Festivali i Këngës në Radio-Televizionin Shqiptar vjen më i tkurrur se kurrë në edicionin e tij të 52-të. Duke lënë mënjanë reagimet e viteve të kaluara për nivelin artistik të krijimtarisë muzikore apo të ndonjë këngë që rezulton plagjiaturë, këtë vit vihet re një mungesë e madhe e emrave të njohur të muzikës, të cilët vit pas viti i janë larguar festivalit më të rëndësishëm të këngës. I rëndësishëm dhe për faktin se fituesi përveç çmimit kombëtar ka të drejtën e përfaqësimit të Shqipërinë në Festivalin Europian të Këngës. Por as kjo ofertë nuk i ka joshur këngëtarët e karrierës. Por përveç mungesës së emrave të mëdhenj që për arsye të ndryshme nuk i qasen më këtij eventi të muzikës së lehtë shqiptare, këtë herë ka dhe një reduktim në numër të këngëve pjesëmarrëse, çka rivendos në skenën e Festivalit të RTSH-së një format të ri prezantimi.
Ndryshe nga edicionet e kaluara, në edicionin e këtij viti do të jenë në konkurrim vetëm 16 këngë, që sipas formulës tradicionale të organizimit të festivalit në tri net do të mund të ndahen nga tetë këngë në dy netët gjysmëfinale, nga të cilat do të zgjidhet dhe fituesi që do të përfaqësohet në Eurovizion 2014. Nga 28 këngë që konkurruan një vit më parë, në edicionin e këtij viti ka një përgjysmim të pjesëmarrësve.
Gjithashtu emrat që ofrohen janë përgjithësisht të rinj. Finalja do të mbahet më 28 dhjetor. Ndërsa dy netët gjysmëfinaliste do të mbahen në datat 26 dhe 27 dhjetor. Në listën e këngëve që janë përzgjedhur për të konkurruar në festival vihet re dhe rikthimi i disa këngëtarë “të vjetër” të kësaj skene. Luiz Ejlli dhe Frederik Ndoci sërish pretendojnë çmimin e parë, çka do të thotë për ta një mundësi e dytë për të përfaqësuar sërish Shqipërinë në Festivalin Europian. Ejlli me këngën “Kthehu”, ndërsa Ndoci me këngën “Një ditë shprese”. Sajmir Braho me këngën me titull “Gruaja”, shpreson që pas kaq vitesh karrierë në skenën shqiptare me votën e publikut dhe të jurisë t’i jepet mundësia që të përfaqësohet për herë të parë në Eurovizion.
Marjeta Billo dhe Herciana Matmuja vazhdojnë të jenë pjesë e kësaj skene. Nga konkurrentët e rinj në skenën e festivalit vjen fituesja e “Voice of Albania”, Venera Lumani bashkë me një tjetër konkurrent finalist të këtij spektakli, Lindi Islami, me këngën “Natë e parë”. Renis Gjoka me “Nuk e di” dhe Orges Toçe me “Jeta në orën 4”, gjithashtu i rikthehen kësaj skene. I mungon këtij festivali edhe kompozitori i më shumë se 14 festivaleve të këngës në RTSH dhe drejtori artistik për shumë vite me radhë, Shpëtim Saraçi. Kompozitori prej muajsh ndodhet në Gjermani për kurim, pasi mori goditje ishemike në trurin e vogël në mes të muajit gusht. Vite të tëra me një interpretim playback, qysh prej edicionit të kaluar, falë këmbënguljes së Saraçit, festivali i është rikthyer interpretimit live. Në fund të fundit, pavarësisht se si do të përfundojë ky festival, interpretimi i këngëve live mbetet vlera më e madhe e Festivalit të Këngës në RTSH. A.T
Këngët në konkurrim
Ti mungon – Marjeta Billo
Zemërimi i një nate – Herciana Matmuja
Jeta në orën 4 – Orges Toce
Jam larg - Besiana Mehmeti dhe Shkodran Tolaj
Grua – Sajmir Braho
Nuk e di – Renis Gjoka
Natë e parë – Venera Lumani and Lindi Islami
Një ditë shprese – Frederik Ndoci
Në zemër – Rezarta Smaja
Mikja ime – Blerina Braka
Me ty – Klodian Kacani
Kur qielli qan – Xhejn & Enxhi Kumrija
Kthehu – Luiz Ejlli
Princesha – Lynx
Vetëm për ty – Saviana Verdha dhe Edmond Mancaku
Ëndrrat janë ëndrra – Xhejsi Jorgaqi