s'do ta besoja aspak".

Edi Martini: "Më vjen keq. Kështu është futbolli ka uljet dhe ngritjet e veta. Më erdhi keq që në 2008 kur nuk e fituam më presidentin Valter Fushaj sepse ishte shumë afër titullit kampion. Patjetër që më vjen keq edhe për tifozët që janë të zhgënjyer. Duke parë se çfarë ka bërë Vllaznia kohët e fundit nuk mund të pretendosh asgjë dhe normalisht që më vjen shumë keq".

Suad Lici: "15 vite janë edhe shumë, edhe pak. Në kohën e sotme konkurrenca është bërë edhe më e ashpër sepse skuadrat e tjera investojnë shumë dhe pa një investim të saktë unë mendoj se Vllaznia do ta ketë shumë të vështirë sepse Vllaznia vitet e fundit ka treguar se nuk është në nivelin e kërkuar. Ndihem keq por s'kam çfarë të bëj, në kuptimin e mirë të fjalës. Kur më është kërkuar kam dhënë kontributin tim financiar për Vllazninë.

Elvin Beqiri: "Vaznia nuk është mësuar të qëndrojë kaq gjatë pa fituar titullin kampion. Më vjen keq sepse deri sezonin e kaluar isha pjesë e skuadrës dhe jam ndjerë keq kur për disa sezone kemi luftuar vetëm për mbijetesën ndërsa kur e kujtoj me sezonin e para 15 viteve është ndryshim i madh".

Safet Osja: Dola kampion në '98- ën dhe '01-in me Vllazninë. Në vitin 2004, shkova në Elbasan dhe luajta për dy sezone, atje ku edhe fitova titullin kampion. Më kujtohet edhe sezoni i '08-ës, Vllaznia fitoi kupën dhe ishte shumë afër titullit me presidentin Valter Fushaj ndërsa sot që flasim nuk e imagjinoj Vllazninë pa pretendime, dhe pas 15 vitesh pa titull mua më duket si një ëndërr dhe s'mund ta besoj që ne nuk e kemi fituar më.

Amarildo Belisha: "Në 4-5 vite, këtë që po bën Skënderbeu tani, Vllaznia mendonte ta bënte në atë periudhë. Më vjen keq sepse në sezonin '08-ës ishim shumë afër fitores së titullit kampion dhe e humbëm, për fajin tonë normalisht sepse ishim 7 pikë përpara Tiranës.

Dedikimi i tifozëve për presidentin Myftar Çela

Dedikimi i tifozëve për presidentin Myftar Çela

E ardhmja

Keqardhja për mungesën e titullit kampion në këto 15 vite është e madhe e ndërsa Zmijani nuk nguron të thotë se mund të kalojnë edhe 5 të tjera pa trofe.

Luan Zmijani: "Me presidentin Valter Fushaj në '08-ën Vllaznia ishte afër por nuk arriti, që në atë kohë se kam parë më ekipin kuqeblu duke luftuar për titullin kampion. Keqardhje të madhe kam dhe do të më ishte bërë qejfi edhe më shumë që të ishte dikush tjetër të sillte ndonjë trofe sepse kjo Shkodër ka nevojë për titullin kampion por është e vështirë sepse skuadrat e tjera kanë investuar shumë.

Mund të kalojnë edhe 5 vite pa fituar titullin nëse nuk investohet. Të më thuaje mua para 15 viteve se s'do e fitojë më Vllaznia do qeshja gjithë ditën dhe do e merrja si batutë, por ja që ka ndodhur".

Viorensin Sinani: "Normal që nuk ndjehem mirë sepse si çdo shkodran e sidomos këta që kujtojnë festën e atëhershme, kujtojnë atë kampionat të mirë, ndeshjet e bukura apo rivalitetin, normalisht që ëndërrojnë t'i shohin prapë ato ditë. Nuk ndjehem mirë dhe kush drejton futbollin duhet të ketë objektiv që Vllaznia të dalë kampion dhe të arrijë suksese e nivele të larta sepse i takon Shkodrës kjo".

