Planeti i pagëzuar me emrin “Kepler-22b”, i zbuluar nga misioni hapësinor Kepler, është planeti i parë me përmasa më të vogla se të Neptunit, që është gjetur brenda zonës së banueshme të yllit të saj. Kjo zonë e banueshme, që ndryshe quhet zona “Goldilocks” ose “Rrip i gjelbër”, është ajo përreth një ylli që lejon sipërfaqen e planetit të mos jetë shumë e nxehtë ose shumë e ftohtë, sepse në këtë zonë gjendet edhe ujë në gjendje të lëngët, duke lejuar kështu që jeta të cilën njohim ne të ekzistojë.
Në zonën “Goldilocks” janë zbuluar edhe planetë të tjerë, megjithatë më tepër bëhet fjalë për objekte të përmasave të Jupiterit dhe Neptunit, që janë të papërshtatshëm për të pritur jetë. Sipas Natalie Batalha, zëvendës përgjegjëse shkencore e projektit “Kepler”, “planetë të këtyre përmasave në zona të banueshme janë vërtetë të rrallë, edhe pse janë më të vështirët për t’u gjetur”.
Në fakt, deri tani vetëm dy planetë i korrespondojnë këtij profili, që janë “Gliese 581d” dhe “HD 85512”. Së bashku rrotullohen rreth anëve ekstreme të zonës së banuar të yjeve të tyre, gjë që i bën më shumë të ngjashëm me Afërditën dhe Marsin, sesa me Tokën. “Ajo që e bën më entuziast këtë zbulim, është fakti se planeti gjendet pikërisht mu në mes të zonës”, - shton Batalha. “Përveç kësaj, rrotullohet përreth një ylli që duket sikur është binjaku i Diellit tonë, ndërkohë që yjet e dy planetëve të tjerë janë shumë herë më të ftohtë”.
Një zbulim fatlum
Për të gjetur këto dy botë të reja, misioni “Kepler” po monitoron njëkohësisht 150 000 yje duke u matur ndryshimet në intensitetin e dritës, luhatje që shpeshherë i detyrohen kalimit të planetëve që rrotullohen rreth tyre. Pas tre kalimesh përpara një ylli që është nën vëzhgim, sistemet interpretojnë sinjalet e spikatura dhe tregojnë ekzistencën ose jo të një planeti ende të pazbuluar.
“Kepler-22b” ishte mes 54 planetëve me përmasa të ngjashme me Tokën, gjë që u bë e ditur nga misioni në shkurt të këtij viti. Në fakt, satelitit i duhen të paktën tre vëzhgime për të konfirmuar nëse ndryshimi i korrespondon një planeti.
“Në këtë rast kemi qenë me fat”, - thotë William Borucki, nga qendra “Ames Research Center” e NASA-s. “Kalimi i parë u zbulua vetëm tri ditë pasi sateliti u vu në përdorim. Kalimin e tretë e pamë në verën e vitit 2010”.
Planeti i ri është 2,4 herë sa rrezja e Tokës, por astrofizikanët nuk e njohin ende përbërjen e tij: faktikisht për momentin mungon ende një informacion më i detajuar, ose më saktë masa e planetit. Megjithatë, grupi i studiuesve të projektit “Kepler” shpreson që masa e planetit “Kepler-22b” të llogaritet me ndihmën e megateleskopit të ri tokësor të ishujve Kanarie, që do t’i fillojë vrojtimet në pranverën e vitit të ardhshëm.
Teleskopi i ri “HARPS North” do të jetë në gjendje të masë efektin “doppler”, pra ndryshimet që ndodhin në intensitetin e dritës së një objekti hapësinor ndërkohë që i afrohet ose i largohet Tokës, me një shkallë të lartë saktësie. Falë këtyre informacioneve, studiuesit do të jenë në gjendje të llogarisin masën dhe densitetin e planetit “Kepler-22b”, duke zbuluar kështu nëse bëhet fjalë për një planet shkëmbor, ose të pasur me ujë.