Për gjobat e makinave, kreu i Policisë Rrugore, Mithat Tola, thotë në një intervistë se “Policia Rrugore nuk ka lëshuar ‘ultimatum’, por ka bërë detyrën e saj duke kujtuar zbatimin e ligjit, dispozitën përkatëse të Kodit Rrugor.
Në nenin 203 të Kodit Rrugor, që më duhet ta citoj për të mos krijuar keqkuptime, sanksionohet fjalë për fjalë se: ‘të ardhurat nga masat administrative me gjobë për shkeljet e parashikuara nga nenet e këtij Kodi, paguhen nga kundërvajtësi brenda 5 ditëve nga dita që vendimi ka marrë formë të prerë’.
Pas kalimit të këtij afati, për çdo ditë vonesë, paguhet 2% kamatë deri në një muaj.
Kur gjoba nuk paguhet ose nuk nxirret dot nga të ardhurat e shkelësit, për rastet e drejtuesit të mjetit me motor, bëhet ndalimi i mjetit deri në tre muaj dhe pas këtij afati, bëhet shitja e mjetit me ankand duke i dhënë diferencën shkelësit…”,- shpjegon Tola.
Sipas tij, “duke konsideruar se në muajin shtator 2015 në të gjithë vendin ka filluar një kontroll shumdimensional kundër informalitetit, duke referuar faktit se pothuajse gjithçka në këtë vend transiton dhe qarkullon me mjetet tokësore, u kujdesëm që të kujtojmë dhe njoftojmë të gjithë drejtuesit e mjeteve dhe pronarët që të shlyejnë gjobat “e harruara” dhe të prapambetura për të mos u gjetur në situata të paparashikuara.
Referuar statistikave të shërbimit të Policisë Rrugore në pikat e sekuestrimit dhe të ndalimit administrativ të mjeteve debitore, kanë mbetur mjaft mjete ku numrin më të madh e zënë automjetetet.
Për periudhën nga 1 shtatori 2015 e këtej, do të na duhet të presim afatin 3-mujor për ato raste kur drejtuesit e mjeteve të konstatuar në qarkullim si “mjete debitore” nuk do të kryejnë pagesat përkatëse.
Më tej, nëse ky afat do të tejkalohet pa kryer pagesat, mjeti kundrejt procedurave ligjore kalon në sistemin e Rezervave të Shtetit për t’u shitur në ankand”, – përfundon ai.