Elvin Beqiri: "Më vjen keq për tifozët që Vllaznia nuk po arrin të fitojë titullin kampion gjithë këto vite". Safet Osja: "Asnjëherë nuk e kemi menduar se mund të mos dalim kampion në 15 vite. Të vjen keq që Vllaznia nuk ka fituar titull që atëherë. Këto vitet e fundit nuk ka pasur një organizim të mirë ndaj edhe kanë munguar sukseset dhe skuadra ka vuajtur duke luftuar për mbijetesë".

Amarildo Belisha: "Ndjej keqardhje sepse do doja t'i shihja shokët e mi, qytetin apo tifozët të festonin siç po feston Korça çdo vit. Nuk kam pse të pretendoj për diçka që është shumë e largët për momentin, për Vllazninë apo për Shkodrën. Shpresoj që të bëjnë diçka sa nuk është vonë dhe të vendosen piketat për pretendime serioze dhe deri atëherë do të qëndrojmë duke parë ekipet e tjera se si festojnë".

Albert Kaçi: "Më vjen keq se pse Vllaznia është në këtë gjendje. Duke përjashtuar vitet kur ishte president Valter Fushaj sepse atëherë ishte një skuadër e mirë edhe pse nuk doli kampion ndonëse ishte shumë afër. Fushaj arriti të fitonte kupën e Shqipërisë ndërsa skuadra ishte pretendente dhe kishte edhe tifozë shumë në stadium. Realisht më vjen keq por duhet një menaxhim shumë i mirë i klubit Vllaznia dhe duhet t'i kushtohen më shumë akademisë sepse është më e lehtë edhe për vetë klubin. Nuk i falet Vllaznisë 15 vite pa titull. Nëse Vllaznia shkon çdo vit duke diskutuar mbijetesën, atëherë do të vijë dita që ajo do bjerë dhe do ishte katastrofë sepse jo se do largoheshin lojtarët dhe interesi i biznesmenëve do ishte në rënie. Dikur jemi gëzuar me trofe kurse sot gëzohet një qytet e Shkodra se Vllaznia shpëton nga rënia prej Kategorisë Superiore".

A mund të jetohet me kujtime? Martini thotë se jo.

Edi Martini: "Mbaj mend, kujtoj shumë, por nuk jetohet me kujtime. Ish-presidenti Valter Fushaj ndërtoi një skuadër dinjitoze që kapte Europën çdo vit, kalonte ture, fitoi kupën dhe ishte shumë afër titullit dhe në një moment që erdhi papritur, në vend të një ndihme mori zhgënjim nga Bashkia Shkodër 5 vite më parë pas atij eliminimi të hidhur me zviceranët e Thunit në kupën UEFA.

15 vite janë shumë për Shkodrën, për tifozët, për këtë qytet që zgjohet dhe bie në gjumë me futbollin, jeton e ushqehet me top e këmbën. Qyteti që e lindi, e rriti, kontribuoi, i dha vlera e prodhoi breza të tërë lojtarësh që nderuan Shkodrën e Vllazninë brenda e jashtë vendit.

Pyetja që lind është ku jemi sot? Çfarë bëmë ne? Pse Vllaznia prej 5 vitesh ka trajtë politike? Këto janë rrëfime të protagonistëve pas 15 vitesh, aq sa zgjojnë emocione e prekin ndjenja, por janë edhe një kambanë alarmi për këdo. Vllaznia është e tifozëve, e Shkodrës, e dy ngjyrave kuqeblu dhe si e tillë duhet t'i kthehet qytetit sepse siç thotë Martini nuk jetohet me kujtime! Na ktheni Vllazninë, Vllazninë tonë"!

Shënim: Me Vllazninë luajtën në atë sezon: Sinani, Martini, Lici, Beqiri, L.Zmijani, Kaçi, Osja, Kërstaiç, O.Osmani, Gjokiviç, Camaj, Patushi, Duro, Bylykbashi, Ndoja, Kotri, Teli, K.Osmani, Plori, Mustafa, Marash, Doçi, Hasani, Çoçja, Radonjiç. Stafi drejtues: Artan Bushati, Ismet Hoxha, Ferid Borshi

Trajner: Dervish Haxhiosmanoviç, zv.trajner: Esat Rrakiqi, trajner portierësh: Avenir Dani; Mjeku: Zyhdi Çoba, masazhator: Ruzhdi Mesi.

SENAD NIKSHIQI



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama